AS PAS VDEKJES NUK DUA TË MË AFROHEN…
Plagët nuk pranova për asnjë çmin t´i shes
Më mirë i varfër se i poshtëruar dua të vdes
Se sa të shitem për një kolltuk apo ndonjë cep
Si ti o Laro që na e shite atdheun, për një lek…
Zërin tim gjithnjë lart e më lart si njeri e ngrita
Komb e atdhe qysh kur kam lindur nuk i mbyta
Më mirë të vdes i lirë e me faqe të bardhë
Se sa brez pas brezi të mbaj emrin tradhtar.
Sa të jem gjallë kurrë nuk do t`iu përkulem, o hajna
Këtë amanet që para vdekjes ma ka lënë nana
Amaneti i saj duhet çuar në vend patjetër
Se nuk dua të vdes ashtu si një letër e djegur.
Edhe pasi të vdes një ditë dhe të iki nga kjo botë
Nuk dua palaçot të “derdhin” para meje asnjë lot
Nuk dua që ndonjë hajn tek varri të më lexojë referat
Ju lutem mos më lini të tillë të më afrohen ngat.
As pas vdekjes nuk dua të më afrohen pisat te varri im
Kurrë nuk dua të ma përmendin as emrin tim.
Testamenti do të jetë në vargun tim të poezisë
Që pranë varrit mos ta shoh fytyrën e delenxhisë.
E dua aq shumë vargun e ëmbël të poezisë time
Gjithnjë e kam kënduar në gjuhën e nënës sime
Unë do ta këndoj përjetësisht derisa të vdes
Besnik tërë jetën ashtu si trimat dua t`i mbes.
Edhe pasi të vdes dua që fjalën mos ta dorëzoj
Që kodoshi i kodoshëve të mos ma censuroj
Kurrë nuk kam pranuar vargun dikush të ma lidhë
E si gjizë për qejfin e tij askush të ma shtrydhë.
Gjithkund në fusha, male… unë renda
Ta fus vargun e poezisë në shpirt brenda
Kurrë nuk ia fala poezinë atij faqeziut
Hajnit, tradhtarit, hipokritit… e delenxhiut
Unë nuk pranoj të më japë dikush ca lodra
Që të më mashtrojnë si fëmijët me lojëra
Të më thonë fluturoi, fluturoi edhe bualli
E nëpër ujë lundron i vetmuar tamam si kungulli.
Jam një rebel i madh shqiptar me qindra vjet
Gjuha e ëmbël më kujton se këtu jam mbret
Nuk dua asnjëherë ta vras fjalën time pa huqe
E të përdridhem një ditë vetëm për ca kolltuqe.
Zëri im poetik askund nuk mund të ndalojë
E bashkë me metaforat gjithherë të protestojë
Ndaj valles së dreqit dhe atyre sojit të shtrigave
Që dikush të luaj me të ardhmen rolin e lavirave.
Poet ngrije zëri tënd e mos u ndal para bishave
Të ca injorantëve pa peshë e gjithë atyre pisave
Që për çdo ditë na krijojnë ca partiçka politike
Për interesat e tyre e për të bukurat karrige.
Ngrije zërin poet kundër ca “pseudoatdhetarëve”
Këtyre të sotmëve e disa të ringjallur të të parëve
Që neve për interesat e tyre edhe na ndanë
Vëllai me vëllanë kur deshën ata na përçanë.
Si mund të mos ngrihemi e të qëndrojmë
Para syve të fëmijëve ne të mos reagojmë
Ndaj të tillëve që me përralla popullin e mbajnë
E me varfëri e padrejtësi për së gjalli na ndajnë.