Fanatizmi dhe fanatiku.
Nga libri im “Konflikte”
Fanatizmi është njëra nga “sëmundjet” më të rrezikshme për njeriun. Sëmundja që shkakton vetëm konflikte, dhimbje, vuajtje dhe vdekje. Është sëmundja që zgjon, alarmon dhe hedh në sulm të gjitha ligësitë që gjenden brenda njeriut. Ai e pushton njeriun me zemërim e urrejtje, dhe e ribarbarizon atë. Aty ku sundon fanatizmi, nuk ka gëzim, nuk ka lumturi, nuk ka zhvillim, nuk ka besë, nuk ka unitet, nuk ka siguri, nuk ka jetë. Kjo është detyra e tij dhe ai e bën shumë mirë këtë. Fanatizmi, në njëfarë mase, është si puna e drogës. Ai i bën njerëzit të varur prej tij. Nëse kthehet në epidemi psiqike, kombi është i rrezikuar.
Unë këtu do të përqendrohem tek “portreti” i fanatikut.
Fanatiku, ndryshej, mendohet tipi vetëvendosës, e mendon veten ligji dhe Maliqi.
Portreti i fanatikut, në vija të përgjithshme, është ky: intolerant, përçmues, shpifës, genjeshtar, fyes, injorues, hakmarrës, urryes, vetëgjykues. Vuan nga ndjenja e martirizimit, e sadizmit, e madhështisë, e pushtetit të pakufizuar. E mendon dhe e deklaron veten aksin e botës, të pazëvendësueshëm, njeri që është lindur për të transmetuar, drejtuar dhe komanduar.
Për gjithkënd, padituria është e dëmshme, por fanatizmi është katastrofal. Për njeriun normal, çdo gjë në këtë botë ka dy anët e veta. Për fanatikun ato kanë vetëm një anë. Dhe ai shikon vetëm anën që i ntereson atij. Fanatiku nuk e ndryshon këndvështrimn e vet mbi botën dhe mjedisin që e rrethon. As temën. Kurrsesi jo.
Gjëja më karakteristike pë fanatikun është sfera e ngushtë e këndvështrimit të tij, njëanshmëria e lidhjes me jetën. Është besnik i parimit: “Të gjitha ose asnjë.” Ai nuk njeh kompromise. Nuk lëshon dhe as nuk tërheq. Me verbërinë e tij, ai kalon afër vlerave të jetës dhe nuk i vë re ato. Ai nuk ndien, kështu që në kokën e tij ka vetëm errësirë. Errësirë që për çdo rast ja vret, që në embrion edhe ndonjë ide pozitive, e cila mund të shfaqet ashtu si rastësisht. As që mund të mendohet ndonjë e çarë e mundshme për të lejuar depërtimin, sado të vogël, të mendimit ndryshe. Ai rrëshqet gjithnjë e më shumë në idetë e tij fikse. Ideja e tij për botën udhëhiqet nga dualizmi. Nga njëra anë Zoti dhe e mira dhe, nga ana tjetër, djalli dhe e keqja. Por këto janë të ndërtuara në psikikën e tij, sipas filozofisë së tij dhe jo sipas realitetit. Zoti, djalli, e mira dhe e keqja, janë ashtu siç i mendon ai dhe, jo ashtu siç janë në të vërtetë. Dhe nëse të tjerët mundohen t’ia prishin imazhin e tij, ai shpërthen në tërbim dhe urrejtje, është i gatshëm që, me zjarr dhe hekur, të ngrihet kundër tyre.
Fanatiku njeh vetëm veprimin. Jo të vërtetën dhe arsyen. E vërteta dhe arsyeja e dëmtojnë atë. Nëse ai mendon se dikush duhet vrarë, ai organizon vrasjen dhe mbaron punë.
Fantiku nuk njeh rregulla. As ligje. Ai është i bindur se gjithçka që i duhet botës, është në kokën e tij. Bota jashtë kokës së tij, është bota e djallit dhe, si e tillë, duhet asgjësuar. Të gjitha ndryshimet dhe zhvillimet, jashtë vullnetit të tij, janë punët e djallit dhe bën thirrje për t’u ngritur kundër tyre.
Ngaqë i ka frikë ndryshimet, nuk i njeh kompromiset. Ngaqë nuk i njeh dhe nuk i pranon të kundërtat, përfundon në nihilist. Pastaj gjendet midis “përgjërimit” dhe “kryqëzimit”.
Qendrimi në ekstremin e të kundërtave, është tipik për fanatikun. E ngrohta dhe e ftohta (si ndjenja), mistikja dhe modernja, mëkatarja dhe humanja, liria dhe terrori, shpesh gjenden shumë afër me njëra- tjetrën, në të njëjtin shpirt. Fanatiku është i ekzaltuar dhe njëkohësisht i kryqëzuar. Aty ku sundon fanatizmi, shpesh lëvizjet për liri dhe të drejta mbyten në gjak. Për fanatikun, gjakderdhja sjell paqen. Fanatiku nuk e shikon sjelljen e tij si vlerë personale. Ai e mendon atë si vlerë të shoqërisë dhe veten si krijues i vlerave të mëdha njerëzore. Ai e deklaron veten të pazëvendësueshëm dhe të përjetshëm. Dhe, nëse familja apo shoqëria do të sillen ndryshe, sipas tij, ato ndodhen para rrezikut të vetasgjësimit.
