19.5 C
Tiranë
E enjte, 31 Korrik 2025

KUVENDI I DUKAGJINIT.

 

Pjeter Nikolla

(Marre nga libri, “Mirdita dhe identiteti Kombetar”, 2009, f.64-67, autor. P. Nikolla, studiues e krijues letar.

KUVENDI I DUKAGJINIT

Kuvendi i Dukagjinit u bë në Orosh të Mirditës më 15 shkurt të vitit 1602 në kishën e Shën Aleksandrit të krahinës së Dukagjinit (Sant’ Alessandro della provintia di Ducagini). Me pjesmarrjen e 2565 delegatëve nga disa krahina të Shqipërisë

( Ugolini, L. “Pagine di Storia Venete”, dok.1, f. 22-23.; Dokumente për historinë e Shqipërisë të shekullit XVI-XVII…, dok . nr. 186, f. 271-275).

nga: Dukagjini, Dibra, Shkodra, Sapë (Zadrima me Lezhën), Mati, Kurbini, të Kruja, Petrela, Elbasani, Durrësi, Myzeqe, Padenia- Spindarica (?) .

Njoftimin për këtë mbledhje të rëndësishme e gjejmë në letrën e e botuar nga Luigi M. Ugolini. (Luigi M. Ugolini në “Studi Albanesi”, vol. III-IV, viti 1933-1934).

Në këtë kuvend u vendos që t’i drejtohen Republikës së Venedikut, me shpresën që do t’i ndihmonte në luftën me osmanët.

“Ne, krerët, pleqtë e parë të të gjithë popullit të Shqipërisë… një mendje me të tërë popullin… jemi mbledhur në vendin e dukagjinasve, në Shënllezhdër dhe kemi dhënë besën për t’i kthyer gjithë popullit të Shqipërisë lirinë e vjetër, si në kohë të prijësit tonë Gjergj Kastriotit.., i drejtohemi kthjelltësisë suaj për ndihmë…” (Doçi, Pal, “Mirdita vatër e qëndresës antiosmane” ,Tiranë, 1999, f. 127.20), 21)

Në letër Kuvendi i kërkon Venedikut ndihma për të fituar lirinë, “..siç e patën në kohën e Gjergj Kastriotit..”, si dhe që të pres si ambasadorë të shqiptarëve ipeshkvin e Sapës dhe Pal Dukagjinin. Gjithashtu ata angazhohen t’i venë në dispozicion dhe dyzetmijë luftëtarë, ndër më trimat.

Letra vazhdon më tej, që Venediku do denjojë t’i pranojë e mbështesë si shërbëtorë besnikë dhe të vërtetë. Së pari kërkojnë të caktohet nga Senati një Kapiten i Përgjithshëm për t’i qeverisur, ashtu siç do ta mendojë Venediku. Gjithashtu i kërkojnë Republikës që krerët kryesorë, të marrin poste oficerash, ata që do zgjedhë Serenissima, d.m.th Gjenerali i mësipërm, të bëhen Kolonelë, Drejtues dhe Kapitenë të ushtrisë, me atë rrogë që ajo do ta shohë të arsyeshme, të gatshëm për të jetuar dhe vdekur nën flamurin e Shën Markut. Po kështu i kërkojnë që të çlirohen nga pagesa e disa taksave dhe pranojnë disa të tjera. Së fundi luten që ajo t’i mbrojë nga çdo armik e t’i konsiderojë për gjithçka si qytetarë të saj.

Në shkresën që këta dy shqiptarë e parashtruan atje, përkujtoheshin bëmat e Skënderbeut dhe pohohej se në Shqipëri mund të mobilizoheshin në anë të Venedikut, 100000 burra, që do të rroknin armët për të luftuar kundër turqve. Katolikëve, të cilët ishin në gjendje të organizonin 40000 burra, do t’iu bashkoheshin edhe shqiptarët ortodoksë.

Ndërsa kuvendi zhvillonte punimet, turqit, të njoftuar mbas gjasave nga venedikasit, e sulmuan Dukagjinin e asaj kohe (pra Mirditën) nga dy anë: nga juglindja nëpër luginën e Matit në drejtim të Perlatit, dhe nga ana e lindjes, duke u nisur nga Dibra e Poshtme përballë Lurës. Dukagjinasit nuk qëndruan në mbrojtje, por kundërsulmuan me guxim dhe i zmbrapsën me humbje të ndjeshme forcat turke. (Zamputi, I. “Studia Albanica”, 1966, nr.1, f.18.22)

Firmëtarët, që në fund të letrës vërtetojnë me vulën e tyre sa më sipër, janë ipeshkvi i Stefaniakës dhe vizitator Apostolik për gjithë Shqipërinë Nikollë Mekajshi dhe ipeshkvi i Sapës dhe i Sardës Nikollë Bardhi.

