ENVER LAÇI SHTATËDHJET VJEÇ…
Shkruar nga:
Abdurahim Ashiku
Kush e gjen se çfarë dite ka qenë kur ka le Enver Laçi?
Enveri, atë ditë të bukur 9 gusht 2019, mes gëzimit të 50 vjetorit të maturës së shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”, në tubimin me rastin e 70 vjetorit të ditëlindjes së shokut të Klasës Xhevat Dani e nisi bisedën me humorin karakteristik të tij me pyetjen në publik: “KUSH E GJEN SE ÇFARË DITE KA QENË KUR KA LE XHAVAT DANI”…
“…Të flasësh në një moment gëzimi është e vështirë. Unë do t’ju mërzis nja pesë minuta.
Në funksion të fjalës që mbajti vëllai, shoku im Ismet Boka. Diogjeni i famshëm, filozof i lashtësisë greke që ka vdekur në vitin 327 para Krishtit një ditë del në Athinë me një fener të ndezur. E ndalin në rrugë dhe e pyesin se ku po shkon…
Zëra: Është e vërtetë kjo?
Po kërkoj një njeri…
Zëra: Kam hall mos na rrejë që tashti…
Jo, jo. Ky është njeriu, shoku, kolegu, drejtuesi i ndërmarrjeve dhe kooperativave. Xhevat Dani i biri i Shefkiut dhe Servetes ka lindur më 9 gusht të vitit 1949. Kush e gjen se çfarë dite ka qenë?
…………………..
Ka qenë ditë e martë…
Krisi pushka dhe tha lagjja se i ka le një voc Shefki Danit.
U flasin edhe daxhat në Gjoricë ke Leket se është fati që unë e dua shumë dhe…
Dy data mbaj mend unë.
Zëra: Mos na i ço dy gishtat lart se…
Dy data mbaj mend unë nga e marta, Lindja e Xhevat Danit në shekullin e 19-të dhe rënia e Kostandinopojës më 29 maj të vitit 1453.
Zëra: Me Xhevatin domethënë kombinon?
E marta nuk është ditë terse, është besëtytni pagane prandaj ty të ka ecë kaq mbarë.
Elementi tjetër i gëzimit në këtë trapezë është se, siç tha Ismeti u hap një dritare e re për të parë kapacitetin kulturor të familjes dhe atë elementin tradicional që shumëkund mungon.
Më të respektuarin këtu në trapezën tonë janë jabanxhinjtë jashtë Dibre që fillojnë me shkodranët se me Tiranën kemi simbiozë, me Gjergj Tonin, Engjëllin, Zefin, Ramizin nga Kruja, Halilin, demokrati im…
Pjesëmarrja e një mësuesit tonë, nuk e kishim pritur që profesor Ashiku të jetë pjesëmarrës në gëzimin tonë.
Gëtja i famshëm, gjermani Gëte thotë:
Zëra: Obobo, filloi…
Zëra: Gjermani i fundit kur ka ikë…
Zëra: Më 28 nëntor…
Zëra: Nuk ka qenë luftëtarë Gëtja or ti…
Edhe Marksi e ka cilësuar gjermani më i madh…
Johan Gëte thotë: Të gjithë ata që na japin mësim ne, presje, vërtet quhen mësuesit tanë, por jo të gjithë e meritojnë emrin të tillë. Profesor Ashiku bën pjesë në elitën e mësuesisë kombëtare. Nuk ia bëj kompliment sepse nuk kam asnjë interes. Pena e tij është me vlerë kombëtare e jashtë kombëtare.
Dante Aligeri thotë një fjalë të drejtë: Ata që mbajnë qëndrim indiferent ndaj shoqërisë kur ajo është në krizë sociale e kanë vendin në ferr.
Ndërsa profesor Ashiku e ka përdorë armën – penë që nga artikulli i parë në numrin e parë të gazetës “Ushtima e maleve”, ndonjëri s’e di, le ta mësojë, e deri në këtë moshë.
Unë u befasova për rininë e tij që i ngjan një amerikani të cilët përdorin një fjalë: Amerikanët jetojnë gjatë por vdesin të rinj.
Unë: Mos vazhdo shumë se atëherë do të tregosh edhe historinë e tre mrekullive të Gjurë Reçit. A i din ato tre historitë?
Ai: Frigoriferi në shkëmb, burri me fustan dhe rrëzimi i sekretarin mbi saç…
Rrofsh dhe na ftofsh në njëqindvjetorin e lindjes!
Shëndeti i familjes Dani me gjithë brezat që ke…
Zëra: Ulu, ulu, shkurtoje pak shiritin...
