KOKRRA ULLIRI ME SPEC DJEGËS…
Mesele e vjetër në troje të reja
Dy pijanecë të thekur, me nga një faqore në xhep, takohen çdo ditë tek pijetore “Te Gota”. Ia shtrojnë për shtatë palë qejfe sa hapet e deri sa mbyllet lokali.
Porosisin gjithnjë të njëjtën meze: pesë kokrra ullinj shoqëruar me dy speca djegëse dhe pesë fije qepe të grira si kunja dhëmbësh.
E venë bashkën e leshtë me thash e them mbi furkë dhe e tjerrin hollë-hollë sa e bëjnë tel violine. Të gjithë i marrin e i bëjnë lesh arapi…
Kush hyn në pijetore ua lëshonte nga një faqore duke i parë me nënqeshje kënaqësore sa trupi i tyre noton në alkool.
Të shtunën e fundit të nëntorit të fundit, si zakonisht ia kishin shtruar me të njëjtën pjatë: raki, pesë kokrra ullinj, dy speca djegës dhe qepë të prera hollë.
Rakinë e gjerbnin më shumë se sa e kthenin.
Ullinjtë i lëpinin më shumë se sa i hanin. Specat djegëse dhe fijet e holla të qepës nganjëherë i kalonin mes dhëmbëve duke ua shtrembëruar surratin e shpërthyer digën e liqenit të lotëve…
Atë ditë bënë një debat të fortë për shqipen, jo për shqipen e shkruar që ditë për ditë po kthehet në gjuhë folklorike si arvanitishtja, por për shqipen që fluturon e ka bërë vend në flamur. Debatin e nxitën faqoret e rakisë që e mbushën tavolinën sa s’kishte vend.
Hidh faqore e lëpi ullinj…
Ha e përvëlohu nga speci…
Me të lëpirë e me të kafshuar kokrrat e ullirit erdhi një çast që në pjatë u bënë bërthama. Mbeti vetëm një kokërr në shtresën e hollë të vajit.
I pari, ai që kishte folur më shumë dhe disa herë ishte ngritur në këmbë me deklarata “grope” i ishte qepur me pirun një kokrre ulliri dhe nuk e kapte dot. Piruni tëhu e kokrra tutje. Aq shumë po djersitej sa tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve të cilët iu mblodhën mbi kokë si në atë lojën me shkrepëse.
– E kapi ! – thërriste në kor njëra parë me tifozllëk brohoritës…
– Nuk e kapi ! – thërriste në ekstazë pala tjetër.
Dha e mori heroi ynë dhe më në fund ngriti duart që i lëkundeshin si lavjerrës lart. Nga dora e ngritur i rrëshqiti piruni…
Shoku u hodh si portier dhe e kapi pa rënë në tokë.
Mori pirunin dhe me solemnitet tha:
– Ja si kapet ulliri!
Dhe me një krenari “grope”, me një të goditur e gozhdoi kokrrën mbi pjatë.
Të pranishmit duartrokitën frenetikisht ndërsa kokrra e ullirit ishte ngritur lart e ngulur në dhëmbët e pirunit.
Shoku i tij protestoi…
– Me hile! E kape pasi e lodha unë. E kape me pirunin tim. Unë do të ankohem…
Pas kësaj debati përfshiu gjithë pijetoren “Te Gota”. Të pranishmit u ndanë, si ndahen shqiptarët në raste të tilla, në dy parti, të djathtë e të majtë dhe në njëqind shoqata, bishta të krahëve.
Njëra palë i kishte lënë krahun e vet dhe mbante mbi sup me krenari ullirin që rrëshqiste si ngjalë kurse pala tjetër kokrrën e ullirit mbi dhëmbët e pirunit.
Debati u tëholl aq shumë e aq gjatë sa përfundoi në gropën e politikës së madhe larg e larg, “Ti dënojmë apo ti falim të korruptuarit…”
Shënim: Mblodhi, si mblidhet pika – ballë kazani – në gotën e qejfliut..
