Nga promovimi i vëllimit tim me poezi ” Τakohemi pas shiut”. Në tavolinën ballore Dhimiitër Prifti, Kozeta Zavalani, Mihallaq Qilleri, Aleksandër Çipa.
Një grua përkuli kokën në tempullin
E shpirtit tim të zvogëluar e shprishur,
Në tempullin ku tashmë perënditë ishin larguar
Dhe gurët e dhimbjeve kishin mbetur,
Ashtu të shpërndara në misionin e humbur.
Një grua përkuli kokën në tempullin tim,
Velon e zezë të mendimeve hodhi përmbi flokë
Dhe me dritën e bardhë pranoi të ledhatonte
Enigmën e syve të saj të thellë,
Trishtimin dhe pasigurinë e lutjes.
Një grua hapi dyert e shpirtit të tronditur,
Një labirint ëndjesh dhe dëshirash,
Të trazuara me mosbesimin për botën
Me dyzimin dhe zgënjimin e vetvetes,
Me ëndrra të copëtuara nga zjarri i rrufeve.
Një grua e çuditshme për një gërmadhë si unë,
Me mure të rrëzuar, rrokullisur rrugëve.
Unë i pashë sytë e thellë dhe u lebetita,
Shëmba gurët e mbetur dhe e mbulova
Me gabimin e fajit të përbashkët.
Në frymën time frymën ia përfshira,
Dyzimin së toku e ndamë si bukë të thyer,
Asgjë tjetër nuk mund t’i jepja më të vyer!
“””””””””””””””””””””
Ne endemi tashmë në skajet e kundërta të vetëdijës,
Dhe besojmë se rrugët tona po treten ngadalë,
Rrugët e blerta që dikur me mall i përshkuam,
Dhe me lulet e ankthit, të dëshirave i mbushëm
I zbraznim pastaj netëve e klithmave pa fré,
Janë shkretuar, rrafshuar e shuar për djall!
Ne endemi së skaje të kundërta të vetëdijës,
Vet kujtesa ka heshtur së vetmuari, së dhëmburi,
Po mjegullojmë të djeshmen për arsyen e thjeshtë
Se asgjë nuk ndjejmë për njeri-tjetrin, aq sa
Skajet mbeten të tretura në hapësirën pa dashuri.
Sa lehtë mund t’i ngremë përmendoret e harresës,
Ca gurë që më shumë varreve të pelegrinëve u ngjanë,
Gurë pa peshë dhe baltë gri nën vete, të lerosur
Gurë që mbulojnë plagët e shkretimit,
Ca plagë anemike me gjak tashmë të tharë..
Ne endemi në skajet e kundërta të vetëdijës,
Çuditërisht sesi dikur mund të kemi qenë aq pranë?!
____________