Për fanatikun, gjithmonë fajtor janë të tjerët. Ai edhe kur shpif, gënjen, mashtron, fyen, dhunon, përdhunon, torturon, vret, nuk e mendon veten fajtor. “Janë ata, të pamoralshmit, që më detyrojnë mua të sillem kështu”, mendon ai. Nëse të tillë njerëz arrijnë të bëhen udhëheqës, gjë që për fat të keq ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, kombi, në mënyrë të padiskutueshme do të përjetojë konflkte, mjerim, dhunë dhe gjakderdhje.
Ai nuk mund ta imagjinojë dhe as pranojë njeriun ndryshe, përveçse atij që ka në kokën e vet. Të gjithë ata që janë ndryshe, nuk kanë shanse bashkëjetese me të tjerët, nën pushtetin e tij. Ai i urren ata dhe i shpallë armiq. Toleranca ndaj tyre është zero. Në marrëdhënie me ta, ai njeh vetëm një mundësi, atë të shaprtallimit dhe asgjësimit të tyre. Qoftë dhe me gjakderdhje.
Çdo mendim dhe lëvizje “ndryshe”, jashtë mendimit të tij, ai mundohet ta shtypë që në embrion. Që në fazën e mendimit. Fanatiku nuk është i vetvetes. Ai është thjesht një trup, brenda të cilit jetojnë e liga dhe vdekja. Një mbajtës demonësh, detyra e të cilëve është vrasja e jetës. Kudo që ata e ndeshin atë.
Jo rrallë ndodh që fanatikët të shfaqen me aftësi të mëdha për të grumbulluar rreth vetes fanatikët e “heshtur”, të vetmuar. Natyrisht që ai vihet në krye të tyre. Një ushtri e tillë, e mirëorganizuar, mendohet fundamentalizëm. Kjo shndërrohet shpesh në lëvizje dhe, përbën një rrezik serioz për shoqërinë, kombin dhe më tej.
Për arritjen e qëllimit të tyre, udhëheqësit fanatikë shfrytëzojnë shpesh besimin fetar të njerëzve. Ata e deklarojnë veten udhëheqës shpirtërorë dhe veprimtarinë e tyre, në emër të allahut. Asnjë besim fetar nuk duket se është i lirë nga të tillë fanatikë. Sipas Hegelit, po aq fanatizëm sa ka tek islamizmi ka përjetuar edhe kristianizmi. Savolavona (1452-1498), ndoshta duhet menduar si fanatiku më i madh i krishtërimit, i cili u ekzekutua.
Rreziku i njerëzimit nuk janë, as politika, as sistemet dhe as religjionet, por njerëzit fanatikë, që i drejtojnë ato. Oliver Cromwell (1599-1658), ka mbetur në historinë e njerëzimit si njëri ndër udhëheqësit më fanatikë dhe më gjakderdhës. Gjithashtu, Harro Harring (1798-1870), një revolucionar fanatik i shek. të 19-të. Është fanatiku tipik që vuante nga ndjenja e urrejtjes. Jetëshkrimi i tij është thuajse i njëjtë me atë të Hitlerit. Gjatë përpjekjeve të tij prej “revolucionari” është burgosur disa herë. Analistët e kanë etiketuar atë, revolucionari fanatik. Fat i njerëzimit që nuk arriti të bëhej kurrë udhëheqës kombi.
Fanatiku nuk dëgjon, nuk ndien dhe nuk dashuron. Ai nuk ndien asgjë për ata që i shkojnë pas. Nuk i mendon njerëz. Ai i mendon ata thjesht vegla, mjete, të cilat mund t’i përdorë si të dojë dhe kur të dojë, për qëllimin e vet. Dhe, nëse qëllimi i dështon, ai i hedh këto vegla, pa asnjë dhimbje. Pa asnjë mirënjohje. Si letrën mbështjellëse të sallamit.
Fanatikët nuk dorëzohen kollaj. Nëse ata janë pjesë e politikës, jo dhe jo. Nëse era u merr “çadrën” e tyre, ata kërkojnë shpejt një çadër tjetër, për të vazhduar planet e tyre. Politikanët fanatikë nuk janë as të djathtë, as të majtë dhe as të qendrës. Ata nuk kanë parti, sepse nuk kanë bindje. Ata kanë vetëm pasione. Ata nuk njohin sisteme politike. Dje ishin “komunistë”, sot janë “demokratë”, nesër “nacionalistë”, pasnesër “komunarë” etj., sepse nuk i përkasin asnjë sistemi.
Sistemi i tyre është errësira dhe këtë duan të përhapin ata. Sa më shumë errësirë, aq më i dobët është shikimi. Sa më shumë zhurmë, aq më i dobët është dëgjimi. Prandaj, ata fikin dritat dhe bëjnë zhurmë, që të mos duken dhe dëgjohen.
Megjithëse këta janë mëkatarët më të mëdhenj të moralit, bëhen predikuesit më të mëdhenj të tij. Këta janë profetët e zinj. Librat, përveç atyre që mendojnë ata, duhet të ndalohen dhe të digjen. Shkrimtarët i mendjonë mendje e djallit dhe i persekutojnë. Sepse ata nuk duan që të ballafaqohen me të shëmtuarën e tyre. Ata i thyejnë pasqyrat, e vrasin trurin e kombit. Kështu Stalini, Hitleri, Sadami, Millosheviçi. Kështu shumë udhëheqës të ish vendeve komuniste. Edhe lumpenkomunistët e sotëm, të cilët po na qeverisin prej tri dekadash, të vetëshpallur demokratë, nuk janë gjë tjetër veçse fanatikë të maskuar me simbolet e demokracisë. Fanatiku gjithmonë përdor maskën e simboleve, për të arritur qëllimin e vet. Sa më lart që fanatiku ngjitet në pushtet, aq më tragjike për kombin bëhet rënia e tij.
Ndal, fanatikut!
Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.