Dhe paçim rastin që t’ju vijmë përsëri. Lum si ti për djem e vajza dhe për nipër e mbesa.
Shëndeti i gjithë atyre që ne nuk i njohim por që i shohim sot këtu. Gjithë miqësia e gjakut që keni. Dhe kaq.
Hajde gëzuar Xhevat Dani!
Zëra: Të lumtë goja shoku Enver!”
* * *
Enver Laçi më 3 gusht më kishte ftuar në ditëlindjen e tij të shtatëdhjetë…
Enverin e kam pas nxënës në shkollën e mesme bujqësore “Nazmi Rushiti” një gjysmë shekulli më parë…
Enverin, kullën e Laçe në tre poda maj kodre, aty ku ndahet Gjueë-Reçi me Arrmollën, e kam në sy, në mendje, në shpirt…në gurët që e lartojnë, në trarët që ndajnë katet e mbajnë çatinë, në njerëzit aq mikpritës sa ta bëjnë borxh për tërë jetën.
Me thënë atë të shpirtit doja që me Enverin dhe me shokët e tij të klasës të ulesha në Kullën e Laçe, atje ku lindi, atje ku u rrit, atje ku një ditë zbriti për tu shkolluar më lart e për tu bërë një njeri i ditur Enver Laçi…
Nuk qe e mundur…
Enveri tash ka zbrit ultësirave, atje ku ka më shumë bukë e më shumë punë…
Shokët e Enverit, ata me të cilët jetoi dhe gëzoi katër vite të bukura të shkollës së mesme, kanë vendosur që ditëlindjet ti festojnë bashkë atje ku jetojnë e punojnë, atje ku kanë burrëruar djem e vajza, atje ku marrin përdore nipër e mbesa.
Vitin e kaluar vendosën që ditëlindjet ti bëjnë duke më vënë nëkrye të vendit…
Jam i nderuar…
Madje, për të më lehtësuar mua thanë që ditëlindjet do ti bëjmë njëra pas tjetrës në muajin gusht të çdo viti…
Jam i respektuar si asnjëherë…
Ftesën ma përcolli organizatori, njeriu që tash sa vite për gëzime (por edhe për hidhërime) i bashkon në këngë dhe në lot, Hamza Hyka. Ai më shkroi:
Përshëndetje,
Uroj të jeni mirë familjarisht.
Herë pas here dhe shpesh herë kemi lexuar postimet tuaja në facebook, kemi pëlqyer apo dhe komentuar për ato.
Desha të di a vjen dhe kur vjen për pushime në Golem se me datë 3 Gusht Enver Laçi bën 70 vjetorin.
Enveri dhe koleget e tjerë duan të dinë për pjesëmarrjen tënde…
Më fal Enver Laçi…
Më fal Hamza Hyka…
Më falni nxënësit e mi…
Do të vija me vrap e me dëshirë të madhe…
Do të vija se ju nderoj dhe ju dua shumë…
Më falni po nuk mund të vij…
Nuk më lënë me ardhë…
Më dhemb zemra…
Më digjet shpirti…
Qëndroni bashkë…
Me zemër e shpirt siç keni qëndruar gjithnjë…
Kjo flamë do të kalojë.
Me siguri do të kalojë…
Dhe bashkë do të gëzohemi në ditëlindjet tuaja…
Dhe tash po u pyes: A iu përgjigj kush pyetjes:
KUSH E GJEN SE ÇFARË DITE KA QENË KUR KA LE ENVER LAÇI?
Ma tregoni…
Më gëzon e më jep krahë.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 10 gusht 2020
-
-
KU E MBLODHE ATË TUFË LULESH ANTHULLA TILI ?
Rreth e rreth Shkodrës jam sjellë
Lule m’lule tuj shetitë…
Ishte e vështirë për me e gjetë. Ishte fare pranë, por edhe fare larg. Unë e gjeta me një fletë harte në dorë. Të tjerët e gjetën duke pyetur…të pa diturit. Rrugës Marku Avriliu i mungonte numri 5, por nuk i mungonin tingujt e një pianoje. Damarët e gishtave të Sandër Çefës nuk janë plakur, i përcjellin shputat e rrudhura të gishtave mbi tastierë me shpejtësinë dhe harmoninë e një të riu. Nuk plaket or jo Sandër Çefa. Nuk plaket or jo shpirti i Sandër Çefës. Jeton në zemër e lulëzon në gishta. Dhe kjo, veçanërisht kur ndodhesh përpara pianosh të mrekullueshme, siç i quan ai me një lulëzim gazi mbi fytyrë pianot e shumta në çdo sallë e në çdo holl, kat pas kati të ndërtesës së Universitetit Amerikan Indianopoli, me themele midis themeleve të Akropolit të lashtë.
