Ti!
Ti nënqesh me trishtimin tënd
e shpirti të shpërqendrohet vazhdimisht
në përndjekje muzash
për kthim të gëzimit të munguar,
për rilindje frymëzimi poetik.
Në teatrin e jetës luhen të gjitha pjesët,
e fundit mbetet tragjedia
e skenari shpesh ndryshon nga koha e skena,
veç duartrokitjet nuk mungojnë
nga numri i madh i spektatorëve figurantë.

Përballë njëri-tjetrit
Çdo natë, në dhomën e tij të punës, nën ndriçimin e abazhurit, pranë dritares së hapur ai lexonte autorët e njohur. Gjithfarë ëndërrimesh i vinin nga hapësira që kishte përpara dhe i përzihej me mendimet e tij.
Çfarë pamje madhështore kishte nata!
Ai dëgjonte zhurmat e mbytura të saj dhe shikonte qiellin e errët mbushur me yje që shndrisnin. Gjithçka ishte e madhërishme, një univers i hapur për idetë dhe vizonet e pafundme. Shpesh lexonte vargjet e Bodlerit dhe vështronte ngultas errësirën, heshtjen dhe pambarimin e frymave më mistike, që kapërcenin thellësinë e vetë ndërgjegjies. Në mendjen e tij një rrezatim i shkëlqyer shndriste dhe ashtu i dehur nga përqafimi i muzës krijonte vargje për gjithë dritëhijet e fshehura të jetës. Ndodhte që përbrenda frymëzimit të priste agimin që rizgjohej përmes flatrash të bardha, shpërndarë ngadalë mbi qytet e shndritur më pas nga fluksi më i ndritshëm i rrezeve të praurara diell.
Nga natyra ishte i mbyllur, fjalëpak, u shmangej njerëzve të cilët ishin kureshtarë për stilin e tij të jetës, që e lodhnin me pyetje të shumta ose kërkonin të gërmonin më tepër rreth asaj bote, e cila i dukej e brishtë dhe krisjet më të vogla do thyenin gjithë atë rregullsi të vendosur me aq shumë fanatizëm. Kërshëria e tyre e turbullonte. I ndodhte shpesh të ngrinte një botë përafruese mes tyre, perceptonte gjallërinë, lirshmërinë ,por dhe lehtësinë për tu ndierë të gëzuar në këtë lloj bote, e cila fshihte pafundësi ngjyrimesh e larmie, përherë pas tjetër spektri drite që buronte nga korniza rregullash e kohësh të trazuara.
***
Ajo rrëmbehej nga punët e saj të përditshme dhe me padurim priste mbrëmjen frymëzuese, ku si një det trazohej e ngatërrohej në mijëra batica… Pushtohej nga ide të çuditshme dhe vizione që kapërcenin dhe vetë kufijtë e memories së saj. Reflektonte besimin thuajse absolut tek vetja dhe gjallërinë e një trupi e shpirti përherë në lëvizje, përherë drejt përkryerjes. Zhytej në thellësitë e padukshme të vetëdijes dhe rrëmbente prej andej sentimentet më të grishta, më fluide, gati të padukshme ,por shumë tejçuese për vetë timbrin dhe gjuhën e fjalës.
***
Hëna e plotë i fliste në dritare:
“Shkruaj miku im, se unë jam aty vetëm për ty!”
Ai fillonte të shkruante pa reshtur, derisa i mpiheshin gishtat nga lodhja dhe sytë i turbulloheshin nëpër qerthullin e pafund të kombinimeve vargje. Shkëputej një çast dhe shkonte të freskohej, për të bërë zgjimin e madh të të gjithë shqisave, deri të atyre më ndjesore, për të rifilluar sërish punën e palodhur. Kishte netë që nuk flinte fare, diçka po e sëmbonte dhe nuk e linte të përqëndrohej. Gjëra të reja kishin hyrë krejt papritmas në shpirtin e tij dhe i rrethonin mendjen me gjithfarë ngjyrash dhe imazhesh të pafundme.
