Mora udhën që të eci në drejtim të dritës
Prapa meje fshehtas më ndiqte hija ime
Si bishë e egër diçka brenda më ulurinte
M’pengonte udhës të ecja me veten time
Ngatërrova udhën ta transplatoja fytyrën
Të hijes e të vdekjes në bashkë udhëtim
Kjo botë e çuditshme ecte e pandalshëm
Me këmbë të dashurisë e duart që vrasin
Këmbët shpesh t’çojnë në dobi të kusarit
E duart të përkëdhelin në gjendje të dehur
Sa herë jemi mbytur n’cektinë prej gabimit
Në të fshehtë mes dallgësh kem shpëtuar
Udhës të kapërceja të jashtëzakonshmen
Kufijtë e përçarjes më kishin vënë pritē
Nuk e di për sa kohē pezull më mbajtën
Me pushtetin e humbur nga drejtpeshimi
“”””””””””””””””””
Telat e mërisë i kalojnë kufijtë
Dridhen në të paarritshmen e tyre
Me rrëmbim u shtrihen çudirave
Të sajuara prej thashethemeve
Veshët i kanë të mprehtë e nxitës
Për turbullira si zëra fëshfëritës
Dhe flasin në mungesë të provave
Sikur janë e vërteta para diellit
Mēria është çmenduri e shkurtër
Por që telat i ka shumë të gjatë
E shkurton ditën me fërkimet e tyre
Sëmundje e zezë që vret pa shkak
“””””””””””””””””
Edhe librat vunē maska
I mbuluan ballinat
I dezinfektuan germat
Gojën e mbyllën fjalët
Vetëm me sy t’i prekësh
E me veshë t’i dëgjosh
Leximin e tyre nē heshtje
Mund që ta shijosh
Mos t’i prek Coviti
Lirshëm të frymojnë
Truri mos t’u myket
Çelësi i kujtesës sonë
“””””””””””””””
Ka rrezatimin e pasqyrës së jetës
Ajo që e ruan sekretin e fortësisë
Dritë e dashurisë çelës i kujtesës
Ndez sy të shuar përmes magjisë
Ajo mirësi e pafund afër dhe larg
Si fushë magnetike e dashurisë
Me natyrën e saj të tërheqë lart
Dhe të mbanë pa shtylla pa litarë
Të drejton rrugën që vjen nga ti
Nëse dashurinë e ke të humbur
E magjepsur depërton në thellësi
Njëri-tjetrin që ta bëjë të lumtur!