Me zemër plot mirënjohje dhe dashuri, unë si marinar dhe Petlat Binaj si pilot organizuam këtë takim të ngrohtë dhe miqësor që së bashku me djemtë e klasës 1-7 të shkollës ushtarake “Skënderbej”, që ndoqëm studimet në vitet 1971–1975 – donim t’ju përshëndesim me përulësi dhe mall.

Në ato vite të rinisë, larg familjeve tona, ju ishit pranë nesh si një dritë që na ndriçonte ditët, si një motër e madhe që na qëndronte pranë me dashuri dhe mirëkuptim.
Faleminderit, zysh Sasha!
Për mësimin e dhënë me profesionalizëm, për përkrahjen tuaj njerëzore dhe për durimin që patët ndaj nesh, edhe kur djemtë “tepronin” me energjitë e moshës. Ju na kuptuat pa fjalë, na lehtësuat rrugën, na mbajtët afër zemrës.

Ju u bëtë pjesë e shpirtit tonë, pa kërkuar leje – dhe aty mbetët përherë.
Sot, pas më shumë se gjysmë shekulli, çdo trëndafil e karafil që ju dhurojmë është një simbol i dashurisë sonë të thellë e të qëndrueshme për ju.
Ju urojmë shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe shumë gëzime pranë familjes tuaj!