22.5 C
Tiranë
E dielë, 19 Prill 2026

Marjeta Shatro Rrapaj

 

Për Dritëroin, që u kthye në dritë
të amshueshme

Ishte Viti i Ri i fundit, që ai kishte kërkuar ta kalonte në fshatin e tij të lindjes. Mezi e kishte bindur të shoqen, e cila ishte gjithmonë e shqetësuar për shëndetin e tij. Vuante nga mushkëritë, por diçka më e fortë e thërriste netëve pa gjumë. Disa netë rresht kishte parë prindërit e tij, që e qortonin se i kishte harruar dhe nuk u kishte shkuar në varreza për t’i vizituar.
U nis me bashkëshorten e tij, Sadijen, të shoqëruar nga nipi i tyre.
Kur mbërritën pranë fshatit i tha nipit të mbante makinën në një fushë mbuluar me borë. Zbriti nga makina dhe dukej i përhumbur në vorbullën e kujtimeve. Dëbora vazhdonte të binte dhe flokët e saj i fshiknin fytyrën e tij të mekur e të plakur, por çuditërisht të rigjallëruar nga krahëzat e bardha të fluturave që vërtiteshin rreth tij. Mbylli sytë për një çast dhe thithi aromën e dimrit të fushës, që ishte aroma e një kohe sa të njohur për të, por dhe aq të largët.
Gruaja i thirri të hipte në makinë, se ishte i sëmurë dhe do të ftohej, por ai vazhdonte të qëndronte pa lëvizur. I pëlqente të përjetonte këtë çast magjik, këtë emocion fërgëllues që lidhej me vrapimin e tij të dikurshëm, shtrirjen e dorës përpara për të mbledhur sa më shumë kristale, të cilat bashkë me avullin e tij të ngrohtë shkrinin kristalet në pëllëmbët e vockla e të skuqura nga thëllimi. Kur mbërritën në shtëpi, u ul te pragu i derës dhe puthi gurët e qosheve vendosur prej babait të tij. Në zemër po ndiente një përzierje të pashtershme dhe të vrullshme ndjenjash. Hyri brenda dhe sytë i kishte me lotë malli për atë kohë të shkuar që ishte ngulitur fort në kujtesën e tij. Ndezi dritën dhe shkoi pranë fotografisë së prindërve, që qëndronte ende e varur në mur dhe i puthi të dy me mall. Iu afrua vatrës për të rregulluar shkarpat e thata. Mori një shkrepëse nga kutia dhe ndezi një letër, flaka e së cilës ndezi më pas drutë që kërcisnin, ndërsa gjuha e lartë e tyre ndriçoi faqen e oxhakut të nxirë nga bloza.
Aroma e mirë e druve të djegura u përhap nëpër dhomën e madhe. Sa kujtime kishte pranë atij oxhaku! I kujtohej nëna me përkujdesjet e saj dhe babai që e këshillonte vazhdimisht, që të bëhej njeri i mirë dhe të donte njerëzit.
Gruaja po merrej me darkën dhe nuk ia ndante sytë. Kur e shikonte aq të lehtësuar, atje pranë vatrës ndihej mirë për udhëtimin e bërë, por prapë meraku i këtyre fiksioneve e parandjenjave që e sollën këtu e ligështonte në shpirt.
Ai qëndronte i ulur pranë zjarrit, fliste me flakët e harlisura, të cilat i kishin sjellë prindërit dhe po e shikonin të gëzuar :
“Më në fund erdhe, o bir! Sa na kishte marrë malli!”
-Erdha t’ju them, se ka ardhur koha që të rri me ju. Ime shoqe nuk mund ta pranojë dot këtë dhe aq më tepër ta kuptojë, prandaj është gjithmonë e shqetësuar”
-Çohu të lutem,- i tha e shoqja. Duhet të pish ilaçet dhe të mbështillesh mirë, se do ftohesh.
-Sonte nuk do t’i pi ilaçet. Do pi vetëm këtë gotë raki, sepse kjo më bën të ndihem mirë dhe vështroi gotën.
Kjo gotë e kishte kthyer në ato rite të kaluara, që shtroheshin sofrat dhe vallja e kërcyer me fustanella të bardha dukej sikur prekte qiellin.
Ai kishte prekur qiellin me dorë dhe lundronte tek ajo e shkuar që kishte zënë fill dhe mbetej përjetë, tek kjo shtëpizë e vogël, tek ugari i tokës së sapo punuar, aroma e barit të sapokositur dhe atij dimri të bardhë si sot, që shtrinte jorganin e bardhë e vishte tylin jetë me dëlirësitë më të mëdha të shpirtit.

Shkëputur nga libri:”Regëtima pulëbardhash”
nga shkrimtarja
Marjeta Shatro Rrapaj

Lumë mendimesh..Fotografia e Marjeta Shatro Rrapaj

Rrjedh lumi i mendimeve
e merr me vete
gjithçka i del përpara.
Ndonjëherë nga pengesat
fryhet zemërim
e shpërthen.
Kur rrugën e gjen përsëri
ecën ngadalë e paqësor,
deri në detin e meditimit
e atje merr frymë
thellë prej gëzimit.
Era i puth faqet
dhe e shtyn në molin e shpirtit.

Marjeta Shatro Rrapaj

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.