Letra përmbyllet me firmën e abatit të Shën Aleksandrit fra Bernard Laçit, i cili e shkroi letrën “me urdhrin dhe konsensusin e krerëve dhe prijësve të mësipërm të gjithë Shqipërisë.

Kuvendi mori vendim për fillimin e luftës për çlirimin e Shqipërisë. Ky kuvend u drejtua nga Nikoll Mekajshi, Nikoll Bardhi dhe Gjin Gjergji. Po ashtu kuvendi vendosi që të nisen për në Venedik dy përfaqësues të tij, të cilët kishin për detyrë t’i deklaronin senatit të Shën Markut se, nëse nuk ndihmohet prej tyre lëvizja e armatosur e kryengritësve shqiptarë, atëhere krerët e kuvendit do t’i drejtoheshin një fuqie tjetër, e këtu bëhej fjalë për Spanjën. Por ndërsa Austria vendos paqen me turqit, Venediku nuk e ndihmoi Shqipërinë, përkundrazi u përpoq t’i ruante raportet paqësore me Portën e Lartë.

Letra firmoset më 15 shkurt të vitit 1602 në Shën Aleksandrin e krahinës së Dukagjinit (Sant’ Alessandro della provintia di Ducagini). Në letrën pasojnë firmëtarët sipas krahinave: të Dukagjinit Mirdit të s, Dibrës, të Shkodrës, të Sapës, të Matit, të Kurbinit, të Krujës, të Petrelës, të Elbasanit, të Durrësit, të Myzeqesë, të Padenia-Spaderica(?).

Të parët në krye vënë emrat: Gjin Gjergji, Gjek Laloshi, Gjon Qefalia, Gegë Dajçi, krerë e pleq të pare të krahinës së Dukagjinit.

Të parët që firmosën në kërkesën e drejtuar papës dhe fuqive perëndimore ,qenë krerët vendas: Gjin Gjergji, Gjeto Laloshi, Gjon Qafalia, Geg Zajsi, krerë dhe pleq të parë të krahinës së Dukagjinit. Vendimet u nënshkruan nga 52 krerët kryesorë, katër nga secila krahinë.

– Gjin Gjergji ishte përfaqësues i krahinës së Dukagjinit (Mirditë-Pukë) edhe në kuvendin ndërballkanik të Beogradit, mbajtur në vitin 1612.- Gjek Laloshi përmendet nga Arqipeshkëvi i Tivarit, Marino Bizzi, në një relacion të vitit 1610, si një ndër krerët e Fanit (Mirditë).

– Gjon Qefalia. Qefaliajt (Qefallar) janë një nga një fiset e vjetra të Oroshit. Përmenden në dokumente që në shek. XV.

– Geg Dajçi. Dajçi është një nga fiset e vjetra të Selitës. Përmenden në dokumente që në shek. XV.

Ka patur dhe ka ende mendime të pa argumentuara se, kuvendi i dukagjinit është bërë në këshën e Shën Aleksandrit në fshatin Dukagjin Mat!

Nga analizat e bëra mbështetur, në letrën e botuar nga Ugolini dhe të dhëna shkencore si toponime, referime etj, këto mendime bien poshtë.

Së pari: Fshati Dukagjin i Matit nuk përfaqëson Dukagjinin, sepse në letër thuhet tekstualisht: “Sant’ Alessandro della provintia di Ducagini” e pëkthyer: (Kisha e Shen Aleksandrit e krahinës së Dukagjinit), jo e fshatit Dukagjin. Pra Mati nuk bën pjesë në Dukagjin në atë njehsim, siç nuk ka qenë kurrë pjesë e Dukagjinit.

Në relacionet kishtare thuhet se me të marr vesh turqit për mbledhjen në kishën e Shën-Aleksandrit, pikrisht nga garnizoni turk i Matit u sulmua mbledhja në vendin e dukagjinve. Pra duket sa absurde është të mendohet se kuvendi u bë në fshatin Dukagjin të Matit, afër dislokimit të garnizonit të ushtrisë turke! (N.Doda Studime historieke f.44)

Së dyti: Në relacionet që i janë dërguar selisë së shejtë (për famullitë e Matit) thuhet: ”…Ka Shenllezhdrin me priftin e Shën-Ilisë…. vetëm 100 frymë janë të krishterë, të tjerët janë turq. Kurse po aty afër në kishen e Shën Lekës (Llezhdrit) në Selitë janë të gjithë njerëz të lirë me frymë të krishtera 1423….”. Si ç’shihet Kisha e Shënllezhdrit në fshatin Dukagjin Mat nuk kishte prift, aty vinte të shërbente prifti i Shën Ilisë. Si ç’del nga relacioni edhe në Selitë mund të bëhej mbledhja 100 herë më mirë së në fshatin Dukagjin Mat.

