11.5 C
Tiranë
E shtunë, 4 Prill 2026

Nikollë Loka

GJIN DODA(21.06.1942=2.08.2011) humanist i shquar.L'immagine può contenere: 1 persona

Gjini lindi në fshatin Zall-Xhuxhë të Mirditës, në një familje të njohur atdhetare dhe arsimdashëse. Të tre xhaxhallarët e tij ishin të arsimuar, dy prej të cilëve ndër mësuesit e parë të zonës së Fanit. Xhaxhai tjetër, pasi mbaroi shkollën ushtarake, shërbeu si oficer dhe pas çlirimit si specialist në Kadastër.

Gjini e mbaroi arsimin shtatëvjeçar në vendlindje(1956); shkollën dyvjeçare mjeksore në Shkodër(1958); e plotësoi në trevjeçare të mjekësisë në Tiranë(1965-1966); dhe pastaj në katërvjeçare mjekësore në Kukës(1973-1974). Për shkaqe biografike nuk iu dha e drejta e studimit për shkollë të lartë, por vite më vonë, për shkak të nevojave për mësues, fitoi të drejtë studimi me korrespondencë në degën Biologji-Kimi të Filialit Kukës të Institutit të Lartë Pedagogjik Shkodër, i cili mbyllet dhe Gjini nuk mundi t’i vazhdonte studimet në Shkodër, por ai nuk u dekurajua dhe arriti të kryente Kursin e Kuadrove Mjekësore (Dega Laborant Rëntgeni) në Tiranë(1977).

Gjin Doda e filloi punën infermier në ambulancat: Vaspas(1958-1959); Arrën(1959-1962); kryeinfermier në spitalin Kukës(1962-1964), prej nga shkoi në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ku shërbeu si infermier batalioni në Repartin 4930 në Tiranë(1964-1966).

Pas kthimit nga ushtria punoi ndihmësmjek në Fanë(1966-1992); ndihmësinspektor Sanitar i zonës së Fanit(1966-1978); specialist Rëntgeni(1979-1992).

Pas 26 vjetësh në shërbim të shëndetit të banorëve të zonës, Gjin Doda përzgjidhet për t’i përfaqësuar në pushtetin lokal dhe në zgjedhjet e para pluraliste, më 26 korrik të vitit 1992, fiton mandatin e Kryetarit të parë të Komunës Fanë(1992-1996), duke u bërë drejtuesi që krijoi institucionin e Kryetarit të Komunës në Fanë. Ai ia doli të përballonte problemet e vështira të fillimit të tranzicionit. Pas përfundimit të mandatit, nuk kandidoi për një mandat të dytë dhe me largimin nga detyra, u vendos me banim në Tiranë, por i mbajti të pashkëputura lidhjet me zonën e tij.

Gjini qëndroi në asistencë dhe në vitin 1998 rifilloi punë si laborant radiolog në spitalin e Rrëshenit, prej nga largohet me dëshirën e tij. Qëndroi përsëri në asistencë, e më vonë në vitet 2000-2002 e mbylli karrierën në profesionin e tij, në Spitalin e Burgut në Tiranë.

Gjin Doda shërbeu në mbrojtje të shëndetit të njerëzve për 35 vjet rrjesht, ndër të cilat 26 vjet në zonën e Fanit. Pavarësisht se ishte ndihmësmjek dhe më vonë radiolog, ai kreu edhe detyrën e mjekut.

Kultura që kishte, pozita shoqërore dhe respekti që gëzonte në Fanë e jashtë tij, bënë që Gjini të angazhohet si misionar pajtimesh para dhe pas viteve ’90, në rastet kur zgjidhjet ishin kërkuar me ndërmjetësim.

Si qytetar aktiv në komunitet, ai ishte pjesëmarrës në të gjitha veprimtaritë kulturore dhe sportive në zonë.

Gjin Doda ishte vlerësuar edhe para viteve ’90 për punën e tij në sektorin e shëndetësisë, por i kishin dhënë dy herë vetëm fletë nderi nga institucioni i Drejtorisë së Spitalit të Kukësit. Kontributi i tij, mori vlerësimin e merituar kur Presidenti i Republikës zoti Bamir Topi, për kontributin e dhënë në sektorin e shëndetësisë, si drejtues pushteti dhe si misionar i pajtimit, i ka akorduar dekoratën e lartë, Urdhërin “Nënë Tereza”. ©Nikollë Loka

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.