Dialog mes kohësh
E tashmja: E di ti që unë gjithmonë dua që ti të jesh më mirë se unë?
E ardhmja: E di dhe gjithmonë çuditem! Si mund të mos duash asnjë herë të vetme të jesh më mirë se unë?! Apo thjesht të jesh mirë?! Ti vetë, nuk dëshiron të jesh mirë?
E tashmja: Sigurisht që po! Por është shumë e vështirë.
E ardhmja: Çfarë të pengon të jesh mirë?
E tashmja: Po ja! Po ta shpjegoj shkurt. Përreth meje ka shumë varfëri, njerëzit janë të zhgënjyer, korrupsioni është shtrirë gjithandej dhe të gjithë janë të pasigurt për të ardhmen.
E ardhmja: Pra ti nuk mund të jesh mirë për shkak të të tjerëve?
E tashmja: Jo tamam! Edhe unë vetë jam e zhgënjyer, e lodhur nga përpjekjet për të mbijetuar dhe e revoltuar nga padrejtësitë.
E ardhmja: Çfarë ke bërë për t’i tejkaluar këto që përmende?
E tashmja: Ç’të bëj?! Hajt mo, si gjithë të tjerët! Nuk jam vetëm unë që vuaj. Kush më pak, kush më shumë, në një njëjtin batak jemi të gjithë. Ngushëllohem me këtë.
*******************************
E ardhmja: A ka diçka që të bën të ndjehesh mirë? Diçka që nuk do të doje të ndryshonte as në të ardhmen?
E tashmja: Po! Unë gjithmonë jam optimiste se e ardhmja do jetë më e mirë! Dhe nuk dua ta humbas optimizmin!
E ardhmja: A e di ti se edhe unë do ta gjej veten në të njëjtin batak ku po qëndron ti, në rast se ti nuk vendos të lëvizësh? A e di ti se unë nuk do mund të jem më mirë se ti, sado optimiste të jesh ti?
E tashmja: Nuk më pëlqen kur e thua kështu! Domethënë i bie që unë jam përgjegjëse edhe për fatin tënd të keq?!
E ardhmja: Në fakt Jo! Ti je përgjegjëse për fatin tënd të keq dhe, sado optimiste të jesh, vetëm me optimizmin tënd, fati im nuk do jetë më i mirë sesa i yti.