Abdurahim Ashiku
UNË NUK JAM AS I DJATHTË, AS I MAJTË, JAM EMIGRANT
Pamflet
Në adresën time në facebook janë shtuar si asnjëherë tjetër ftesat për të dhënë votën apo për të përdorë penën time në mbështetje të kandidatëve për kuvendar në Kuvendin e Shqipërisë. M’i dërgojnë njerëz që unë i kam në kujtesën e para një çerek shekulli, më saktë në kujtesën e zgjedhjeve të 26 majit 1996, kohë që vendosi ndryshimin në rrënjë të jetës sime e të familjes sime, kohë kur u detyrova të ikë natën nga Dibra, vendlindja ime e dashur, për t’i shpëtuar linçimit vetjak e familjar, kohë kur u bëra EMIGRANT…
I mbaj mend mirë ata të dielën e 26 majit dhe në ditët që erdhën pas. Ikën nga Peshkopia dhe Dibra nga “sytë këmbët” sikur të kishin bërë ndonjë paudhësi apo krim kur ishin të pastër.
Unë nuk kisha se ku të shkoja ndaj qëndrova edhe dy muaj të tjerë. Qëndrova duke i mbushur faqet e gazetës ku punoja me paudhësitë, krimet dhe reprezaljet që partia në pushtet kishte bërë në Dibër.
Vazhdova derisa më dhanë ultimatumin “O mbyll gojën, ose të rrëmbyem fëmijët”.
Dhe e provuan, fatmirësisht pa rezultat…
Atëherë mora për dore djalin 14 vjeçar dhe ika…
Ika me mendjen dhe dëshirën që të kthehem…
U ktheva një ditë shtatori të vitit 1997…
Trokita në shumë dyer njerëzish tashmë në pushtet për të cilët kisha shkruar e kisha marshuar maleve të Dibrës. Isha djersitur, kisha derdhë edhe gjak nga gjaku i trupit tim, kisha konsumuar intelektin e jetës sime…
Nuk trokita si militant por si një njeri me dy diploma universitare dhe përvojë prej më se një gjysmë shekulli në punë e në profesionet e jetës sime…
Më shihnin si jashtëtokësor. Më buzëqeshnin dhe më përcillnin në zyra të tjera ndonjëherë edhe me ndonjë fletë grisur me nxitim bezdisës nga blloku ku shënohej “Shiheni…”
Nuk kishin sy apo më mirë me thënë tjetërkund i kishin mbërthyer ato, xhepave ku kishin nis të fusnin duart.
U ktheva nga kisha ardhur.
U vura në radhë zyrave greke për të marrë leje qëndrimi si gjithë njerëzit që halli i tyre, si halli im, i kishte hedhë në një marrshim sfilitës maleve për një jetë tjetër.
Që nga viti 1998 kur u vendos legalizimi i ikanakëve jam EMIGRANT, status që e kam dhe e mbaj.
E ruaj këtë status, e rinovoj sa herë më mbaron afati.
Jam i qetë…
Nuk dua të ma prishë njeri këtë qetësi…
Nuk dua…
Por nuk më lënë, ma prishin me thirrjet fushatore të zgjedhjeve…
Kërkojnë votën time…
Pse ma kërkoni kur atë e keni pas dhe e keni përdorur tash një çerek shekulli zgjedhje pas zgjedhjesh, pushteti lokal dhe qendror ? E keni pas dhe e keni përdorur duke firmosur në emër tim e të familjes sime. Mos thoni jo se po të kishte Zot ju kishte bërë sakatë.
Tash ma lypni votën. Merreni siç e keni marrë. Adresën familjare e keni. Mund t’ju japë edhe kodin, edhe qendrën e votimit…
Do t’jua jepja me dëshirë sikur ju, tash 25 vjet, të kishit menduar një minutë të vetme për “votën e emigrantit”, për të drejtën kushtetuese të çdo shqiptari në mërgim të votonte në vendin ku punon, jeton, e banon, nga çdo skaj i botës.
