13.5 C
Tiranë
E hënë, 20 Prill 2026

Marjeta Shatro Rrapaj

 

Mësuesja e re

Ajo ishte një vajzë shtatlartë, e shëndetshme, me fytyrë të mbushur rrumbullake dhe faqet të kuqe si mollë Korçe. Sytë i kishte jeshilë si ullinj të ndritshëm të papjekur, që i lëvizte me gjallëri dhe shkathtësi të madhe. Kishte veshur një fustan të kuq, i cili ia tregonte qartë format e trupit dhe i shkonte për bukuri me fytyrën e saj bardhoshe. Flokët e verdhë me forma natyrale i derdheshin mbi supe dhe zgjatnin valëzimin deri në bel.
Duke e parë nga flokët e deri tek majat e këmbëve, një mësuese e vjetër që mbahej si femër me shije të hollë për veshje e për të çmuar të bukurën rrudhosi buzët, kur sytë e saj u ndalën te atletet e mësueses së re.
Mësuesja e re doli të shihte klasat ku do të jepte mësim.
-Si ju duket kjo?-pyeti mësuesja e vjetër.
-E bukur është, nuk ke çfarë thua, -tha mësuesi i muzikës duke parë kolegen në sy.
-Ju meshkujt, nuk dini ti vlerësoni fare femrat,-tha ajo. Me vështrimin e parë jepni mendimin tuaj pa u thelluar. Për mua s’ka fare finesë, ka veshur ato atlete si katunare. Fshataret nuk dinë çfarë është kombinimi i ngjyrave, grimi i lehtë i fytyrës, elokuenca e komunikimit.
Bisedën e saj e ndërpreu drejtori, i cili hyri me një përshëndetje të lehtë me kokë dhe u ul përballë tyre.
-Eh! Ata të Zyrës Arsimore nuk dinë s’ e ç’bëjnë, – u ankua ai.
Dërgojnë mësuesen e re, e cila është edhe shtatzënë. Ç’të bëj unë me të, kur për disa muaj më duhet ta zvëndësoj me mësues tjetër.
Mësuesja e re nuk bëhej merak se ç’mendonin të tjerët për të. Por ama nuk ua kursente përgjigjet dhe nuk vriste mendje se çfarë pëshpërisnin korridoreve pas krahëve të saj.
Në fillimet e saj i bezdisi të gjithë për planin mësimor, edukativ dhe atë planin ditar ditor.
Disa u treguan të gatshëm dhe e ndihmuan menjëherë, kurse drejtori dhe mësuesja e vjetër e kishin parë me shpërfillje duke i thënë: “Pse s’ kini mësuar në shkollë ju? Kaq kollaj është të marrësh informacion vetëm me një pyetje”
Ajo përpiqej ta kalonte me buzëqeshje këtë arsyetim të tyre dhe pse me ironi u kishte argumentuar se studimet nga praktika ishin diçka krejt ndryshe. Me instiktin e saj të natyr-shëm kishte parandjerë të mirën dhe të keqen, kolegët që e ndihmonin për arzhonimin e saj të plotë me shkollën dhe ata që e përgojonin pas shpine. Mësuesja e vjetër vazhdonte të fliste pa pushim, e quante naive, të paformuar dhe fshatare të pagdhendur. Aq padurim kishte sa mezi priste të hidhte ndonjë fjalë shpotitëse.
-Sa muajshe je?- e pyeti njëherë ajo.
-6 muajshe,-u përgjigj shkurt mësuesja e re.
-Ke bark të madh, po këto atlete nuk të shkojnë fare.
-E di, por kam albumina dhe nuk më bëjnë asnjë palë këpucë, -ia ktheu e reja duke buzëqeshur.
Puna filloi dhe asaj nuk i mbetej kohë, as të pinte ujë. Bënte mësim, korrigjonte detyrat e shtëpisë dhe ato të klasës pa dalë fare dhe shpesh shpjegonte edhe në minutat e pushimit.
