Ishte verë e nxehtë. Dhe pemët rënkonin vapën e ndezur, ndërsa gjinkallat të njehësuara një me trupin e tyre zhurmonin mjedisin përreth. Ai sorollatej në qytet, nëpër rrugët e lagjet që nuk i kishte parë prej kohësh, me ndjesitë e tij të mprehta dhe parandjenjat e veta, sikur diçka do ndodhte. Papritmas ngrehte veshët dhe kapte çdo zhurmë. Çdo fëshfërimë gjethesh i dukej si shenjë e çuditshme. Bota para tij rridhte e hutuar në pafajësinë e saj. I befasuar u gjend para hijeshisë së fytyrës që ju shfaq krejt papritur. Truri reagoi menjëherë, brenda provonte ndjenja, emocione që nuk mund t’i shprehte. U shkëmbye me të, ajo as kokën nuk e drejtoi që ta shikonte, ndoshta nuk e kish njohur. E la të shkëputej disa metra dhe u kthye ta ndiqte pas. Qëndronte larg saj, pa u vënë re dhe kënaqej që e shikonte duke ecur me ato hapat e saj elegante, që dukej sikur vallëzonin trotuarit thuajse të boshatisur. Ajo ishte një koketë e veshur bukur dhe e kuruar me kujdes. Silueta e saj ishte e zhdërvjellët, gjithë harmoni, ndalej me mirësjellje kur përshëndeste ndonjë kalimtar të rrallë. Në qytetin e vogël njiheshin të gjithë me njëri-tjetrin. Ajo vazhdonte të zotëronte po atë elegancë dhe sensualitet si ditën që e kishte njohur për herë të parë. Ndjenja të thella ishin ngulitur në shpirtin e tij, por nuk kishte guxuar asnjëherë të merrte vendime të mëdha. Ishte mjaftuar me ato harbimet e moshës, ku të dy i ishin dhënë njëri –tjetrit gjithë pasion, përbetime emocionale të një përjetësie të pafundme dhe më pas një shtjellë kohe që ndante vite të tëra heshtjeje. Kureshtja e shtyti të afrohej më pranë, ndërsa ajo për një çast ndaloi dhe ktheu kokën pas. Ndoshta kishte vënë re që ai e ndiqte dhe asaj i pëlqente të luante ose kush e di se çfarë mund të kishte sajuar në mendjen e saj. Ai u tremb për një moment, por i dha vetes më shumë kurajo dhe iu afrua më pranë. Ajo qëndronte përballë tij si një statujë, ku kolonat e drejta e ngrinin në këmbë dhe i jepnin shumë më tepër hijeshi.
-Njihemi bashkë?- e pyeti ajo, me një qetësi që e befasoi dhe më tepër.
-Jo, por…
Atëherë…?!
-Kanë kaluar më shumë se 10vjet nga takimi ynë më i fundit dhe nuk e di nëse të sjell ndonjë kujtim pamja ime.
– Dmth ti ke 10vjet që më ndjek pas mua,- ironizoi pak ajo.
– Kohët fluturojnë shpejt dhe nuk njohin kthim. Për ty ka ngrirë dhe ke mbetur po njësoj, e njëjta pamje, i njëjti vështrim, e njëjta gjallëri, ndërsa unë ndoshta kam ndryshuar bashkë me të.
Ai e kishte dashur shumë dikur, aq sa nuk mundi ta harronte dot për asnjë çast dhe sot ndodhej në këtë qytet pikërisht për ta parë, ndoshta takuar në një ditë si sot.
-Ti je vërtet,- mundi të thoshte ajo dhe një marramendje e lehtë i përshkoi trupin.
Ai nuk e la të rrëzohej në tokë, por e mbajti pak të shtrënguar pas trupi, deri sa ajo mori veten. Nuk i foli asgjë në atë moment vetëm i ledhatoi supet e saj të imët. Një lot i shfaqur në sytë e saj përshkoi faqen e zbehtë. Ndoshta as ajo vetë nuk e kishte besuar se ai do të kthehej një ditë. Ishte larguar dikur pa asnjë përshëndetje, thjesht humbi nga ai qytet pa lënë asnjë gjurmë dhe iu nënshtrua jetës së emigrantit. Edhe ai në ato momente qante përbrenda tij, por nuk guxonte të shfaqte asnjë shenjë dobësie para saj.
-Unë erdha për ty,- i tha ai dhe i lëmoi lehtë flokët.
-Unë të kam pritur gjithë kohës, – fshiu lotin nga cepi i syrit ajo. E dija që një ditë do ktheheshe. Por si nuk më shkruajte, ose dërgoje qoftë dhe një mesazh që unë të kuptoja që ti ishe mirë.
-Ndoshta, jam i vonuar dhe ndërhyj padashje në jetën tënde sot ,- vështroi gjithë ankth ai.
– Jo, asgjë nuk ka ndryshuar. Unë jetoj vetëm me nënën time.
-Të kërkoj falje, Elda. E pranoj që jam shkaktari i gjithë andrallave që mund të kesh kaluar në jetë.
-Jo! Unë jam shumë e qetë dhe sinqerisht jam shumë e lumtur që ti u ktheve pas kaq vitesh. Ndoshta ishim shumë të rinj atëherë…, por sinqerisht asgjë nuk ka ndryshuar tek unë.
-Nuk erdha thjesht për të takuar. Erdha për të kërkuar falje dhe për të vazhduar atë rrugë që u ndërpre në mes ,- dhe e vështroi drejt e në sy ai.
– Ti ke pasur përherë një derë të hapur në zemrën time. Unë të dua dhe ushqej për ty të njëjtat ndjenja, si dikur.
Ai nuk e përmbajti dot veten dhe e përqafoi fort. Ata vazhduan rrugën të dy bashkë, ndërsa poshtë këmbëve rrëshqiste ajo kohë, që ishte rikthyer dhe më e bukur dhe hidhte tjetër dritëshkëlqimi në jetën e tyre.