Ishte ora pesë e gjysëm e mëngjesit dhe gjithçka për rreth dukej e trazuar nga e panjohura. Në ajrin e rënduar sikur lëvizte një hije frike që endej dhe endej duke trazuar jetët njerëzore në një asimetri të frikshme.
Jetmir Burani u paraqit në deren e siptalit infektiv. Ai kishte rreth një javë që qe kthyer nga Danimarka ku punonte në një spital privat dhe izolimi e kishte zënë në Shqipëri. Qenë mbyllur kufijtë dhe gjithçka pati ngrirë. Jetmiri qe mbyllur brenda dhe teksa dëgjonte lajmet…mësoi diçka që e trazoi jetën e tij…Dhe ja tek gjendej këtu, në pritje…
Spitali ishte bliduar nga policë privatë dhe nga policia e shtetit. Ajri i Tiranës nuk ia mbushte mushkëritë me oksigjen, një lëmsh i qe mbledhur në grykë dhe shpesh shpërthente në lotë, ndjente një dobësi në trup, që e bënte të ndihej keq dhe të kërkonte reagim ndaj diçkaje që e thërriste si një zë profetik në vetëdije.
Polici e ndaloi zymtë dhe me një pamje të ngrysur. Aty nuk dukej këmbë njeriu, përveç ambulancave që sillnin kohë pas kohe të sëmurët me covid-19.
-Çfarë kërkon djalosh?!-iu drejtua polici të porsaardhurit.
-Dua të takoj shefin e këtij spitali, -iu përgjigj tjetri duke e vështuar në sy.
-Je ndonjë i afërm i tij?!-pyeti polici ftohtë.
-Jo, ashtu e kam hallin…
-Ore djalë, akoma nuk ke marrë vesh ti se ç’bëhet apo ke qenë gjithë natën në ndonjë disko e ja ke futur me të pira dhe vjen na derdellis këtu! Lere që ku ka disko tani! Më duket se të ka ikur fiqiri!-e paragjykoi djalin që po kërkonte të futej me çdo kusht në spital për të takuar shefin e atij pavioni.
-Thuaj ç’të duash, unë nuk iki! Do ta takoj gjallë a vdekur shefin!
-Ik more largohu, mos na besdiz, se kemi njëzet e katër orë në punë dhe nuk po na mbajnë gjunjët!-klithi polici i mërzitur nga këmbëngulja e tjetrit…
– Mbase ke të drejtë, mor mik, se je lodhur, por unë dua ta takoj me çdo kusht shefin ose drejtorin e këtij spitali.
-Drejtorin me the?!-Ha-ha-ha-ha!-qeshi polici.-Paske dhe humor, zotërote! Sa veta vijnë këtu për të takuar drejtorin, atij nuk do t’i mbetej kohë për t’u kujdesur për vartësit e tij dhe për të sëmurët. Ik, or djalë e mbyllu brenda, se po na vërtitet kjo e mallkuar nëpër këmbë, si hijenë…
Jetmiri për një moment heshti dhe filloi të lëvizte sa andej këtej përpara policit…Polici i hodhi një sy të shpejtë dhe iu duk si i fantaksur. Por kur ndeshi sytë e tij të butë e të paqtë, që dukej se kishin një dhimbje të thellë, sikur u step. “Kushedi si e ka hallin, mendoi, duket flori djalë”…
-Djalosh, dalë pak. ta provojmë një herë, por vështirë se të pret njeri… Nxorri celularin dhe diç foli por tjetri nuk e dëgjoi, pasi polici qe shmangur në një kënd prapa derës së madhe. Vijoi një heshtje e gjatë…Jetmiri rrinte në pritje i tendosur…
Pa kaluar dhjetë minuta, ra celulari i policit pritës dhe pas një komunikimi fjalët e të cilit Jetmiri nuk i dëgjoi, polici iu drejtua duke qeshur:
-Ej, djalosh, qënke vërtet me fat! Drejtori po të pret!
Jetmiri sikur u bë me krahë, falenderoi policin dhe u ngjit shkallëve drejt zyrës që ai i tregoi…
Në zyrë po e priste një djalosh pak më i madh se ai në moshë, me një pamje babaxhane, por me sy të buhavitur nga pagjumësia dhe lodhja e sforcimi. Mezi formoi një nënqeshje të lehtë në shenjë kortezie.