Drejtori mendoi t’i shkonte kontroll dhe në vend të ulej në fund të klasës u ul në vendin e saj. Me një vështrim hetues shfletoi regjistrin, planin mësimor dhe ditarin e saj. Duke i parë me kujdes dhe pa u ngutur ai mbante shënime në një bllok të trashë. Në fillim mësuesja e re e ndjeu veten keq dhe u hutua. Ishte kontrolli i parë dhe asaj iu duk sikur hetohej dhe frymëmarrja që merrte. Gjatë orës së mësimit nuk e zotëronte klasën, pasi nxënësit shihnin me kureshtje nga drejtori. Shpjegoi temën e re dhe pak para mbarimit ai u ngrit, doli duke e parë rreptë, pa folur dhe me derë të tërhequr pas vetes .
Natyrisht i bëri përshtypje të madhe një sjellje e tillë kaq papritur, por nuk e lëshoi veten dhe vazhdoi mësimin.
Gjatë analizës së orës mësimore drejtori i lexoi vërejtjet, e para të shënonte temën në regjistër, t’i aktivizonte të gjithë nxënësit dhe ditari të ishte më i detajuar e jo skematik.
Ajo mori fjalën dhe i tha se temën e mësimit do e shkruante sapo të ulej, për nxënësit gjatë një ore mësimore është e pamundur të aktivizohej gjithë klasa, ndërsa për ditarin tha që ishte një temë që e kishte vlerësuar një ekip pedagogësh me grada shkencore.
-Këtu nuk të thirra për të diskutuar –e ndërpreu ai. Do bësh si të them unë, ju urdhëroj me autoritetin e drejtorit,- drejtoi trupin ai dhe preku kollaren e kuqe me gisht, duke harruar që ajo ishte shtatzënë dhe tonaliteti i lartë mund ta çonte në ndonjë gjendje të pazakontë.
Ajo nuk ktheu asnjë përgjigje, doli nga zyra e tij dhe shkoi në sallën e mësuesve. Kolegëve u tha për vërejtjet qesharake të drejtorit.
-Drejtori, kur vjen për kontroll, do të bëjë edhe vërejtje se ndaj vjen,- i tha mësuesja e vjetër.
-Të tilla vërejtje?
-Përse çuditesh?! Drejtori e ka për detyrë të bëjë vërejtje, prandaj mos e përjeto me dramatizëm, por duhej t’i thoje: “ Ke shumë të drejtë, do t’i përmirësoj gjithë vërejtjet e bëra.”
Disa qeshën, kurse ajo zuri vend në karrigen e saj, në pritje të rënies së ziles për të rifilluar orën e mësimit.
-Gjykim i saktë ,- tha njëri.
-Por drejtori ynë është mësuar me një formë pune të vjetëruar dhe ne jemi pajtuar me të.
-Dhe ju heshtni!- u hodh një tjetër.
-Ne shikojmë punën tonë, përpiqemi ta bëjmë sa më mirë dhe ruajmë anën formale me drejtorin që të kënaqet ai.
Po sikur ta shkundim ca drejtorin e vjetëruar, – tha një mësues tjetër.
Ai nuk pranon asgjë “Ehu,-thotë -u bëtë ju nxënësit e mi të më jepni mësime mua!”
-Prandaj duhet shkundur, -u tha mësuesja e re dhe u nis për në klasën e saj.
Mësuesja e vjetër e pa me inat dhe vetëm kur u sigurua që ajo ishte larguar tha: ” Do na mësojë dhe rregullat e shkollës sonë ajo”, por ambjenti ishte zbrazur dhe fjalët e saj kumbuan thjesht në një mjedis bosh dhe mure të shurdhëta.

Shkëputur nga libri:”Regëtima pulëbardhash”
nga shkrimtarja Marjeta Shatro Rrapaj

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.