Ndodh që një bisedë mund të fillojë nga e kundërta, përmbys dhe si në marramendje kërkohen argumentat për të mbrojtur idetë që parashtron. Keqkuptimi i krijuar mes tyre kishte nisur kështu, gati mosbesues dhe me hije të shumta dyshuese. Ata komunikonin mes tyre me nervozizëm të tepruar, dhe pse në raste të tilla mund t’ia lije vendin heshtjes, por dëshira e fshehtë dhe pse kaq rrëmujshëm i shtynte të qëndronin bashkë e të diskutonin sa më gjatë.
-Mos po më merr për naive?- thirri ajo. Mendon se nuk jam në gjendje të dalloj iluzionet e tua të stërbluajtura mirë në mendje, të cilat i paraqet para meje si konceptet më të fundit, por që s’ përbëjnë asgjë më shumë veç përsëritje të pafundme dhe thuajse të lodhshme.
– Më vjen keq, që më ke keqkuptuar kryekëput, por në mendjen time nuk ekzistojnë fiksione të tilla që të vendos në dyshim autoritetin tënd dhe aq më tepër konceptet e tua për gjithë botën përafruese.
-Ti nuk po arrin të kuptosh as një fjalë të vetme, madje asnjë transkiptim tingulli. Të urrej ty dhe atë vështrimin tënd mospërfillës, që për mua mbetet shqetësues dhe shumë çorientues.
Pasoi një heshtje, ku dy vështrimet mbeteshin të fiksuar tek ajo imagjinatë që sillte të tjera imazhe, por dukej se sot kishin pësuar një krisje të madhe dhe po thyheshin e rrëzoheshin para këmbëve të tyre.
-Përkundrazi, me rrëfimin tënd gjithë pasion ringjalle tek unë kujtime të së shkuarës, gjendje shpirtërore që më ngacmuan dhe u rikthyen si prej mjegullave më të errëta.
-A beson tek Zoti ti?
-Unë…! Nuk mund të them që nuk besoj. Kam respekt për të gjithë ata njerëz që shikojnë një udhërrëfim, gjejnë qetësinë dhe paqen e tyre shpirtërore.
– Nuk di pse e keqja është e shëmtuar, shpesh bëhet vrastare, kurse e mira është e mrekullueshme, e dëlirë, gati e pafajshme, por di që kufiri mes tyre nuk ekziston.
Marrëzia dhe absurdja kishin prekur cakun e gjenialitetit mendësi. Diku ngrihej një perceptim për atë se çfarë përfaqëson në thelb vetë njeriu, si formë ndërgjegjie dhe ndjesi, por dhe si qenie konfuze, të cilit shpesh i ndodh të endet viciozitetit pakuptimësi ose ankthit që e kufizon në idolet e ngritura po vetë prej tij.
-Cili është synimi yt i jetës?
Asgjë nuk është e prerë. Jo të gjitha mund të shpjegohen, sepse qëllimet e çdo individi kapërcejnë dhe vetveten. Mund të them që ne jemi njerëz në rendje dhe përpjekje për tu lartësuar dhe arritur përkryerjen. Më pëlqen natyra jote zhbiruese, që kërkon të depërtojë gjithkund, të dijë gjithçka, – buzëqeshi ai.
-Unë e pranoj që mund të jem tip i mbyllur, por nuk e di pse ty në mënyrë krejt të pavetëdijshme të kam shprehur gjithë fshehtësinë e botës sime. Ndoshta natyra jote është më shumë se kaq, ose më shumë se misterioz. Nuk e mohoj që para teje zhvesha të vërtetën time lakuriq.
Qëndroi për një moment pa lëvizur, i menduar dhe në atë moment i hipi një dëshirë për ta përqafuar me sinqeritetin më njerëzor. Ajo për të nuk përbënte naiven, apo ca më keq të ishte një lodër që ai mund të luante, por një shëmbëlltyrë dëlirësie, të cilën e donte shumë dhe përpjekja e tij konsistonte tek gjithë reputacioni i saj në referim me grishtësinë e mjedisit që rrethohej. Ai e mirëkuptonte lodhjen e saj të ditës, ngarkesat e punës, përpjekjen e saj për tu përballur me sfidat e artit që jo rrallë e shtynin deri në orët më të vona, kuptonte dhe raportet njerëzore artist – komunitet, apo kontradiksionet mes tyre dhe një ndjesi dhembshurie e përfshiu të tërin. Qëndronte në këmbë pa folur, përtypte mendime që regëtinin shumë larg, por beftas e kapi një një shqetësim. E pushtoi tmerri dhe pikëllimi, i cili lexohej qartë në sy dhe rëndoi si plumb:
“Po sikur ta humbiste, si mike”
Ata kishin punuar bashkë për shumë projekte dhe ishin ndier mirë bashkë. Ndërsa sot ishte krijuar një tjetër situatë dhe aq më tepër që ai e njihte mirë temperamentin e saj të rrëmbyer e ndoshta duhej të tregohej shumë më i rezervuar. Nuk po arrinte të gjente në komunikimin e tij asgjë që ta kishte lënduar. Era e ftohtë përkundëte kreshtat e drurëve të zhveshur, rrugët e ngushta dhe të lagura ishin bërë të rrëshqitshme, ndërsa ata qëndronin përballë njëri- tjetrit, sikur donin të zbulonin të fshehtat e tyre më të mëdha .
Ai ndiqte me sytë e tij të zinj, pa shumë shkëlqim, por gjithmonë të qetë dhe dashamirës ndaj çdo lëvizje të saj. I pëlqente të shprehte preokupimin e tij të pazakontë.
-Jeta është një përpjekje që duket si e mundimshme, kurse vdekja është një formë paqe për gjithë kalvarin që kalon njeriu ,- tha me zë të ulët ai.
-Ke filluar të besosh në të përtejmen e përjetshme?
-Jo, jo! Është si të përshkosh një udhëtim, ku gjithkush rend për në stacionin e fundit. Kur ndalet koha nis përjetësia. Koha është moment që kalon përmes syve, do e quaja më shumë një mundësi më tepër që të jepet për të lenë gjurmët e misionit të ardhjes në këtë botë.
Ajo po hetonte e vrenjtur mendimet e tij të veshura me fjalë, do të donte ta pyeste përsëri, por nuk guxonte, pasi i dukej se do mbyllej në vetvete hermetikisht. Kishte filluar ta njihte natyrën e tij, pse jo i pëlqenin këto lloj bisedash, dukej sikur e kapërcenin dhe e zhysnin në imagjinata të tjera, gati pakuptimësisë së asaj bote që duhej të ftillohej e shfaqej më e kthjellët para arsyes njerëzore. I duhej të shkonte, kishte një punë që duhej ta përfundonte patjetër. U largua, ndërsa rruga dukej sikur reflektonte gjatësinë e mendimeve, që tashmë kishte tjetër ndriçim dhe shkëlqente pa reshtur në ngjyrime pa fund.