-Më falni drejtor, që po ju shqetësoj në një situatë të tillë… Jam Jetmir Burani, punoj e jetoj në Danimarkë. Unë kam mbaruar për infermieri në vitin…Mbyllja më zuri këtu në vendin tim dhe…erdha se dua të punoj si vullnetar pranë spitalit tuaj…
-Të përgëzoj jetmir, -iu drejtua drejtori-Por ne e kemi të formatuar stafin dhe…
-Të lutem, drejtor! Kam një obligim ndaj dikujt që është shumë i shtrenjtë për mua…Unë për atë erdha nga Danimarka dhe nuk e gjeta, pasi ai ndodhet i shtruar në spitalin tuaj, i sëmurë nga corona!…
Drejtori mbeti pezull, duke e vështruar tjetrin me një lloj interesi.
-E kush na qënke ky!?-foli duke i rrokëzuar fjalët, sikur thyente arra.
-Quhet E.D. 70 vjeç. Ai është njeriu më i afërt për mua.Unë jam rritur në shtëpinë e fëmijës, pa prindër biologjikë. Në moshën dhjetë vjeç, ai më mori në shtëpi dhe së bashku me bashkëshorten, e cila i ka vdekur nga një sëmundje e keqe, më rritën si të më kishin djalin e tyre…Ai më rriti, më shkolloi dhe kur unë këmbëngula për të ikur në Danimarkë, më ndihmoi me çdo gjë. I kam borxh gjithçka që kam arritur në jetë…Unë dua të bëj gjithçka për këtë njeri, t’i shërbejë gjersa të dalë nga spitali dhe të kthehet në shtëpi…Është më e pakta që mund të bëj për të, drejtor!…
Drejtori pa lotët që rrodhën çurk nga sytë e bashkëbiseduesit dhe, me sa duket, u prek emocionalisht…
Sytë e tij lëviznin në një pikë të dhomës sikur kërkonte në atë pikë të gjente përgjigje për dilemat e tij…
-Më preke vërtetë, djalosh…Historia jote nuk është e zakonshme, ndaj dhe për çdo procedurë ka dhe përjashtime…Mund të fillosh që sot vullnetar në spitalin tonë. Eja të të çoj të pajisesh me bazën materiale mbrojtëse.
Fill pas kësaj, dolën nga zyra e drejtorit dhe shkuan në magazinën e spitalit, ku Jetmirin e pajisën me maskë, doreza,mushama dhe gjithçka që përfshihet në masat mbrojtëse të personelit mjekësor.
Pas kësaj drejtori, iu drejtua butë:
-Tani eja të të çoj tek dhoma e të sëmurit…
Shkuan tek dhoma e të sëmurit, i cili rënkonte lehtë dhe nuk e ngriti kokën kur ata hynë…
-Ej, gjysh,-iu drejtua drejtori, -të kam sjellë dikë që ti e kë shumë për zemër…
Tjetri ngriti kokën dhe në fytyrën e tij të zbehtë Jetmiri pa gjurmët e vuajtjes…Kur pa Jetmirin, plaku në fillim shtangu,pastaj u drodh lehtë…ngriti kokën me vrull dhe klithi fort:
-O Zot! Po ti këtu more bir?! Mos jam në ëndërr?! Mos po shikoj një engjëll?! Aman, ik larg që këtu, se do të infektohesh!
-Nuk infektohem, se jam nën masa mbrojtëse të rrepta…Kam ardhur për ty, baba! Kam ardhur të të shëroj!…
Plaku u gjallërua menjëherë, sikur befas t’i kishin bërë një injekson shpëtimatar kundër koronës…
Kaluan dy javë, që ikën si era dhe ditë e natë djaloshi i ardhur nga larg qëndronte te koka e të sëmurit. Pas dy javësh, ata të dy dolën nga spitali infektiv…Tek dera i shoqëroi vetë drejtori, që dukej i ngazëllyer dhe mezi i mbante lotët dhe botën e emocioneve…
Para se të ndaheshin, ai iu foli atyre, që po dilnin nga spitali infektiv, me një zë që dridhej nga pesha e emocionit të bukur:
-Dua t’iu përqafoj, por e lëmë në një kohë, tjetër kur të mos kemi koronën nëpër këmbë…Jam i kënaqur që të kisha në ekip, Jetmir…Ndërsa ti, iu drejtua plakut, je pacienti më i mire që kam pasur ndonjëherë…Ti e përballove sëmundjen me shumë dinjitet dhe na e bëre më të lehtë luftën, mua…ekipit tim dhe veçanërisht këtij djaloshi, të cilin sikur e solli një engjëll për ty, nga larg…