Së treti: Dokumentet historike shkruajnë, “…Ka pastaj Shën Llezhdrin të vendosur përmbi malet e Mirditës, e cila është Abaci e mitrueme dhe është kishë shumë në za ndër ato anë dhe me rentë të madh, dhe me nderim të madh…” (“Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë së Veriut dhe asaj të Mesme në shekullin XVI vëll. I (1610-1634)” Relacion i M. Skuraj, Tiranë, 1963, f. 247)

“…Kisha e Shën Llezhdrit në Mirditë dihet prej nesh se ka qenë, moti dhe tash abaci e mitrueme…..” (17. “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë së Veriut dhe asaj të Mesme në shekullin XVI vëll. I (1610-1634)”.Relacion i M. Skuraj, Tiranë, 1963, f. 247)

Së katerti: studiuesi Petër Bartëlkur pohon se: Në mesin e shkurtit të vitit 1602, në abacinë e Shën Llezhdrit (S.Alessandro) në Mirditë, u mblodh sërish një kuvend shqiptar, në të cilin u vendos t’i ofrohej Venedikut sovraniteti mbi Shqipërinë. (Doçi, Pal. “Vetëqeverisja e Mirditës”. Tiranë, 1996 , f. 6.)

Së pestii: Në letër thuhet, “…ne pleqtë, krerë dhe të parë të të gjithë popullit të Shqiprisë të mbledhur së bashku, një mendje me të gjithë popullin katolik të besimit romak ( perjashton të besimit mysliman), jemi mbledhur dymijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë veta nga kryesorët, të gjithë të mbledhur së bashku në vendin e Dukagjinit në Shën Alessandër…” (13. Ugolini, L. “Pagine di Storia Venete”, dok.1, f. 22-23.13)

Së gjashti: Në Relacionin e ipeshkvit të Sapës dhe Sardës, Pjetër Budi, dërguar më 15 shtator 1621, kardinalit Gozzadino. Sipas tij, në anën tjetër të Krujës janë dukagjinasit që kanë ngritur krye para 30 vitesh, dhe që kanë 6000 luftëtarë. Ata banojnë, sipas Budit, në malësi mbi Lezhë, ndërmjet Krujës dhe Shkodrës, ndërsa më tej është krahina e Matit. (Pjetër Budi, relacion dërguar Romës më 15 shtator 1621).

Së shtati: Nikoll Mekajshi , u shkruan kardinalëve të Romës më 25 korrik 1601, “Këtu në Shqipëri çdo vit bëhen inkursione nga ana e turqve kundër dukagjinasve, po ashtu edhe nga ana e dukagjinasve kundër turqve”. (Zamputi, I. “Projekti shqiptar për liri..” Tiranë, 1961, f.38).

Firmëtarët, që në fund të letrës vërtetojnë me vulën e tyre sa më sipër, janë ipeshkvi i Stefaniakës dhe vizitator Apostolik për gjithë Shqipërinë Nikollë Mekajshi dhe ipeshkvi i Sapës dhe i Sardës Nikollë Bardhi. Letra përmbyllet me firmën e abatit të Shën Aleksandrit fra Bernard Laçit, i cili e shkroi letrën “me urdhrin dhe konsensusin e krerëve dhe prijësve të mësipërm të gjithë Shqipërisë”.

Pra njëri në Ndërfanë e tjetri në Orosh në Malin e Shenjtë.

Nikollë Mekajshi është peshkopi i Shqipëris së Mesme (Revista “Leka “ 1936, f. 269-270 “Letër e pleqve të maleve shqiptare drejtuar Papës më 1.7.1593; Historia e Shqipërisë vëll. I.1959, f. 17-18).

Duhet theksuar se ndër pjesëmarrësit e kuvendeve të Dukagjinit morën pjesë klerikë katolikë, asnjë ortodoks dhe kler shekullar nga Myzeqeja e lart, ndonëse dokumentet u hartuan në emër të popullit shqiptar.(Zamputi, I. “Relacion mbi gjendjen e Shqipërisë në shekullin XVI-XVII vëll. II, Tiranë, 1963; Dokumente për historinë e Shqipërisë shek. XVI-XVII, vell. II”,. Tiranë. 1989, f. 4.)

Një vit më vonë, (1603) Nikollë Mekajshi, sipas porosisë së papa Klementit të VIII, hartoi një plan lufte për Shqipërinë nga Shkumbini e lart. (Zamputi, I. Dokumente për historinë e Shqipërisë shek. XVI-XVII, vell. II, Tiranë, 1989, f.98).

Pjeter Nikolla, studime historike. Marre nga libri. “Mirdita dhe identiteti kombetar” bot. 2009, f. 64-67.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.