Mjeshtër i fjalës me muzën madhështore
Që me frymën e shpirtit di t’krijosh vargje
Dhe i hedh në letër metaforat bukuroshe
Më mëso dhe mua në skalitjen e figurave
Dua që ta peshoj me zemër fuqinë krijuese
Që ndër beteja mund ta magjeps dashurinë
Me urtësitë e shekujve do ta luftoj të keqen
Të atyre që me këmbë e shkelin mrekullinë.
Ti vjen që nga lashtësia gjer në kohën e re
Me skena t’llahtarshme udhëve të historisë
Nëpër mite e legjenda shndërruar shekujve
Me frymën e shpirtit i ke kënduar trimërisë.
Shembëll i frymëzimit i përjetëson vargjet
Dhe bën dritë mrekullie në sytë e njerëzve
E përmbyt ç’njerëzorën t’i hap udhën jetës
Mjeshër i fjalës me muzën madhështore!
“””””””””””””””””””””””

Shqiponjë krenare me krahë të tendosur
simbol i shpirtit heroik i fuqisë e guximit
tradhëtarët e shitur të çmendur, n’kthetra
me sqepin e fuqishëm bëji copë e grimë
Nuk e shohin lirinë e atdheut, diellin e tij
rrezatimin duan ta kthejnë n’ grila hekuri
tokë e qiell t’i mbërthejnë kokë e këmbë
syri yt i ndritur diellorë mos të shkëlqejë
E bashkuar me dy palë kokë e dy palë sy
qëndron në flamur ballë për ballë stuhive
s’frikësohesh nga asgjë vigjilente e lirisë
me kthetra i shqyen kobrat e gjarpërinjtë!