VARRI I REFUGJATIT
Baladë
U djersit udhëtimi im në dhé të huaj,
Me muzg mu vesh dita sot!
Në një rrugë qorre ku përroit gjarpëronte
Një varr i shtrirë si një lis pushonte.
Kish lidhur një ditë torbën e lotit
Ikur si një tym i bardhë pagjurmë,
S’kish lënë emër, as dhe histori,
Veç poshtë një rrapi gjëmën e tij.
Varr i sheshtë me gjethe vjeshte mbuluar
Në vetminë e kryqit qyqja vajtonte,
Mbështetur si shkëmb buzë një shpati
Në vend të epitafit shkruhej, Refugjati.
Dhimbja peshoi mal, zemra rrahjedallge,
Mu këput qielli e ra përmbi degë.
E lashë vetminë mbi vetminë të vajtonte
Sa dhe vdekja vetë mbi varr lotonte.
@seti pezaku vladi
23/06/2019
Poezi *TANKA*
☆☆☆
Na plagosi kurbeti.
Shi që bie nën shi.
Prej vitesh,
Strehëve të botës
Strehuam lotin nën shi.
☆☆☆
Me freski bardhësie,
Mëngjeseve
Pulëbardhat gdhendin
Profilin e verës
Në akuarel mbi det.
☆☆☆
Për kozmosin
Shkruan poeti…
Dhe me flokun e zbadhur,
Asteroid
Galaktikash mbeti.
☆☆☆
Ujku mashtron qingjin,
Ndërrojnë gunat.
Ujku “qingj” hëngri tufën,
Hëngri dhe qingjin
Nën gunë të vet.
☆☆☆
Pranverë!
Me vargje poetike
Desha të të konkuroja,
Një curril kroi qe
Para gurrës tënde.
☆☆☆
Jemi prej syrit braktisur,
Prej muri të rrëzuar,
Prej brumi ardhur keqas
Mbi shputat e tokës
Mjekërrbardhë.
☆☆☆
Prijësi,
Mendjen e dhelprës
Poshtë vetes mbolli.
Ligësia hodhi rrënjë,
Ujqër të tjerë polli.
☆☆☆
Rrugës më shtyp makina,
Në det, prej dallgësh mbytem,
Në mal më ha ujku.
Hapma derën Hënë,
Emigrant tek ti të vij’!
☆☆☆
Bindjen e kam rrënjë,
Vlagë e saj më rriti,
Arsyes rrugë i hap,
Dallgës s’i largohem,
Me plumbin martohem.
☆☆☆
Shtrydh fijet e kujtesës,
Më dhëmb.
Përgjaken fjalët memece.
Muza kruspulluar
Fshin grimin ëndërrprishur.
☆☆☆
Të gjitha ngjyrat
Jeta mi ka veshur.
Harroi të më jepte
Këngën e buzës
T’patrazuar gjer në gjak.
☆☆☆
Zoti kur zbriti në tokë
Djallin të ndëshkonte,
Pa një mori
Këlyshë të tjerë djajsh.
-U dashka nga fillimi!…,-tha
☆☆☆
@seti pezaku vladi
14/07/2019