Të bënit sa Kosova, shteti më i ri në botë, që i regjistroi mërgimtarët kudo që janë dhe u kërkon të marrin pjesë atje ku jetojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit 2017 (!)
Në shkurt të vitit të kaluar Kuvendi miratoi një ligj për regjistrimin e emigrantëve. Në gusht të atij viti duhet të fillonte zbatimi i tij, regjistrimi i emigrantëve në të gjithë vendet ku punojnë dhe jetojnë.
Ligji (si shumica e ligjeve) mbeti në letër, mbase i hedhur në “shportën e hedhurinave” poshtë tavolinës së kryetarit të Kuvendit.
Tre muaj në “çadër” e djathta dhe tre muaj jashtë “çadre” e majta folën për çdo gjë; për “qeveri teknike”, “votim elektronik”, “lexim elektronik”, “hashash”, “tallash”…
Asnjëherë nuk u fol për “votën e emigrantëve”, asnjëherë.
Tash më kërkoni votën (!) Ma keni gjetur adresën, megjithëse nuk është fare e vështirë. Mjafton të shkruani emrin tim në google apo facebook dhe me siguri do të keni edhe numrin e telefonit, edhe adresën elektronike, edhe librat e shkrimet e mia, edhe…
Nuk jam fshehur sepse jam ndjerë i qetë në jetën time. Nuk e kam ndërruar as emrin e mbiemrin, ndonëse për vendin ku jetoj është jashtë kohe, anakronik. Dhe vendi ku jetoj, padrejtësisht është përfolur se i detyron shqiptarët të ndërrojnë emër e mbiemër, fe e kombësi (!)
Kam që nga marsi i vitit 1988 (sapo isha legal) që pena ime është përqendruar në një temë që ka të bëjë me identitetin tonë, me atë që një taksixhi arvanitas, tek udhëtonim rrugëve të Athinës, më tha me gjuhën e tij ruajtur ndër shekuj:
“Fëmijët tuaj nuk e mësojnë gluhën e mëmës, nuk kanë dësirë të kthenen në Skipëri, do të benën grekër si na…”.
Iu përkushtova propagandimit të një grupi njerëzish çudi, burra e gra që sakrifikonin veten dhe familjen për tu mësuar fëmijëve gjuhën e bukur shqipe, që u mësonin atyre si të lexojnë, shkruajnë e këndojnë shqip.
Dritëro Agolli në një bisedë të ngushtë në shtëpinë e tij më tha:
” Këtë anë rilindëse të emigrantëve të hershëm e kanë shfrytëzuar apo përvetësuar emigrantët e sotshëm duke vazhduar kohën e Rilindësve që të punojnë për mëmëdhenë…”
Me këtë emër i çimentova në tre libra të mi mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi: librat “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës – Rilindësit e kohës sonë-2” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut- Mësuesit këta rilindës çudi”. Në 1100 faqe, me 450 fotografi e dokumente do të gjeni të portretizuar 67 mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi dhe vendet e tjerë të Evropës.
Tash po merrem me një mësues të veçantë, me mësuesin e parë të shkollës shqipe në Greqi Dashmir Zaçe i cili për herë të parë (mbase në histori e për këtë duhet hulumtuar sepse kjo ndodhi në një vend ku gjuha shqipe ishte në prush) më 7 mars 2001, në Selanik të Greqisë u foli fëmijëve dhe prindërve të tyre të pranishëm në gjuhën e bukur shqipe për të vazhduar për 14 vjet pa ndërprerje.
Dashmiri iku në shtatorin e vitit të kaluar duke lënë pas një brez të tërë fëmijësh të emigrantëve që mësuan prej tij si të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e prindërve dhe gjyshërve të tyre, në gjuhën shqipe, ashtu si një jetë të tërë u kishte mësuar letërsinë djemve e vajzave të vendlindjes së tij, Përmetit.
