U enda nëpër kujtime .
M’u duk sikur dikush më foli:

– Ç’kërkon në të vdekur,o i gjallë ?!
-Ditët e bukura që jetova mes tyre,-iu përgjigja.
Mallin përvëlues që shpirtin djeg , rropatjen e ditënetëve bashkë me ta,
për ditë më të mira , brengat lotët dhe pritjet e gjata.
-Eja , eja, ktheje dhe ti një gotë!
Zëra të mekur që heshtjen e mbytën u dëgjuan gjithandej.
Hyra mes tyre , më shihnin plot ëmbëlsi e buzëqeshje.
I vështroja i habitur , m’u dukën të gjallë.
Hodha disa hapa , ndala …
Hapat e çrregullt që këllcisnin
mbi uraganin e lotëve dhe një drithërimë shpirti,
nisën të hidhnin vallen e harruar të dhembjes.
Mes dallgëve të dhembjes u gjenda mes tyre.
Ikonat e tyre vendosnin buzët e thara mbi buzët e zjarreve të shuar.
Mes dallgëve të dhembjes ,të dehur prej zhgënjimit dhe mashtrimit
të dimrave që ranë mbi ta , ata sërish vallëzonin valsin e lumturisë .
U luta me heshtjen duke hedhur vështrimin lart ,
bashkë me fjalët që rridhnin si ujvarë prej thellësisë së shpirtit .
Një puthje të nxehtë përzierë me lot malli u dërgova …
U largova me kokën pas duke kujtuar largimin e tyre .
Jashtë endej vjeshta e lotëve të mi , brenda shpirtit ,
dhembja copëza akullnajash kishte shkrirë …
Isha bërë qull prej lotëve të mallit .