10.5 C
Tiranë
E premte, 24 Prill 2026

Marjeta Shatro Rrapaj

Balancat e masës
Ai pasi kishte ikur, ishte gjendur mes një rrëmuje të shkaktuar për pronat, vendosje e mbivendosje certifikatash pronësie nga zyrat e regjistrimit, aq sa nuk arrinte ta besonte. Mendimi më i parë i shkoi të përballej me protagonistët e rrëmujës, por pasi u qetësua disi e kuptoi që nuk ia vlente dhe për më tepër jetohej në një kohë ku një pronë posedohej minimumi nga shtatë pronarë të ligjshëm. Qeshi me ironi dhe ndërroi drejtimin e rrugës. Vendosi të kthehej në shtëpi.
E shoqja e tij, e cila sigurisht dëgjoi hapat i doli përpara e shqetësuar:
-Erdhe më në fund? Të paktën mirë që gjete strehën për t’ ju fshehur realitetit e për të kërkuar qetësinë tënde, meditimin apo konceptet e tua për botën.
-Erdha,- tha ai, dhe improvizoi një buzëqeshje të lehtë, larg asaj dëlirësie që e karakterizonte. Pastaj vazhdoi:
“Shoqërisë sonë makroekonomike, bilaterale, partnere strategjike nuk i duhet më arsimi dhe shkenca ca më pak. Ata kanë nevojë për luks e pasuri. Nuk ka rëndësi se si arrihet kjo, me apo drejtësi, ligj apo Maliq, rëndësi ka që të nesërmen të zgjohesh i kamur. Harrojnë që çdo vend është ndërtuar nga idetë dhe mendimet gjeniale të njerëzve më të shquar. Këta e kanë mendjen të hanë e pinë rrugëve e të dergjen para dyerve të zyrës, ku shesin e blejnë lëkurën e tyre. Mjerë atdheu ynë për këto krijesa të vobektëta, lakmitare e amorfe, që kanë humbur çdo ndjesi njerëzore. Mendja e lartësuar është privilegj i një pakice, por gabimisht e zotërojnë njerëz të veshur me pushtet, të cilët sillen si despotë. Nepsi i tyre hazdiset për qejfe, për dehje, hargalisje, thashetheme, servilizëm e spiunllëqe. Duhet të livadhisësh në kohën e këtyre kodoshëve, që të bësh pak katandi. Mendja e kthjellët duhet shtypur dhe degraduar që të mos ngrejë dot kokë. Po shtohet sjellja totalitare dhe po ndiqet në verbëri nga turma e skllevërve të padijes. Pastaj duhet dhe një apokalips, ndryshe do të hamë njëri-tjetrin, duhet ruajtur ndjenja e masës, nuk duhet të zërë vend monotonia, se ajo bren nga brenda dëshirat dhe kërkesat e kohës. Ja prsh në këtë botë, për mua vetëm ti je më e mrekullueshmja, pasi ti më dëgjon, ke më tepër çiltërsi nga sa duhet dhe naiviteti të shtyn që të vuash sinqeritetin tënd ”.
E shoqja e vështroi në sy dhe në mollëz të faqes së tij vuri re një lot. E kuptoi që ai po e bluante me shumë hidhërim dhimbjen e shkaktuar dhe e afroi më pranë vetes. I ledhatoi lehtë kokën dhe u mbështet në gjoksin e tij:
“E di që je më i ndjeshëm se ç’ duhet, prandaj na duhet të jemi më të fortë. Ne nuk jemi bashkë vetëm për ditë të mira, por dhe ditë të vështira. Gjithsesi nuk besoj se do arrijnë dot gjer tek lartësia emrit që e ke ndërtuar për vite e vite me radhë”.
Pamja e tij ndryshoi menjëherë, njëlloj si i një fëmije të pafajshëm, i cili ishte prekur në sedër vetëm për një moment, por që shqetësimi ishte larguar bashkë me retë e kësaj dite, dhe dielli nisi të shkëlqente njëlloj si më parë.
Shkëputur nga libri:”Regëtima pulëbardhash”
Nga shkrimtarja

Marjeta Shatro Rrapaj
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.