NGA KËNDI IM
(Poezi shkruar gjatë luftës tremujore në Kosovë-1999)
Nga këndi im në sogjim
në lagjen time në shtetrrethim
të Prishtinës me dhembje ngarkuar
hëna shndrit hapësirën e përgjumur
errësirën trishtuese për ta shpërndarë
që mbijetimi të jetë i mbarë.
Asgjë nuk dëgjohet
në këtë natë të mundimshme
të mosfrymimit të njerëzve rrënjorë
me egërsi çmendurie shtëpish dëbuar
nga hiena serbe e tërbuar.
Ndonjëherë dëgjohet
fluturimi i ndonjë hutini
në rrahje budallaqe krahësh,
dhe ndonjë lehje e kuisje qeni të uritur
mbetur në vargonjtë torturues
se i zoti i shtëpisë
në vrapim familjen për ta shpëtuar
kishte harruar pa e lëshuar.
Në tronditje shpirtrash me forcën e mbetur
dëgjohen bubullimë topash t’armikut kriminel
në përpjekje për të më shkelë,
por kurrë s’do t’ia dalë,
se këtu jam themel
për shkrepje rrezesh të dritës,
në pranverën e shumëpritur.
Poezi nga libri ”Kohë flakadanësh të lirisë” (i përkthyer edhe në anglisht)-Naxhije Doçi
-Prishtinë-2012
TRISHTIMI I KOBIT TË RËNË
(Poezi shkruar gjatë luftës tremujore në Kosovë-1999)
Shkilnin me përmallim të kallur
mbi ndjersën e vetë e mbi grunajet deti.
pinjollët e fisit tim plakur ëndërrash
për tokë e qiell me diell.
Jashtë reales së vet iknin
nga trishtimi i kobit të rënë
mbi Drenicën purpur i ndezur
dhe n’Dukagjinin plagosur legjendash
me fundshekull të kohësisë së verdhë.
Në kalim çmalleshin
me aromën e barit të kositur,
sanën e terur e lanë pa mbledhur.
U shihej vetëm shpina në kalim
dhe grushti me dhe shtrënguar në parzmë.
Për shuarje të mallit e kishin
nga zemërplasjet krejt vrerë
Prapa trualli i lashtë
copëzuar në thermijëza dhembjesh.
Dyert të hapura mbetën
përplasur me rënkim
nga egërsitë e erërave stinore.
Flakadanët murosur themelesh
rrënqetheshin nga pikëllimi.
Kullat grishnin me jehun e shekujve
për komponim këngësh e përtëritje tempujsh,
qëndrimi në rrënjët mitike pergamen.
Poezi nga libri ”Kohë flakadanësh të lirisë” (i përkthyer edhe në anglisht)-Naxhije Doçi
-Prishtinë-2012