11.5 C
Tiranë
E mërkurë, 22 Prill 2026

MyEndy Sonja

Kavaliere

L'immagine può contenere: MyEndy Sonja
I mbytur në cilindrin zip që mbante në kokë, i njëjti kalimtar, si një korb i zi, futej çdo mëngjes, të njëjtën orë, në të njëjtën derë të mejhanes, poshtë budrumit të katit të parë. Lagështira e mureve, që i binte në brinjë, ia mpinte shpatullat pa mëshirë. Ishte shik i kollarisur dhe në dorë mbante një shkop. Këpucët i shndritnin sikur mbi to rrezatonte drita e hënës.
Çuditërisht, ne, një grup vajzash, që e shinim me kërshëri dhe fshehur pas perdeve të dritareve, i vumë një emër të çuditshëm zotërisë: Kavaliere .
Si gjithmonë, kërshëria femërore na shtynte të dinim se kush hynte e dilte aty. Vumë re qe aty hynte shpesh një bukuroshe spanjolle, të cilën ndoshta fati e kishte përplasur për të mbijetuar, atyre viteve të vështira të 1700-ntës. Kavaliere që frekuentonte mejhanen nuk ishte parisien, por ndoshta londinez, i ngujuar aty prej fatit të tij të bukur, apo ndoshta të zi. Në buzë ai gjithmonë mbante një puro të pa ndezur dhe priste të hapej dera e mejhanes. Ai priste sa të vinte bukuroshja, dhe rrinte nën strehën e kishës i qarkuar nga pëllumbat dhe nuk pipëtinte asnjë fjalë, sikur t’i merrej fryma në agoni. Ajo me flokët e saj të gjatë e të zinj, me sytë që i shëmbëllenin yllit polar, me fytyrën të mbuluar me një vello transparente të ndërthurur me pikla të zeza që e bënin atë krijesë elegante ,tepër mahnitëse , sikur donte t’i fshihej syrit të çdo kalimtari. Bodrumi nën katin e parë asaj i dukej i shenjtë, hyrja ishte e lirë dhe ishte një vend normal ku mbizotëronte paqja. Ai frekuentohej shumë nga njerëz të klasave të larta.
Kavaliere ulej në tavolinë në të njëjtin vend, përballë pasqyrës së varur në mur dhe herë – herë hidhte një shikim në pasqyrën përballë, për të kontrolluar në fshehtësi çdo lëvizje të zonjushës dhe pëshpëriste: “kjo më intrigon mua… është pikërisht ajo që më pëlqen mua… kjo mund të jetë e vetmja lumturi…” Ai e njihte mjaft mirë veten e tij, bëmat që kishte kryer në jetën e tij aventureske, por ende kërkonte të vetmin shans për të shpëtuar nga vetmia vrastare.
Nuk dinte nga t’ia niste. I lutej Perëndisë që t’i jepte një mesazh, për të krijuar të paktën një respekt, si për fillim se më pas ishte i sigurt që do t’ia dilte për të plotësuar dëshirën e tij. Zotëria ishte i sigurt në çdo vendim që merrte, sepse e njihte shumë mirë këtë jetë të zezë, ku qielli i ishte gremisur mbi kokë, i tradhtuar nga gruaja e tij e parë. Ai nuk i përkiste gjithësisë së engjëjve, kishte kryer gabime pafund dhe tani kërkonte që këtë pjesë të jetës që i kishte mbetur të mos e kalonte i vetmuar, dhe i lutej Perëndisë të harronte çdo dhimbje e brengë që e mbante si një gur të rëndë mbi shpinë. Sa herë që e shihte zonjën e bukur kërkonte të gjente një çelës ndërmjetës sa për të nisur bisedën me të.
Në të vërtetë nga çelësat ai kishte frikë, i dukeshin të shenjtë. E dinte mirë që vetëm ai çelës e priste në shtëpi, aq sa krisjet e derës e bënin nervoz dhe megjithatë po ata mbante në dorë si një besimtar te përjetshëm.
Sa dëshironte t’ia dorëzonte kësaj kreatUre fatin e tij!.. Dhe besonte në qëllimin e tij…
Si guximtar me karakter të fortë, ia thotë një kompliment vajzës me tabaka në dorë. Ngre cilindrin me dy gishtat e dorës dhe i mërmërit: “Sa e bukur je, zonjushë! Ajo nuk e përfilli fare, iku si një sirenë që zhytet në liqenin e saj. .. nuk kishte ardhur aty për njohje të këtilla, por për të mbijetuar dhe ushqyer vëllezërit e saj të mbetur jetim. Ajo i mbante mbi supe të gjitha funksionet si motër e madhe, nënën, babanë, vëllezër E motra në të njëjtën kohë. Si çdokush në këtë botë edhe ajo mbante këtë peshe të rëndë të jetës së padrejtë.
Kavaliere ishte një zotëri i pasur dhe nuk e kuptonte dhimbjen e saj, por çuditërisht një mendje i thoshte: “Kjo është si unë… e ndjej këtë ngjashmëri, por kush është misteri i saj? Pse ka kaq indiferentizëm hyjnor tek ajo?” Në bukurinë e saj dhimbja nuk pasqyrohej, ndoshta Zoti ia kishte dhënë këtë privilegj që ajo të shkëlqente vetëm mirësi.
