NJË ATDHE, NJË GJUHË E NJË FLAMUR
Nga shekujt e shkuar e gjer më tani,
Pas na ka ndjekur hija e urrejtjes.
S’kemi kuptuar se ajo sjell vetëm zi
E na ka afruar më pranë vdekjes.
Gjithnjë, të përçarë dhe të vetmuar,
Sejcili në mendje e gjykimin e tretur.
Se jemi vellezër, shpesh kemi harruar
E n’udhëkryqe, të vetëm kemi mbetur.
Symbyllur e qorrazi deri më sot erdhëm,
shkelur mbi ferra e gjemba si plumbi.
Pengje të së kaluarës vetë i mbetëm
e jetën e lamë mjegullës të na humbi.
Kohën që iku dot më nuk e kapim,
Ajo, shkoi me të mirat e të ligat e saj.
Kohës që jetojmë t’i ndryshojmë hapin,
E nesërmja, të mos ketë më lot e vaj.
Le të heqim vëllezër çdo mur ndasie,
çdo farë urrejtje skutave thellë futur.
Bashkë të ecim mbi krahë dashurie
E jetën ta bëjmë zonjë të bukur!
Një Atdhe, një gjuhë e një flamur,
të jemi të bashkuar tok na ftojnë.
Vëllezër e motra! O sot, o kurrë,
shpirte e zemra duhet t’i ndriçojmë!
Erdhi ora e Zotit të heqim të ligën,
Të ndajmë të zezën nga e bardha,
Ta hedhim, të keqen, cmirën, frikën
E të vrapojmë gjithnjë e përpara!