E meritonte Dashmir Zaçe sa qe gjallë një dekoratë të lartë nga presidentët e Shqipërisë në këto 16 vite qëndrim në karrigen e lartë të shtetit. E meriton edhe sot në ikjen e tij pa kthim.
E meritonte edhe mësuesja e Shkollës shqiptare të Athinës Loreta Ibrahimi që aksidenti i rëndë ia preu rrugën për tek fëmijët në klasë që e prisnin me dashuri e nderim.
Dhe jo vetëm Dashmiri dhe Loreta por të gjithë mësuesit që tash 16 vjet u mësojnë anë e mbanë Greqisë fëmijëve të lexojnë, shkruajnë e këndojnë shqip.
Njëzet e një mësues vullnetarë kanë dhënë (apo japin) mësim në Selanik nën kujdesin e shoqatës “Nënë Tereza”. Dhjetëra të tjerë me përkushtimin më të lartë atdhetar bëjnë të njëjtën gjë në Athinë, Korint, Patra, Tinos e vise të tjera të Greqisë.
Për ta, deri sot, nuk është dhënë qoftë edhe një fletë nderi e vetme nga institucionet zyrtare shtetërore. ASNJË.
Në klasat e tyre, deri sot, nuk ka shkelë këmba e asnjë ministri apo deputeti të Shqipërisë, as të djathtë e as të majtë, ASNJË.
Është premtuar nga seriali kryeministror i këtyre 19 vjetëve të shqiptarëve legalë në Greqi (1998-2017) njohja e patentave.
Vetëm fjalë që kanë fluturuar në erë.
Është premtuar njohja e kontributeve të mërgimtarëve shqiptarë në Greqi për efekt pensioni.
Vetëm fjalë dhe asnjë hap përpara.
Është premtuar qendër kulturore për mërgimtarët në Athinë…
Premtime në hava…
Mund të vazhdoj gjatë, pambarim gjatë me fjalë e premtime të dhëna, me zë e me figurë, aq shumë sa “trasta” e mërgimtarëve është mbushur aq shumë me gurë sa nuk mban më.
Për të mos ua ngrënë hakun një vlerë tonën e kanë nxjerrë në pah, e kanë përsëritur herë pas here, REMITANCAT, dërgesat e emigrantëve për familjet e tyre, investimet e tyre në ndërtime banesash vetjake e familjare. Ato, me gjithë krizën dhe problemet e punësimit përsëri e mbajnë në këmbë vendin.
Unë tash nuk jam as i djathtë, as i majtë, JAM EMIGRANT.
Ne tash nuk jemi as të majtë e as të djathtë, JEMI EMIGRANTË.
Jemi më të përkushtuarit në atdhetari dhe më të harruarit në të drejtën tonë që të jemi shqiptarë me të drejtat e plota që na jep kushtetuta.
E mira do të jetë të mos vini këtë “muaj ramazani” në Greqi, të mos na mblidhni duke shpenzuar miliona nga paratë tona si taksapagues, mos na dërgoni autobusë për të votuar…
Na lini të qetë në vetminë që na latë…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 22 maj 2017
ERRËSIRA QË MBULON MËRGATËN SHQIPTARE
Nuk ka asnjë të dhënë që të paktën t’i afrohet numrit të shqiptarëve në mërgim, madje as edhe të ndonjë përpjekje për këtë. Para disa muajsh Kosova, shteti më i ri në botë, shpalli se do të bënte regjistrimin e të gjithë mërgimtarëve të saj në botë. Shqipëria as e ka shpallur dhe nuk ka asnjë zë mediatik se do ta shpallë.
Sido që të jetë, një e treta e shqiptarëve është jashtë kufijve të Shqipërisë, çka në detyrim kushtetues shteti shqiptar duhet tu qëndrojë pranë, tu japë zë e të dëgjoj zë.
