Mund të ishe edhe det. Oqean mund të ishe,
Por unë të përfytyroj vazhdimisht
Një liqen Lure në thellësi të vetvetes,
Ku reflektimi i pishave të larta,
Më jep ndjesinë se ekzistoj..
Ti më mbush shpirtin me freskinë e fjalës,
Dhe frymën e ashpër ma zbut, ma tret, ma largon,
Me sytë dhe frymën tënde të pashoqe,
Me buzët-kadife që aq shumë i ëndërroj.
Kur ikën ti, mua me shterojnë burimet e freskëta
Të mendimeve, e vargjet thahen si copa lëkure
Që nuk i ka parë dielli kurrë, as hëna jo,
Dhe jeta ime mbetet si një truall i ngrirë,
Në brendësi të shpellave karstike.
Mund të ishte edhe vullkan
me çmendurinë
E shpërthimeve të befta magmatike.
Të përmbytje shpatet e kujtimeve të mia,
Me gjuhë-flakësh të pakuptueshme.
Zjarr mund të ishe e përvëlim torturues,
Mund të zgjoje gjithë dëshirat enigmatike.
Dhe arratinë të merrja pas teje në shkretëtirën
e etjes.
Por jo..Ti je liqeni i shpirtit tim të trazuar
Dhe unë qëndroj e të sodis, të sodis brenda vetes.