NJË NJERI QË SHIKIMI I VINTE NGA SHPIRTI
Shënime në respekt të Xhelal Roçit…
Ai hyri në sallë i shoqëruar nga një zonjë. E mbante përkrahu ndërsa Ai, kavak i drejtë, kontrollonte rrugën duke trokitur me shkop mbi pllakat e mermerta të Pallatit të Kulturës. Kisha kohë që nuk e kisha takuar, shumë vite, rreth njëzet, që kur ika për të mbetur si në vajtimin… “Mbeçë more shokë, mbeçë…”, larg vendlindjes e njerëzve që i desha dhe i dua. Emrin nuk ia kisha harruar sepse pena e tij nuk më ka lënë as atëherë e as sot ta harroj, thjesht sepse ai është i pranishëm faqeve të shkruara të shtypit, atëherë dhe sot…
– Erdha, më tha i mallëngjyer. Më kish marrë malli. Nuk shoh por dëgjoj mirë…
Unë kisha mbledhur “Njerëzit që i dua” në gjashtë libra për t’ua paraqitur miqve të qytetit tim të jetës, Peshkopisë. Kisha emocione kur i takoja, kur flisja me ta, kur thashë pak fjalë i ngushur deri në lot…
Ai u ul në radhë të parë. Mbështetur mbi shkop, gjymtyrën e re të jetës së tij. Sytë ia fshihnin një palë syze të errëta.
E fiksova kur “shihte” tepër i përqendruar dokumentarin “Vera-mësuese në dy ishuj të Egjeut”. Ka ulur kokën ndërsa të gjithë të tjerët e kanë përqendruar shikimin në pamjet e bukura që shfletoheshin në film. Është i përqendruar tek fjalët që vinin larg, shumë larg, dallgëve të detit, dallgë midis dy ishujve një orë e gjysmë larg, ishujve të Tinosit dhe Sirosit. Mes fjalëve, tingujve të muzikës e këngëve që përcilleshin Ai shikonte.
Po, po.
Shikonte me shpirt…
Kur përfunduan fjalët e të pranishmëve për librat dhe filmin Ai u ngrit dhe me një zë emocionues më kërkoi të bënim një fotografi së bashku.
Një çast i bukur, një kujtim që ngjitet përtej së bukurës së zakonshme.
Kjo ndodhi më 31 tetor 2015.
Xhelal Roçin e kam me vete njëmijë kilometra larg vendlindjes. E kam me zë, me figurë, me dashurinë e tij.
Xhelal Roçi është një njeri i veçantë në radhët e “NJERËZVE QË I DUA”…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 10 tetor 2015