Gratë e familjes time
janë të bukurat
e fisit
të bukurat
e legjendës time
janë ato që nga stër’gjyshja
mamka
motrat
e bijat
( e sotme)
janë ato të lashtat
shtojzavallet
në lëndinat e blerta,
qëkur laheshin lugjeve
blu në butësinë e myshqeve,
në aromën e jaseminëve
fshehur hiret nën petkun e lirit
endur avlëmëndeve…
indiferentet,
të paprekshmet
nga mëkat’ i biblës,
zanafillë e bardhë e gruas
mbi atë të mëkatares
prej zotash krijuar
përligjur;
(hedhur mbi ato)
fajin e prishjes
së botës,
kur dashuri bërë
përherë të parë
me burrat!
janë të fismet
e sojit të grave,
të bukurat e mia
shtegut të zanave,
Liqenit të dritës
krijuar atdheun e shtëpisë
me ninullën e dashurisë,
e një plumb mbajtur
gjerdan gushës,
për hasmin e natës
së dhunimit
në shaminë e pajës
mbështjellë lëndinën e lotëve,
me sytë e trembur të burrave
ikur rrugëve të huaja të fatit !
të moçmet e mia të bukurat
lindën e rritën burrat
e ashpër(…)
të panënshtruarat
egërsisë së gjinisë,
nxjerrë në pah butësinë
tretur dhe krenarinë e epërme,
të burrit e gruas në thjeshtësinë
qëndisën shkronjat e gjuhës
mbi mëngoret e fustës,
fshehur syrit t’errësirës…
shekujt e tyre i shkuan fillit
të vetëflijimit
që të sotmet të jenë;
të çmuarat
të bukurat
e dijes,
amazonat
e vetvetes,
pa i humbur brishtësinë lules
dorëzonjat e Oborrit !
ju dua
Gra të miat,
më të bukurat
e moçmet
e të sotmet e fisit,
gratë e familjes time,
baladad e mia të pakënduara!
“””””””””””””””””
kur kundërshton burrat
më tregojnë vëndin
e më’poshtëm
kur kundërshton gratë
më vënë në dukje,
që nuk jam as e bukur,as e urtë
më varin,në metro poetet dhe vetëm
kur i afrohesh territorit të gradës”
se gratë kur duan të çmohen,
t’a hajë dreqi u bëkan
me kanun më keq se burrat!
dhe për këto zallahi t’vjeshtës time
nuk do marr dot më
as statusin civil as pashaportën
e fjalës,
përherë emigrante do mbetem
në republikën e poeteve,
pamvarësisht emrit të përveçëm
që më vunë prindërit pa më pyetur!
© herman
“””””””””””””””””
rrënjët e mia rriten
përfund në një liqen
të mbushur
buzëmëbuzë-vajtimesh
jo vetëm këndimesh
ninullash prej të urtash,
e korit të nuseve të ndritura
(prej akullit,origjinë e liqenit)
pa më lidhur jetën vetëm me tokën
time kokëngjeshur,
pas një mali të rreshkur
që kur është krijuar bota
si fytyrë e burrit me krrabë
poshtë një arre
që gdhend me biçak një fytyrë
të ngjashme me fytyrën e atit
e pastaj mbulon veten me ashklat
poshtë pemës…
përpiqem ndonjëherë të (sh)këputem
e lodhur
nga rrënjët e mia t’ju ndihem
e huaj se jam grua e çuditshme
dhe prej vetes
ato janë zgjatur nëntokës
der këtu në lumin lombard!
më rrahin si fëmijën
plangprishës sa herë
e mendoj ikur nga dhimbja
e djegja e lotëve
“të një liqeni me shije të kripur”!