***
Ajo endej në botën e saj, gati stoike dhe e palëkundur në obsesionin e saj, krejt ndryshe nga ajo shpërndarje dhe përhumbje konfuzionesh të tij . Zgjohej nga gjumi, kur dielli i binte në sy dhe ndriçonte gjithë atë mjedis të sistemuar mirë, të pastër, me dritare nga lindja dhe përballë detin që shpesh e zhyste në kujtime të ëmbla. Flinte mirë dhe shihte ëndrra të bukura. Zgjohej me mendime të gëzuara, merrte fletoren dhe impresionimet më të para i shkruante. Krijimi i vargjeve i falte qetësi dhe e bënte të ndihej më e sigurtë. Shpesh i dukej se nuk do të mund të jetonte dot pa këtë ritual të përditshëm, pa hedhur ato copëza mendimesh që dritëzonin qenësinë e saj dhe krijonin një ndjesi të madhe lehtësuese. Vuante, kur nuk shkruante, qoftë dhe një vargëzim i vogël duhej, që ajo të ndihej e mbushur dhe e plotësuar. Ngrihej nga shtrati më pas e kënaqur dhe bënte dy pastrime, atë të shpirtit dhe atë të trupit, domethënë lutjen dhe tualetin e saj. E pushtonte qetësia, mbushej me frymën e jodizuar të detit dhe një buzëqeshje e pandërgjegjshme zinte fill në aparencën e saj të hollë e delikate. Në dritaren e saj kishte një çerdhe dallëndyshesh. Hidhte vështrimin dhe ndiqte për pak kohë ritmin e jetës së tyre, ato fluturime të pambarimta dhe cicërimat e gëzuara të zogjve të vegjël.
“Sa gjë e bukur! Një mister i ëmbël çelte e lulëzonte në magjinë e mëngjesit.”
Me flokët e krehur me kujdes dhe të lëshuar për t’i rrëmbyer flladi i lehtë i erës, me shpirtin në ëndërrime dhe e ndriçuar nga dashuria për jetën ecte me krenari të vetëdijshme rrugëve të qytetit. Asnjë vështrim nuk arrinte të depërtonte ose tërhiqte vëmendjen e saj, veç gëzimi i brendshëm dhe frymëzimi që njëlloj si në Olimp e çonte drejt qiejve më të lartë. Dukeshin gjëra të vogla, por ishin kaq përjetuese dhe kaq të brishta, sa asaj i mjaftonin për të përmbushur botën dhe për tu ndier e lumtur. Dilte në shëtitoren e qytetit, aty ku bulevardi si një pasarrelë zgjatej në formën e bregut të detit. Kishte nevojë të lëvizte, të vëzhgonte natyrën e bukur, por dhe të ndiente fluiditetin e kohës përjetuese . Syve të saj nuk u shpëtonte asnjë detaj. Kthehej më pas e lehtësuar në dhomën e saj dhe vazhdonte të shkruante për gjërat që e mrekullonin më shumë. E ndiente veten me fat. Zoti i kishte falur dhuntinë e rrallë, atë të të qenit e kujdesëshme dhe tepër e ndjeshme ndaj fjalës. Ajo dashuronte lirinë e fjalës, muzikalitetin dhe shijen e hollë që përcillte tek të tjerët. Imagjononte dhe shëtitjet e vetme buzë detit, ajo, klithmat regëtimë të pulëbardhave dhe rënkimin e fundit të valëve që linin shpirtin në breg, emocionohej dhe kridhej thellësisë blu, më pas ndiqte gjurmët e saj mbetur në rërë si refleksion i asaj pjesë jete, që niste e mbetej po këtu.
***
Ai krijonte në netët me hënë, kurse ajo ditët me diellin e artë. Të dy i ngjanin ditë-natës, rendjes për të prekur ekstremitetin e të fundit kufij. Plotësonin njëri-tjetrin, por ishin të dënuar të mos takoheshin asnjëherë. Ishin si dy drejtëza paralele, dy meridianë përballë njëri-tjetrit. Ai me syprinën e tavolinës që shikonte nga përtejdritarja qiparisin shtjellë dhe rebus i mendimeve të tij ndërsa ajo me vështrim nga deti për tu shkrirë e bërë pjesë e dhimbjeve dhe tallazeve stërkala valësh bardhësi.
Shkëputur nga libri”Regëtima pulëbardhash”
nga Marjeta Shatro Rrapaj