A të mëritojm oj nanë
( shqipnis tonë)

A të mëritojm oj nanë
Pash ujit që n’a e ke dhanë.
A të mëritojm oj nanë shqipni
Ma thuaj pash k’ta sy.
Pash këta sy që të shohin ty
Ty moj lulja ma e bukura në botë
Ty që të bajm shpesh më qajtë
E ti prej turpit i fshe ata lot?
Ndoshta ënde ke dhimt për ne
Ti që ditën ndritë, e natën s’ fle.
A të meritojm oj tokë e bekume
Qysh nuk mujtem njëherë më të ba t’bashkume
Me ti bashku ato pjesë të trupit
Të shkapërdedhuna, krejtë t’coptume.
Qysh bre nanë, na fëmijët e tu
As sot nuk po mujm me t’ bashku.
Po e hajm njani tjetrin
Sikur zagarët kur e shqyejn lepurin .
Ah moj nanë e dashtmja nanë
Nuk e di ç’mallkim n’a ka zanë.
N’a ka hy një dreç i zi
Dy shqiptar nuk i bën nji.
Të nji goje, as të një drejtimi
Sa mbjellem diçka të bukur, n’a e prishi krimbi.
Sa mendum se kapërcym gardhin
Bam, më dorën tonë e vrajm kalin.
Prap hapin filluam me ngadalsu
Se harrojm dorën më dorë më e shtrëngu.
E kur ne copat me ti pa të bashkume
E me t’pa ty oj nanë t’buzqeshun e t’lulëzume
Sikur ti që e ke meritu gjithmonë
Po ne oj nanë a të meritojm!
07.10.2020 Anton Marniku
“”””””””””””””””””””””””””””
Mos m’harro pash dritën e hanës
( amaneti i nanës)

Biri im, m’a mbaj ndez prushin e zhuritur
Fjalën ti o bir a ma jep!
Me ma ndez papë qiriun e fikur
Mos harro, fjalën as dheu së tretë.
.
Atë ditë, kur nuk do ndriçoj diell në këtë shtepi
Gjitha rrufet e qillit, në u derdhshin mbi atë lam
Fjalën amanet po ta la
Asgjë tjetër mos mbetë në shpi, shpirtin tim te dera kam me t’a lan.
Pra, o bir, shpirtin po ta la amanet
Mbaje me vete, se një ditë ka më tu gjetë
Ndoshta ndoj merzi e ranë ka më të kaplu
Mos harro, unë jam e para aty pranë m’e t’përqafu.
E në jetë, si gjithmon ka halle e halle
Vitet shkojn o bir, e mbesish i vetmum
Si unë dikur fillikat
Do vi o bir te shtrati e të puthi në ball
Aty më ke, derisa të mashtron ai gjumi parë.
.
Mos e le atdheun kurr ma o bir
Pash gjinin që t’a kam dhanë
Mos harro Mëmë e At
Deli zot dheut t’at.
Biri im, shpirti i nanës
Mos m’harro pash dritën e hanës!