Ishte e vështirë për me e gjetë. Ishte fare pranë, por edhe fare larg. Ndaj edhe salla, një auditor i gjerë i Universitetit, kishte vende bosh kur duhet të ishte plotë e përplot, madje të zgjerohesh e zgjerohesh deri në hapësirën e një stadiumi të mbyllur. Këndohej muzikë live, si i thonë duke përdorë një fjalë të huaj, në vend që t’i thonë muzikë e gjallë apo këngë e gjallë, këndohej me shpirt, me zë që dilte nga thellësitë e tij dhe jo me “lëvizje buzësh” siç ndodh në “ stadiume “ e “buzukë” nga këngëtarë tregtarë ambulantë të këngës shqiptare…
“ Buqetë këngësh qytetare shkodrane – Anthulla” – bukur ia kanë gjetur titullin veprimtarisë kulturore. Edhe stema në ballë të sallës bukur është formuluar.
“ Karajfilat që ka Shkodra…”
Vërtet sa karafila ka Shkodra, nga ato karafila që Anthulla Tili i ka mbledhur “ lule m’lule tuj shetitë “ ?
Unë nuk i numërova. E si mund të numërohen karafilat kur njeri është më i bukur se tjetri, që ta marrin shpirtin e ta rrëmbejnë mendjen. Po të mos kishte thënë në fund të shfaqjesh Anthulla se ata ishin NJËZETË E TRE, unë, dhe të gjithë të tjerët, të rrëmbyer prej bukurisë dhe aromës së tyre, do të kishim thënë se janë pesëdhjetë, njëqind… E ku numërohen këngët dhe karafilat që ka Shkodra ?
Kur në një nga çastet më emocionante të shfaqjesh kori i të ftuarve do të shoqëronte këngëtaren e madhe lirike në një nga perlat më të mëdha të këngëve shkodrane e shqiptare, atë këngë që “ tue kërkue në mal e n’kodër” poeti ( që unë nuk ia di emrin ) “ veç n’nji kopsh t’bukur n’Shkodër “ do të thoshte triumfues “ Ty të gjeta lule borë “, Anthulla me djersën e punës në ballë dhe me emocionet e sallës në shpirt do të ulej në një nga stolat në radhën e parë të sallës. Atje, ndërsa salla mbushej nën tingujt e lojës në piano të të riut Juxhin Gjoni, gjeta rastin t’i them se ajo këngë, nga fundi i viteve pesëdhjetë ishte bërë e përbotshme. I thashë se kënga shqiptare “ Podsnjezhnik “ në rusisht ( lule borë ) ishte kënga më e kërkuar në Bashkimin Sovjetik të asaj kohe. I thashë se në korrespondencën që asokohe të rinjtë e shkollave të mesme shqiptare kishin me vajzat sovjetike kënga “ Lule borë “ kërkohej në fjalët shqipe dhe me notat në pentagram. E dinte, e kish dëgjuar, ndonëse nuk e kishte jetuar.
Çfarë titujsh të bukur, çfarë vargjesh të bukur, sa emocion, sa lirizëm sjell në shpirt kënga shkodrane ? Duhet ta jetosh momentin, ta kapësh e ta fshehësh thellë në shpirt tingullin, vargun, zërin…
Vajzë e mirë në Shkodër moj e vogëlo…
Kur më del në derë…
Mora thikën me pre mollën…
Të gëzojmë se erdh pranvera përsëri…
Ky marak, maraku i shkretë
nuk ma le zemrën të qetë…
Si dukat i vogël je,
eja shpirt e rri me ne…
Ti je krejt si një gonxhe…
Hajde moj, beja moj,
hajde lule moj shebojë…
Pranvera filloi me ardhë,
dhe bylbyli nis me kënu…
Margjelo, moj Margjelë…
… Këngët dhe meloditë i ndjej të më futen në shpirt. Por po aq po më futet në shpirt edhe figura, një vrapim maleve e fushave për të arritur në Shkodër, për tu ngjitur në Kala për të pirë pak qumësht nga gjiri i Rozafës, për të parë Drinin tek ndahet e Drinasën tek përqafohet me Bunën dhe me liqenin më të madh në Ballkan, për të parë pazarin karakteristik shkodran, rrugët dhe rrugicat, kishat dhe xhamitë që bashkëjetojnë në një unitet që nuk e gjen në asnjë vend të botës, udhën drejt maleve….E gjitha kjo në sajë të një projektori që i merr dhe i përcjell, për t’i marrë e përcjellë gjatë gjithë kohës pamjet që fsheh Shkodra.