Disa ditë më parë u ndodha në Selanik midis mërgimtarësh që festonin 10 vjetorin e një prej shoqatave shqiptare më në zë në Greqi, Shoqatës “Nëna Terezë”, midis mësuesish emigrantë që prej trembëdhjetë vjetësh në kushte gjysmë ilegale, me abetare të fotokopjuara, pa ndihmën e shtetit, pa pagesë e pa asnjë njohje zyrtare, u kanë mësuar mbi njëmijë fëmijëve të shkruajnë e lexojnë shqip.
Më befasuan fjalët tepër të ngrohta të pedagogëve të Universitetit Aristoteli të Selanikut në nderim të mësuesve dhe shqiptarëve mërgimtarë që, siç tha një pedagog që jepte mësim në disa universitete të Evropës, shpejt do të bëjnë vend në katedra universitare si lektorë të fushave të ndryshme. Dy prej tyre, Dhori Qiriazi dhe Stavri Daja ka kohë që kanë bërë vend me dinjitet e respekt.
Prisja që në atë demonstrim vlerash të mërgatës shqiptare në Selanik të shihja kamera televizive e gazetarë me emër në medien shqiptare, ardhur posaçërisht për këtë rast. Nuk pashë asnjë.
I vetmi zë që jemi mësuar ta dëgjojmë në lajmet televizive të njerit prej kanaleve kombëtar privat erdhi në fund, kur anëtarët e shoqatës kishin mbushur tavolinat me prodhimet ushqimore të kuzhinës së mërgimtarëve, kuzhinë me gjeografi tërë hapësirën shqiptare, nga jugu në veri.
Kronikë për festën, kështu po e quaj sepse me të vërtetë festë ishte, nuk do të kishte as në ekranet e vegjël televizivë, as në radio dhe as faqeve të shtypit shqiptar, rekord në tituj llogaritur për frymë të popullsisë.
Mërgata shqiptare kur vjen rasti për të pasqyruar vlerat e saj është në errësirë, është pa zë e pa veshë, është ”prapa listës” së shtetit e të segmenteve privatë të medies shqipshkruese.
Mërgata shqiptare është në “krye të listës”, kryelajm në ekranet e vegjël dhe në faqe të para fletoresh mediatike vetëm kur ndodh ndonjë krim, kur dëgjohen krisma e theren foshnja, kur shpërthehen banka e porta burgjesh. Atëherë, si të përcillet një sihariq i madh fryhen ekranet dhe smadhohen germat në kryeartikuj fletoresh mediatike.
Mërgata shqiptare është kryefjalë e partive politike kur kriza ekonomike thellohet në rrënjët e ekonomisë së vendit. Kryefjala e bisedës justifikuese dallgëzon rreth remintancave, postimi të parave të mërgimtarëve drejt familjeve e bankave shqiptare, postime që rëndom thuhet se kanë rënë nga një miliardë euro në vit në treqind milionë.
E pyeta gazetarin e vonuar se në se është i gatshëm për një bashkëpunim për të bërë një dokumentar televiziv për 21 mësuesit mërgimtarë të Selanikut që Dritëro Agolli i madh i fjalës së bukur shqipe i ka quajtur RILINDËS TË RINJ TË KOHËS SONË. Më tha se nuk ma merr mendja se televizioni ku bashkëpunoj do ta pranojë (!?)
Kur e shtrova këtë mes disa mërgimtarësh, njeri prej tyre hodhi vështrimin larg, mbi një dekadë më parë kur televizioni shqiptar bëri një telereportazh për shqiptarët e Selanikut, telereportazh që nuk përcolli thjesht jehonë por përcolli forcën e një komuniteti që kishte hyrë me dinjitet në një shoqëri me vlerat e veta të spikatura.
