13.5 C
Tiranë
E martë, 24 Mars 2026

Fran Tanushi

Shtatë poezi nga libri im i katërt;
SHKALLA E DIELLIT
***No photo description available.
TI QË MË VJEN E IKËN MË NATËN
Shfaqesh si një vetëtimë
rrufe në qiell pa re
yll i shkëputur në mesnatë
mbrëmë m’u diftove në ëndërr
mendova se të kam pranë
e mua më doli gjumi
të kërkova gjithë ku munda
t’i mbaja në mend vetëm sytë
humbe si një pikë uji në det
ëndrrat i more me vete
brenda qiellit të syve tu
edhe sonte mbeta vetëm
jeta s’qenka ëndërr
ëndrra një oqean i pafund
çelësin e portës dëshirave ua fsheh
***
PRITJA E VONUAR
Edhe sonte
ashtu si mbrëmë
tërë kohën nuk u bëra rehat
ndjeva se pritja u vonua
dënesja zvarritjes trasenë ia shtroi
pashë
tej dritares xhamthyer
kur diçka
drejt qiellit u ngrit
e pasi shkundi retë e rënduara
tek unë ra
***
RITI I FLIJIMIT
Rrugëve plot me gjemba mbushur
nën këmbë të zbathura gjakosur
pluhurin moteve ua kam shkundur
në uratim të fatit të (pa)shkruar
himnin e vdekjes mortit ia këndova
si të ishte këngë e fisit tim të lashtë
s’jam mësuar me ligjin e nënshtrimit
nga erdh ai që mbolli këtë farë
trishtueshëm në vete e ndiej kujtimin
koha e mbushur me përjetime
edhe lisat i plaku i bëri të brishtë
përballë motit t’sertë fatit iu përkulën
kurrë s’do t’ia mësoj ritin flijimit
atë rit të lidhur me mëkatin jetim
ku jeta vdes e vdekja lind
***
EKZODI
Sa çuna qe ikën edhe këtë vit
pa bujë e pa zhurmë
prej qytetit tim të rralluar
e harruan nëpër bulevarde
njomakët e rrugëve të kalldrëmta
fëmijërinë e tyre plot gjallëri
vrapuan strehëve të metropoleve
për një jetë me vasha veshur allafrënga
e minifunde të hapura në mes
në kërkim të mollës së artë
prej kopshtit të fshehur nga dielli
të një vjeshte të ardhur vonë
vajzat belholla përkundin ëndrrat
me mërzinë e pritjes së gjatë
të një kohe që nuk duket kund
***
KU MBET DASHURIA
Kot e kërkoni dashurinë
ajo ka ikur
labirinteve të jetës
dikush ia dha e tha
e rrëmbyen poetët
e futën në vargje
e kthyen në këngë
e gjëmën ia bënë
e fshehën
mes kopertinave të librave të trashë
prej të zezave ta shpëtojnë
***
KU RRI ZEMRA MË SHKON MENDJA
Ku rri zemra
më shkon mendja
dhe shikimi tret
si shpend shtegtar
flatrojnë mendimet
por largësia vret
zemër e trazuar
molisur nga pritja
e zërit që thërret
kur s’më shikon
t’harrova mos thuaj
se nga kjo vuaj
dhe pse u treta
nëpër dhera të huaj
mbahu mos u shuaj
prushit të zemrës
si gaca zjarri
forcë i jep malli
***
DY KOHË
Sonte dua të fle më herët
sall pse e dëgjova një fjalë të mirë
nesër nuk dua të dëgjoj sharje
asnjë fjalë të keqe mos të ketë
kur shohim ëndrra të mira
frikësohemi se do të ndodhë gjë e keqe
për ëndrra të këqija themi
e bëftë zoti mirë
edhe unë
sonte e pashë një ëndërr
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.