“Po tani, baba?”
Në pragun e lamtumirës së klasës së katërt, Maj si tani duhet të ketë qenë, erdhën disa të rritur, të cilët shpejt e shpejt u shndërruan në personazhe vizatimore. Vunë një çarçaf pa ngjyrë përpara nesh dhe përtej tij, flisnin për të na argëtuar ne. Të pata kërkuar pesëdhjetë lek, a e mban mend?
Gjatë shfaqjes nuk dëgjova shumë. Mendjen e mbaja vazhdimisht tek ti; mësuese Arta më mban gjithnjë pranë vetes si më të voglën e shokëve, në rreshtin e parë, por unë shpesh kujtoj fytyrën tënde të ngrysur kur të kërkonim parà. Vonë e kuptova që ti nuk i kishe ato. Atë ditë u njoha me Kokëkashtën. Të tregova në mbrëmje sapo u ktheve nga puna, a të kujtohet?
Unë i mbaj mend të gjitha. Sidomos kur më thoje të mësoja fort, të lexoja shumë e, një ditë bëhesha “dikush”.
Një ditë, më pate thënë se kur të bëhemi të pasur e unë të jem rritur edhe pak, do të shkonim ne në teatër, në atë të vërtetin, e të shikonim shfaqje edhe më të mëdha, për të rritur. Me siguri kjo nuk të kujtohet. Sepse ne njerëzit i harrojmë premtimet, baba. Sidomos kur e dimë se nuk mund t’i mbajmë, por i bëjmë ato nga dëshira e madhe, nga pasioni, nga ëndrrat.
Pa e kuptuar ti, unë u rrita. Shkova në teatër pa ty, sepse ne bëheshim bashkë vetëm darkave, në të vetmin vakt që uleshim dhe e hanim si njerëzit. Asnjëri nuk mund t’i harrojmë rastet kur na zinte gjumi mbi tavolinë nga lodhja.
Kur të tregoja me detaje për shfaqjet, më premtoje se herën tjetër do të më shoqëroje. Do të prisnim bashkë biletat e pastaj, t’a komentonim duke pirë një kafe në Pedonale. Helm, baba, kafja që s’e pimë kurrë bashkë pas ndonjë shfaqjeje teatri!
Më mësove se si të punoj ndershëm dhe tashmë të dy i kemi nga dy lek në xhep, por nuk më mësove dot kurrë se si të mos jem një njeri i dobët, që vuan për gjithçka. Rreshtat e mi janë vazhdimisht himn i mungesave, i pendesës, i mallit, nostalgjisë, dhimbjes e pamundësisë.
Ne tashmë të dy i kemi nga dy lek në xhep, baba, por më thuaj, kur do t’a shohim atë shfaqjen bashkë?
“Do t’a shohim tek i riu” do të më thuash kur të të pyes nesër “Po tani, baba?!”
Të njoh.
16 Maj 2020, Valencia.