GOJËLËSHUARI…
TREGIM.
Emrin e kishte Nusret, por ngaqë pasioni i tij ishte të fliste vend e pa vend dhe të gënjente për gjithçka, më shumë nga qejfi se nga halli, ia kishin ngjitur emrin “Gojëlëshuari”. Ishte një tip thatimi, me një zë grykor të thellë, që sikur i dilte nga katakombe të nëndeshëm…
Gojëlëshuari fliste e fliste pa pushim dhe kush hynte në gojën e tij nuk gjente derman tek asnjë psikolog, pasi ai e çonte në atë derexhe, sa të mallkonte ditën që lindi. Njerëzit i iknin si një flame të fshehtë dhe atij kjo gjë sikur i pëlqente, dukej si një lloj aureole, që mbështillte jetën e tij të fshehtë e të trazuar…
Atë vjeshtë erdhi ngjitur me hyrjen e tij në kat të dytë një komshi nga një fshat i largët i jugut, hallexhi dhe punëtor, i gjendshëm dhe i sajdisur. Kureshtar siç ishte, që natën e parë vajti në shtëpinë e tij dhe rrëkëlleu dy tre gota me raki, si dhe një lumë fjalësh që nuk kishin të sosur…
Fqinji ishte bujar i madh dhe sa herë që kthehej pasdite vonë nga puna, e ftonte Nusretin në shtëpi e ia shtronin me të ngrëna e të pira.
“Qeni, mendonte me vete Nusreti, -punëtor është, nga i merr gjithë këto para që bën gjithë këto harxhime?!”
“Nuk mund të ketë burimin nga puna e ndershme pasuria e tij”. Kështu mendonte dhe fjalë pas fjale, sapo dilte nga shtëpia e komshiut, që e sajdiste me gjithë të mirat, sillej vërdallë dhe hidhte helmin e fjalëve të tij pikckuese, si të grerëzave. “Haruni vjedh në ndërmarrje. Vjen çdo natë me trastat plot”. Fjala mori dhenë dhe vajti në vesh të Harunit, komshiut bujar e zemërbardhë. Ai u mërzit shumë nga fjalët e fqinjit, të cilin e kishte nderuar si mik shtëpie me gjithë të mirat që i kishte falur Zoti.
Por nga ana tjetër, fjala mori dhenë e vajti në vesh të një hetuesi nopran që kontrollonte atë lagje dhe Harunin e arrestuan.
Ishte një mbrëmje vjeshte dhe gjethet fundit përdridheshin në vorbullën e trazuar të erës, kur një eskortë policore trokiti me forcë në shtëpinë e tij dhe atë e morën me vete, të prangosur.
-Çfarë keni me mua?! Çfarë kam bërë?!-pyeste Haruni i shkretë…
-Pyet komshiun tënd, ai e di më mirë!-e thumboi oficeri i policisë gjyqësore, që shoqëronte skortën policore…
Nisën hetimet intensive, shoqëruar me kontrollin e pasurive të të arrestuarit, pati mjaft varavingo nga njerëzit e ligjit, por nuk nxorrën gjë në dritë. Hetimet shterën dhe u vërtetua se Haruni ishte i pafajshëm dhe e liruan.
Atë ditë që doli nga burgu, Haruni ndieu shijen e hidhur të zhgënjimit. Provoi se sa e rëndë ishte për një burrë që t’i shpërdorinin mikpritjen dhe zemërçiltërsinë, siç patui vepruar me të komshiu shpifës.
Pa ç’pa dhe nën presionin e rrethit familjar, që kërkonte prej tij të zbardhte faqen, ai akuzoi komshiun plak për shpifje…
I padituri në fillim e mori me mendjelehtësi, pastaj bëri sikur u habit dhe në fund e fjeti mendjen duke menduar se nga fjala nuk i vjen askujt e keqja, se siç thotë populli, “fjala nuk bën varre”.
Ndaj, kur doli para gjykatësit, qëndroi kryelartë dhe me vështrim të patrazuar.
Kur gjykatësi formuloi akuzën, plaku u ngrit dhe tha rrëmbimthi:
-E po fjalë ishin, zoti gjykatës, thjesht thashetheme, unë nuk vrava njeri! Dha e mori gjykatësi, tjetri nuk hapte pykë dhe nuk lëshonte rrugë, duke thënë se fjalët mbetën fjalë dhe se ato i merr era ende pa dalë nga goja.
Pa ç’pa, para se te jepte vendimin, gjykatesi i tha plakut:
-Merr një pulë dhe shkuli të gjitha puplat, një e nga një. Nga një pendë për çdo fjalë që ke thënë kundër fqinjit tënd dhe rrugës për në shtëpi shpërndai puplat në rrugë. Nesër eja të të jap vendimin.
Plaku sikur u çlirua, iu duk punë e lehtë dhe kështu bëri siç i tha njeriu i ligjit dhe të nesërmen u paraqit para gjykatësit.
-A bëre siç të thashë?-iu drejtua gjykatësi Nusretit, i cili qëndronte me një pamje të ngrefosur, pa e kuptuar rëndësinë e atij çasti.
-Si urdhëron, zoti Gjykatës, ashtu bëra…
-Para se të dëgjosh vendimin, duhet të shkosh e të mbledhësh të gjitha pendët e pulës që hodhe dje rrugës për në shtëpi…
-Po kjo është e pamundur! Era do t’i ketë shpërndarë gjithandej! Si t’i gjejë që të gjitha?
Gjykatësi nënqeshi me një lloj sforcimi dhe e vështroi të akuzuarin me dhimbje…
-Ke të drejtë, nuk mblidhen më…Kështu edhe fjalët e tua, të thëna “pa të keq” lart e poshtë, u përhapen dhe dëmtuan reputacionin, besueshmerine dhe emrin e mirë të fqinjit tënd. Nëse nuk mund të flasësh mirë për dikë, më mirë mos fol fare! Duhet të jemi zotër të gojëve tona, që të mos bëhemi skllevër të fjalëve tona, sepse thashethemet janë “hajdutët” më të këqinj, u “vjedhin” njerëzve dinjitetin, nderin, besueshmërinë, emrin e mirë dhe është e pamundur t’i kthesh pas. Nëse rrëshket mund ta rifitosh sërish ekuilibrin, por nëse e lëshon gjuhën pa fre, nuk mund t’i kthesh më mbrapsht fjalët…
Nusreti qëndroi në heshtje dhe iu fanit gjithçka në tru me kthjelltësinë e dritës, se si goja e tij tirrte e tirrte fjalë e fjalë pa fund, që lëndonin tjetrin, çfarë s’do të jepte për t’i kthyer fjalët dhe kohën pas… por…ishte vonë…shumë vonë dhe tani duhet të vuante pasojat e një jete të jetuar duke përgojuar të tjerët…
