Ishte një nga ditët e zakonshme, ku unë shkoja buzë detit dhe shijoja kthjelltësinë dhe qetësinë e tij. Qëndroja për pak kohë në breg, ndërsa valët që derdheshin poshtë këmbëve më ftonin të kridheshave ujërave të kaltra. Megjithëse mëngjesi është i freskët nguroj për momentin, por nuk mund t’i shpëtoj dot tundimit. Ai më afron mirëserdhjen dhe unë shkrihem një me të. Hedh sytë në drejtim të portit dhe shoh anijet që ankorohen. Tek fari më kujtohet kënga e Mariah Carry:”My all”. Prek farin dhe nga njëra lopatë nxjerrë një qeskë rozë e me një dorë shkul midhjet e vendosura rreth farit, të cilat janë të shumta e shndrijnë si guraleca me ngjyra të ndryshme. Kur dal në breg pushuesit më shikojnë të habitur, ndoshta për shkak të qeskës me midhje apo për distancën e gjatë të përshkuar me not krejt vetëm. U ula të përfitoj nga rrezet e ngrohta e të thahem pak, ndërsa shikoj një varkë peshkimi që afrohet pranë farit. Midhjet tregëtohen rrugëve të qytetit në bidona plastikë, por asnjëherë nuk kanë shijen e midhjeve me guaskë ndaj peshkatari i varkës në mungesë të gjuetisë së peshkut, mblidhte midhje. Nuk kisha harruar të merrja me vete ditarin tim dhe një stilolaps për të shkruar gjërat që më bënin përshtypje gjatë ditës. Sa nis punën me ditarin tim një flutur m’u afrua dhe qëndronte fare pranë meje. Ndjek me sy lëvizjet e saj, çfarë do të më thotë. Ajo ka mbledhë krahët dhe qëndron aty pa lëvizur. E shikoj me admirim, shquaj dhe pikëzat e imta blu në krahët e bardhë, kurse dora instiktivish vizaton këtë pamje mbresëlënëse. Kjo kohë më kthen në botën e dikurshme të fëmijërisë, kur unë i ndiqja pas lëndinave, ndërsa ato me krahë ere humbisnin lirishtave që i qepeshin këmbëve të malit. Nuk më duhej të nxitoja sot, pasi ajo qëndronte krahëshkruar para meje e dukej sikur më thoshte: “Nuk ka nevojë të vraposh, jam para teje dhe erdha këtu për të sjellë atë kërshëri fëmijërore, që ti dikur rendje e rendje nga kurioziteti“.
Nuk guxova të zgjatja gishtat, sepse mund ta trembja dhe ajo largohej. Pak çaste së bashku, unë dhe ajo, unë një fëmijë i vogël që endesha imagjinatës si në botën e përrallave dhe ajo si krahëlehtë që fluturonte rreth princeshës së kaltër.
Nga ky lloj përjetimi më zgjuan dy turistë francezë, të cilët më shikojnë me kureshtje teksa unë guxoj e i përshendes në gjuhën e tyre. Të çuditur më pyesin se nga çfarë kantoni apo province vij. Qesh me ta dhe u them se jam shqiptare.
I pyes nëse u pëlqen Shqipëria dhe ata flasin me entuziazëm për çmimet e arsyeshme dhe bukuritë e natyrës. Më ftojnë për kafe në lokalin përballë plazhit dhe në shenjë mirënjohjeje u dhuroj midhjet e mbledhura. Entuziazmi i tyre është i madh. Më falenderojnë për gjestin dhe komunikimin e ngrohtë dhe shpresojnë të më takojnë në ditët në vazhdim, pasi do të qën-drojnë gjatë në qyetin bregdetar. I përshëndes dhe largohem e lumtur.
Ende pa kaluar shumë hapa, qëndroj një hop e mendoj:
” Dita sjell kaq të papritura, sa çdo sekuencë e saj të kthen në fëmijë, të zhyt në nostalgji e kujtime të largëta, pastaj të orienton drejt prirjeve të tua, të ndesh me njerëz që nuk i njeh dhe në fund kupton se çdo gjendje ekzistence kalon përmes kuptimeve për të qenë, ndier dhe vrapuar në hapësirën kohë.