Bukur ! Mall dhe këngë. Mall për mëmëdheun dhe këngë nga krojet e pastra të mëmëdheut. Ani se ato janë të një krahine, ani se ata janë të Shkodrës dhe vetëm të Shkodrës në rrënjë e në degë, në lule dhe në fruta, mbarë shqiptare.
Domethënia e saj është se ata luhen në piano nga një shkodran, nga Sandër Çefa dhe këndohen nga një këngëtare e Jugut, e pjesës më jugore të Shqipërisë, nga Anthulla Tili ( Malo ). Vend i vogël jemi, me një larmi kaq të madhe këngësh e melodish sa na e kanë zili, por edhe me një unitet në të kënduarit sa përsëri na e kanë zili.
Anthulla nuk është vetëm këngëtare, është edhe poete, edhe kompozitore.
Lefter Simoni, aktori i njohur në veprimtaritë e mërgatës shqiptare, reciton një nga poezitë e saj botuar në një gazetë të emigracionit.
“Shi nuk bie përjashta, thotë Anthulla,” ( megjithëse kur dolëm mbi Athinë binte shi e Tiranën dhe gjithë Shqipërinë, deri në Vlorë e Gjirokastër, e kishte mbuluar mbrëmjen e së shtunës një vello e bardhë dëbore )…” Por atë ditë binte. Pikëzat më binin mbi sy, mbi syze, më pengonin pamjen por nuk më pengonin vargun dhe melodinë që më dilte nga shpirti.”
Kështu lindi kënga që ajo e këndoi në shoqëri të dy fëmijëve, vëlla e motër, Enxhëll dhe Florida Miho nxënës të të shoqit, Spartak Tili. E bukur, emocionuese, fëminore, ishte kënga. Ajo, me siguri, do të ishte një ndër këngët më të bukura të fëmijëve në festivalin mbarëshqiptar që zhvillohet çdo pranverë në Shkodër, në mos kënga fituese, në mos një këngë e denjë për të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës. ( Çuditërisht Shqipërinë nuk e pamë të merrte pjesë në këtë festival në të cilin ishin të pranishëm, madje konkurrentë të mirë, fqinjët tanë në lindje e jug ). Çuditërisht, ndonëse themi që jemi një masë e madhe e shkëputur nga Shqipëria grupet nga emigracioni nuk pranohen në festivalet tona…
Ata dy fëmijë, më pas, do të luanin dhe këndonin edhe në piano. Ishin “lule” në “kopshtin” muzikor të Spartak Tilit. Ndoshta ndonjë ditë do ta shpërngul meditimin tim në atë kopsht që rrit lule Shqipërie. Spartaku ma dha fjalën…
Dhe vjen një çast kur ti ngrihesh në këmbë e duartroket, madje, me zë të lartë thërret “ Bravo “. Dhe ky moment vjen kur burrë e grua, Spartaku i njohur i muzikës dhe Anthulla e këngës, këndojnë bashkë në duet, kur Spartaku këndon solo këngët e veta, kur Anthulla e kthen orën e kujtesës pas, shumë vite pas, tek Lukë Kaçaj dhe Marie Kraja, dy njerëzit që ajo i ka pasur gjithnjë pranë në ngjitjen drejt skenës dhe këngës…
* * *
Kur u ula e gishtat prekën tastierën e kompjuterit thashë me vete të bëja një kronikë, një lajm, nga ata kronika dhe lajme që bëja kur isha gazetar i ATSH – së në një skaj të largët të Atdheut. Në lajm do të shkruaja…
…Të shtunën në mbrëmje, në një nga sallat e Universitetit Amerikan të Indianopulit në Athinë u zhvillua një koncert me këngë shkodrane të interpretuara nga Këngëtarja Anthulla Tili, shoqëruar në piano nga Sandër Çefa dhe në Violonçel nga Krenar Kana. Në koncert znj. Anthulla Tili këndoi 23 këngë të bukura shkodrane. Koncerti u drejtua nga aktori i njohur në emigracion Lefter Simoni…
Kur shfletova shënimet në të trembëdhjetë faqet e bllokut, ndërrova mendje. Mendova tu qëndroj besnik atyre shënimeve, atyre ndjenjave që përjetova unë dhe ata me të cilët kalova dy orë të bukura në mbrëmjen e së shtunës.
E di që nuk i kam thënë të gjitha. E si mund të thuhen të gjitha pa mbajtur diçka për vete, në shpirt e zemër ?
Abdurahim Ashiku
E shtunë, 15/12/2007