Ndërsa ditët kalonin, ai bënte të njëjtin ritual, muaj të tërë priste nën strehëzën e bekuar të Zotit, kishës sonë të veçantë. Ne ndiqnim me pasion çdo lëvizje. Ishim një grup shoqesh dhe prisnim përfundimin e ngjarjes.
Një ditë Kavaliere paraqitet me një tufë trëndafilash në dorë. Kur e pamë, ne qeshëm të gjitha nga ballkoni i katit të sipërm. E kishte gjetur mënyrën për t’u afruar, ndoshta i kishte ardhur në mend ajo shprehja: “Nga dita që burrat nuk u dhuruan lule grave, ato i shpërfillën akoma më shumë.” Spanjollka ishte një vajzë e zgjuar. Ai i foli dhe ajo ndaloi në vend:
– Këto lule janë për ju me rastin e fetës. Sot është një ditë e veçantë. – Oh, ju falënderoj shumë, zotëri. Paske zgjedhur zambak të bardhë për mua.
– Zonjushë, të kërkoj ndjesë, por këta zambak i kam për shpirtin tim, që t’i mbjell në kopshtet e zemrës sate. Ti je një gjë e rrallë, je shpresa e syve të mi të mbyllur nga njëqind vjet errësire.
Vajza, e ndershme si askush tjetër, nuk nguron por e pyet:
– Pse, ç’ka ngjarë në jetën tuaj?
– Më prit, zonjushë, do të vij brenda dhe do të flas me zemër në dorë.
Ai e priti këtë aprovim të saj sikur të ishte në qiellin e shtatë. Hyri pas saj në mejhane dhe i tregoi për bëmat e tij, arsyet dhe ngjarjet që i kanë ndodhur. Natyrisht i njihte edhe caqet se për çfarë ndihej ligsht dhe kërkonte ta shpëtonte shpirtin e tij mëkatar.
– Unë besoj teK ti zonjushë. Ti je një krijesë e rrallë. Në të vërtetë kam njëqind vjet që nuk i kam bërë asnjëherë një kompliment një femre. Jam njeri i ngurtë, i acartë e nervoz… Kjo ndodh sepse asgjë nuk më ka tërhequr kaq shumë më parë. Do të dëshiroja që me ty të paraqitesha para Perëndisë, parajsës dhe ferrit, sepse unë kurrë nuk i kam besuar një femre. Po ashtu, edhe ato nuk më kanë besuar mua. Kam qenë thjesht një kalimtar me çelësat në dorë që, sapo vija një shtëpinë time të vetmisë, nisja e shkruaja çdo episod të zymtë të jetës sime. Sa dua që sot t’i besoj ty këta çelësa të zemrës sime… por të lutem, më jep një gjë të veçantë për të pirë. Nuk di çfarë të them, ose të pi lumin e lumturisë sime me ty, ose helmin e përjetshëm të vetmisë. Sot e përgjithmonë unë dua të jetoj me ty. Ka muaj që Zoti më urdhëroi të vija tek ty dhe dua ta zbatoj këtë urdhër. I vetmi diell që mund të shuajë akujt në dhomat e errëta të zemrës sime, je Ti. Unë besoj te ty, në rrezatimin e magjishëm të syve të tu.
Çuditërisht Kavaliere ndihej i brishtë si kurrë ndonjëherë më parë. Në sfondin e dritës kishte vendosur dashurinë e tij, ku pasqyrohej një kuadër, që pa hedhur asnjë hap të bënte te shihje gjithësinë e shpirtit të tij të dashuruar, të mbytur në lumin e bukurisë e asaj krijese të brishtë, e cila nuk tha asnjë fjalë. Ajo i nguli sytë thellë në shikimin e tij për të kuptuar vërtetësinë e fjalëve, të Kavalierit simpatik, atij lordi të fisshëm, që këtë herë ishte plotësisht vetvetja. Kjo ishte zgjuarsia e saj, për të kapur anën më të mirë të gjërave dhe thellësinë e të vërtetës së bukur…
Në ballkon si hienat që gjurmojnë gjahun, ne heshtnim dhe dëgjonim këtë “formulë pagëzimi” të dy njerëzve krejt të panjohur. Ishte një pamje magjepsëse, si një teatër ku poetët thurnin vargje të mbushura me emocion. Të dy aktorët tanë kishin një pamje hamletiane, por reale.
Kavaliere mezi mbushej me frymë. Ai, çuditërisht mori kryqin, e tije mbi gjoks dhe nisi ta puthte. Ngriti gishtin drejtues nga qielli si për t’u betuar për vërtetësinë e premtimit të dhënë për bukuroshen , që ngriu si statujë. Ai besonte në Zot dhe në thënien: ”Mos kini frikë nga fati juaj. Atë e ka përcaktuar Zoti për ju dhe askush nuk mund ta prek.” Pikërisht, vetëm ne një këtë rast ai ishte pranë fatit të tije, prandaj mori frymë thellë dhe tha: “Të lutemi ta, o Zot!”
—————-s.h.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.