Në teatrin antik të Akropolit të Athinës vite më parë, ulur në një nga radhët e gurta tre mijëvjeçare, kam ndjekur një koncert të orkestrës së Selanikut ku “violinë” e parë ishin shqiptarët me të cilët në përfundim të shfaqjes fiksova në diktofon biseda mbresëlënëse për rrugën e tyre të suksesshme.
Në orkestrën simfonike të Athinës thuhet se 60 për qind e pjesëtarëve janë shqiptarë.
Balerinët shqiptarë po shndërrohen në yje eklipsues, njeri prej të cilëve arriti në finale të spektaklit televiziv “dancing with the stars”.
Shtatë seminare janë zhvilluar nga mësuesit vullnetarë shqiptarë për të stimuluar mësimin e gjuhës shqipe në Greqi, për tu bërë thirrje prindërve që t’i sjellin fëmijët të mësojnë të shkruajnë e lexojnë gjuhën e nënës Shqipëri. Në asnjërin nuk ka marrë pjesë as edhe një i deleguar i thjeshtë i Ministrisë së Arsimit, për të mos thënë Ministër pas të cilit do të vinte aradha e gazetarëve dhe kameramanëve.
Në këto afër tetëmbëdhjetë vjet në mërgim kam dëgjuar e fiksuar në diktofon fjalime presidentësh, kryeministrash, ministrash…për vëmendje ndaj emigrantëve, për qendra kulturore, shkolla e premtime gjithnjë në kohë zgjedhjesh, gjithnjë në kërkim të votës së tyre stimuluar me udhëtime falas. Herën e fundit dëgjova edhe premtimin solemn për hapjen e një kanali të dytë në televizionin publik shqiptar vetëm për mërgimtarët, kanal që do të përcillte në rrugë satelitore vlerat e një të tretës së popullsisë shqiptare në mërgim.
Nuk është hapur. Dhe me sa duket nuk do të hapet kurrë.
Mërgata shqiptare është dhe do të mbetet në ditë të errëta.
Mbase gaboj.
Uroj që të gaboj…
ABDURAHIM ASHIKU
Athinë, 21 maj 2014
FAJIN E KA MATO GRUDA
Fejton
E keni lexuar “Njeriun me top” të Dritëro Agollit?
Po filmin me të njëjtin titull të Kinostudios “Shqipëria e re”?
Po dialogun e Mato Grudës me ushtarin italian që kishte humbur Luftën e Dytë Botërore dhe i kishte ra ndore një bujku kokëshkëmb?
Kush nuk e ka lexuar, ta lexojë…
Kush nuk e ka parë, ta shikojë…
Është aktuale, e ditës, madje edhe e orës, minutit e sekondës…
Kryetarë partish veshur spic e të kollarisur me ngjyrat e flamurit të tyre, kuvendarë e kuvendare, zëdhënëse perri të bukura me mini e makse, lyer e ngjyer, janë vënë në radhë në të 24 orët e shërbimit të televizioneve për të thënë se ky dhe ai, kanë ndërruar emrin, jo një herë por 3-4-5-6…herë. Kanë ndërruar datëlindjet, vendlindjet, vendbanimet…
Me blloqe, dosje, zarfe, fletë të hekurosura nga fotokopjues e fotoshopë, triumfues në zë e figurë, hyjnë e dalin nga ekranet e vegjël të televizioneve kombëtare e lokale si mizat në kuzhinë.
– Si të quajnë? – e pyeti Mato Gruda ushtarin italian me zërin bubullimë e çehren furtunë .
– Augusto- u përgjigj ushtari italian, i truar nga frika e nga zëri i fortë i Matos.
– Unë do të thërras Agush? More vesh? Kapito?
– Si sinjor!
Agush e thirri Mato Gruda ushtarin italian derisa, ortak me të, qëlloi me top Plakun Mere në anën tjetër të katundit dhe derisa vdiq mbi grykën e topit.
