20.5 C
Tiranë
E shtunë, 4 Prill 2026

Abdurahim Ashiku

DENTIST PËR EQUUS ASINUS…

Pamflet

Më pëlqejnë dokumentarët me udhëtime nëpër botë. Më japin dije, kulturë, më qetësojnë, veçanërisht në këtë kohë pa kokë e këmbë, kohë mbylljeje, kohë karantine, kohë koronavirusi vdekjeprurës.
Një udhëtim figurativ nëpër Portugali më bëri të qesh por edhe të mendohem se sa e  madhe është bota.
Kamera e gazetarit më përcolli me zë e figurë në një udhëtim maleve e luginave të bukura të atij vendi për tu ndalur në një arë, në një parmendë druri që çan tokën mes pluhurit pa një pikë shi për muaj të tërë, në një zgjedhë në të cilën ishin vënë në kularë dy gomarë.
Nuk kisha parë kurrë gomarë kaq të mëdhenj, kaq të fuqishëm e kaq të urtë.
U grahte një grua, e fortë si shkëmb, e gojës dhe e shakasë.
Përpara printe një burrë, kallauz për tu treguar gomarëve brazdën edhe pse ata, siç thonë, dinë ta gjejnë rrugën edhe midis dunave të rërës në shkretëtirë në udhëheqje të karvanëve të deveve.
Një pamje që më befasoi që tek parmenda me plorin metalik që e kisha jetuar në fëmijëri e deri tek vënia e saj pas pune varur në zgjedhë.
Por ajo që më befasoi dhe më bëri ti shkruaj këto radhë është ardhja në fushë e një mjeku veteriner me arsim të plotë universitar i specializuar për mjekimin e dhëmbëve të gomarëve ?!
U çudit gazetari i reportazhit.
Dentist për gomarët? – pyeti.
U çudita edhe unë duke e mbajt pak veten me zor nisur nga ato dije universitare zooteknike që kisha. Profesor Vasfi Samimi që asokohe na jepte mbarështimin e njëthundrakëve dhe na fliste plot dashuri e pasion për paraardhësin gjenetik të kuajve, kalin e Përzhevalskit (Equus cobalus) kalin arab e kuajt hungarezë të transportit, nuk na kishte folur asnjëherë për paraardhësin e gomarit (Equus asinus) as për racën (Equus asinus Somalis) gomari i Somalisë, cilësuar si gomari me trup më të madh në sojin e vet.
Ç’është e vërteta na kishte folur gjerë e gjatë për dhëmbët e kuajve por vetëm për njohjen e moshës nëpërmjet gjendjes së tyre.
Nejse, sa do të rrosh, do të mësosh, ka thënë i moçmi, mbase që në kohën e Adamit dhe Evës apo Ademit dhe Havasë.
Erdhi koha për të ikur…
Dentisti deshi hapësirë për punën e tij..
E lanë ngastrën tërë pluhur vija – vija nga brazdat që kishte hapur parmenda, pastruan plorin që reflektonte dritën e diellin nga lustra e përdorimit të gjatë e vendosën atë mbi zgjedhë që ta transportonte çifti i gomarëve dhe…
Gruaja e bëshme si të ishte sorkadhe mali, pa ndihmën e askujt u hodh mbi kurrizin e gomarit…
Nuk mund të rrinte vetëm ndaj ftoi gazetarin të hipte mbi gomarin tjetër…
Një pamje që po ta keni parë nuk do ta harroni kurrë…
Madje do të shkruani si po shkruaj unë…
Makina e vogël me dentistin printe përpara ndjekur nga çifti i gomarëve me gruan dhe gazetarin mbi kurriz dhe burrin që u printe përpara…
Skena u shpërngul në stallën e gomarëve.
Dentisti, nëpërmjet një pajisje të ndërtuar apostafat për hapjen në maksimum të gojës së gomarit, i ftoi njerëzit të shihnin, madje të preknin dhëmbët në tërë hapësirën e gojës. Gomari ishte i ri në moshë dhe dhëmbët tregonin se barrë të mëdha ushqimi do të përcilleshin në stomak pa ndonjë problem shëndetësor…
Një leksion praktik për dhëmbët dhe dhëmballët e gomarit, kujdesin për to dhe ndërhyrjet dentare…
Më pas filluan pyetjet për profesionin e tij, profesion që në Portugali e zotëronin pak njerëz dhe se ai ishte i vetëm në tërë krahinën…
Kur mbaroi dokumentari mendja më shkoi tek gomarët e vendit tim, tek kjo kafshë e urtë që tash e gjen kudo në tërheqje parmende e plugu, qerreje e karroce, që mban mbi kosha pleh organik, fruta e perime të freskëta, madje “dyqan ambulant” plazheve me të gjitha llojet e mallrave…
Kur e krahasova me gomarin portugez më erdhi keq, thjesht se për të as fshatari e as parlamentari nuk kujdeset, nuk e kujton përveç rasteve kur me zërin në notën e fundit të pentagramit i thotë presidentit, kryeministrit, deputetit, analistit, gazetarit, aktorit, artistit… GOMAR!
Ato që radhita me fjalë e fjali janë të vërteta, të përshkruara ashtu siç i pashë me figurë e zë.
Mos u futni në thekër e mos prashisni në ograde të huaj…

Abdurahim Ashiku

Kohë koronavirusi
Athinë, 23 maj 2020

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.