Kërkimet shkencore, zbulimet, shkëmbimet, leksionet, tekstet universitare, monografitë, librat, projektet, artikujt e konferencat, janë ngjarjet e shënuara, që ndërtojnë historinë e jetës së një profesori.
Dëshiroj që çdo anëtar i Universitetit të Tiranës të shohë në CV-në time pasqyrën e një jete të gjatë, të udhëhequr nga pasioni e përkushtimi shkencor. Këtij shqyrtimi nuk duhet t’i shpëtojë asnjëri nga kandidatët për rektor. Secili të shohë tek ne modelin, ose jo, të një kariere të ndershme e promovimesh të merituara universitare, pa kapërcime e pa akrobaci, që do të cënonin që në fillim imazhin e rëndësishëm akademik të Rektorit.
Ndokujt jashtë universitetit mund t’i duket hutues numri i madh i aktiviteteve dhe rëndësia e produktit tim shkencor. Por, mund t’ju them me krenari se në Universitetin e Tiranës ka shumë profesorë me zë në fushat e tyre, me përvoja shumë të pasura, me botime prestigjioze e me impakt ndërkombëtar.
Mund t’ju them gjithashtu që masa e madhe e pedagogëve më të rinj bën përpjekje të jashtëzakonshme për promovim akademik, megjithë kushtet tepër të vështira. Të braktisur tërësisht nga institucioni i tyre në këtë betejë, ata duhet t’i bëjnë vetë ballë çdo shpenzimi që nevojitet për një jetë aktive shkencore.
Universiteti i Tiranës duhet të udhëhiqet nga vizioni i mbështetjes së kërkimit shkencor të çdo anëtari të tij: buxhet real për zhvillim projektesh, i çliruar nga prangat burokratike, i cili mundëson dhe shpërblen punën e pedagogut; fond individual vjetor mbështetjeje shkencore për secilin nga anëtarët e personelit akademik; lehtësim shkëmbimesh e vizitash shkencore; investime me fokus laboratoret; mbështetje institucionale për aplikim në projekte europiane e ndërkombëtare; sistem vlerësimi i modeleve të suksesit akademik; pjesëmarrje e studentëve të shkëlqyer në kërkim shkencor; revistë universitare e rikrijim i Shtëpisë Botuese të Universitetit.
Le t’i japim frymëmarrje shkencore pedagogëve tanë të shkëlqyer!
Akademizmi i tyre do t’ia kthejë dinjitetin universitetit dhe do ta bëjë krenar çdo shqiptar për këtë qendër të madhe të elitës së vet.