Heroike dhe tragjike…
Historia e Augustios që u detyrua të bëhet Agush është e lashtë, shumë e lashtë. Nuk mbahet mend as nga gjyshërit tanë e as nga gjyshërit e gjyshërve të gjyshërve…
Kush ka ardhur apo ka ikë nga ky truall, me qejf apo pa qejf, e ka ndërruar emrin. Jo vetëm emrin por edhe mbiemrin. Edhe besimin në Zot, edhe kombësinë.
Erdhën romakët. U bëmë katolikë…
Na futi nën sqetull Bizanti. U bëmë ortodoksë…
Erdhën turqit osmanlinj. U bëmë myslimanë…
Ndërruam fe.
Ndërruam emra.
Na quajtën latin, grek, turk…
Erdhën sovjetosllavët…
U mbush vendi me Tatjana, Svetllana, Timoshenko, Molotov, Stalin, Lenin…
Erdhën Kinezët…
Shpërthyen emrat Maocedun, Çuenlai…
Diktatura, një kohë prej dy dekadash u vuri “pranga” emrave të vjetër. Bëri një listë që ua shpërndau gjendjeve civile në rrethe e në zona. Urdhri ishte “Emra shqiptarë të lashtë dhe emra nga bukuritë e vendit…”
Shpërthyen emrat ilirë…Altin, Genc, Neritan, Adamat, Alzan, Amant, Genta, Nevila, Brikena…
Kosovarët e mbushën Kosovën me emra gjeografikë, visesh Shqipërie, Dibran, Shkodran, Myzeqar, Saranda, Berat, Korçare, Labe, Përmeti, Vlora, Kruja… Gjithë krahinat e Shqipërisë u ngrinë një e mbase në disa jetë fëmijësh në Kosovë e Maqedoni.
Erdhi demokracia…
Liri-demokraci! E gjithë bota u fut në regjistrat e gjendjes civile, me kuptim e pa kuptim, deri në emra të llojit Alkapone…E dini këngën? Ndiqni spektaklet televizive dhe jo vetëm do ta dëgjoni por edhe do të mësoni përmendësh tërë historitë kriminale që e shoqërojnë…
Vërshoi emigrimi…
Nga diku tek më se një gjysmë milioni shqiptarë që vërshuan në Greqi në vitet nëntëdhjetë, në mos të gjithë, shumica kanë emër ortodoks grek, emra shenjtorësh. I kanë ndërruar siç ia ndërroi emrin ushtarit italian Mato Gruda.
– Emri jot?
– Shpëtim?
– Dhjeje*. Unë do të thërras Jorgo…
I kanë ndërruar edhe vetë. Janë mësuar me emrin e ri aq shumë sa po ti thërresësh në emrin e vërtetë nuk kthejnë kokën, ose të shohin me habi si jashtëtokësor.
Sikletin më të madh shqiptarët e kanë përjetuar kur emrin, mbiemrin, vendlindjen, vendbanimin, identitetin ua ka ndërruar shteti shqiptar.
Kur e ndërrojnë vetë me dëshirë apo në xhep mbajnë të vetin e në thirrje të ditës mbajnë atë të grekut apo latinit, nuk i bëjnë dëm kujt, nuk i fut askush as në sy e as në vesh.
Por kur shteti me kalem ta ndërron e të persekuton si t’ia bësh e nga t’ia mbash?
Toponimet e shkruara gabim (me dashje), analfabetizmi në të shkruarit e shqipes me dy germa mangët, kopjimi i emrit nga regjistri bazë i gjendjes civile duke ndryshuar germa… u bënë barra e madhe e prindërve dhe fëmijëve shqiptarë që kishin lindur në Greqi. Shteti shqiptar i mbushi zyrat e gjendjeve civile me nëpunës analfabetë partiakë, nëpunës që ndërroheshin sa herë ndërroheshin kuajt në karrocë. Kalit i falet sepse vetëm hingëllin dhe shfryn kur i rëndohet pesha mbi samar. Por nëpunësve që nuk dinë të 36 (tridhjetë e gjashtë) germat e gjuhës shqipe miratuar më se një shekull më parë nga Kongresi i Manastirit, nuk u falet. Shteti shqiptar mori pjesë në krim (dhe nuk mbajti asnjë përgjegjësi, madje as thjesht nuk tha: ”MË FAL” ) duke i detyruar foshnje e fëmijë të qëndrojnë me orë të tëra në akull e dëborë në pikat e kalimit kufitar me Greqinë. Dhe kjo vetëm e vetëm se firma e prodhimit të pasaportave dhe nëpunësit e firmës dhe të shtetit nuk e njihnin alfabetin e shqipes dhe nuk e kishin idenë se çfarë janë toponimet.
Sa shqiptarë emigrantë, për një germë, për një Ë apo Ç janë detyruar të paguajnë nën dorë nëpunësit e gjendjes civile për të ndryshuar një germe të emrit apo mbiemrit të tyre?
Një emigranti iu mohua nënshtetësia e një vendi të Bashkimit Evropian vetëm e vetëm pse në certifikatë ishte shkruar Kukës kurse në pasaportën zyrtare biometrike të lëshuara nga organet e shtetit shqiptar, ishte shkruar Kukes. Shyqyr që personi ishte i njohur në publikun vendas sepse do ti lidhnin duar e do ta çonin në gjyq për falsifikim të identitetit.
Po të fillojmë të sjellim shembuj të gjallë nuk mbarojnë…
Këto janë të njohura, të jetuara, shkak i dhunës fizike e psikologjike të shqiptarit që ka qenë i detyruar të hyjë e të ndjekë “hullirin e parmendës historike të jetesës e mbijetesës së tij në shekuj.
Edhe ajo që tash sa ditë ka shpërthyer si vullkan e po lakohet e zgjedhohet në të gjitha format e gjuhës shqipe: ndërrimi i emrave, mbiemrave, datëlindjeve, vendlindjeve… është i njohur. Nuk ka se si mos ta njohësh komshiun me të cilin ke jetuar në një kat, ke komunikuar me të nëpërmjet dyerve me kompensate, ke pas dy divane me rripa kamerdaresh e një takëm gjyspërgjys pjatash, lugësh, pirunësh, gotash… e ke trokitur për ti marrë hua në rast se të vinte ndonjë mik apo kishe ndonjë ditëlindje…
Komshiu jot iku emigrant dhe u kthye pas dy apo tre vjetësh për të ndërtuar vila, resorte, ndërmarrje të mëdha.
Edhe ti ece, nuk mbete në vend. Shkove vetë apo shkoi djali në mërgim dhe zgjerove shtëpinë, e pajise dhe jeton me kujdesin që ti numërosh mirë lekët që pensioni të të dalë në fund të muajit.
Ai, komshiu jot që tash as emrin nuk ta mban mend ka dalë që na paska dy-tre-katër…emra. Na paska edhe ndonjë “dënim” të lehtë për drogë apo prostitucion, qenka ngjitur edhe në pushtet dhe paska diplomë të shkollës së lartë kur edhe tetëvjeçaren nuk e ka mbaruar. Qenka bërë edhe deputet, ministër, kryetar bashkie, këshilltar e ku ta di unë.
Peshkaqenët e mëdhenj të politikës shqiptare për çdo rast mbajnë në sallon një akuarium me peshq të vegjël, plot ngjyra. Nuk i hanë vetë, ua japin për të ngrënë të tjerëve, për tu fshehur pas “pareve” të peshkut…
Një shfaqje e radhës, shfaqje e dhënë gjatë një çerek shekulli…
E parë për ditë, orë, minutë…
Zhurmë dhe vetëm zhurmë.
Dhe në fund?
ASGJË, furtunë në gotë…
Fajin e ka Mato Gruda…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 23 maj 2016
* Dialogu është i zhvilluar me një arvanitas.