EJA MBLIDHUNI KËTU…
Skicë
Më intrigoi titulli I këngës së hershme.Po, dua të mblidhemi bashkë si dikur..
Njeriu ndjen mall kur rikthehet në rrugicat e vëndlindjes, në shkollën ku mësoi gërmat e para, në ambjentet ku punoi e shërbeu në rini.Unë sot u ndodha në parkun ku u rritën fëmijët e mi dhe ndjeva mall e zhgënjim. Parku, ishte I shurdhët, I zbrazët, pa jetë..
Sapo kishim ardhur në Greqi.Me ndihmën e një kushëririt tim, gjeta një shtëpi me qira në Halandri, një lagje e bukur e Athinës. Vështirësitë e fillimit I kapërcenim me entuziazmin e moshës.
Shtëpia ishte e thjeshtë por me dy avantazhe për ne. E para, ishte përdhese, me oborr të bollshëm, siç e donte babai për të kultivuar lulet, dhe e dyta, dalja e shtëpisë puthte parkun e fëmijëve.
Ishte një park I thjeshtë, me 3-4 stola, një shilarëse, por me pemë e bar të njomë. E pra, shpejt, shumë shpejt, parkun e ‘’pushtuan’’ shqiptarët.
Në fillim dilnim ne që e kishim aq afër. Më vonë, filluan të dynden edhe të tjerë që banonin në rrugicat përreth.Nuk e merrni me mënd se çfarë gjallërie merrte ai ambjent, pasditeve. Gratë, me ndonjë punë dore, por me sytë nga fëmijët e vegjël, kuvendonin. Burrat, në një qoshe të parkut, ulur shesh, loznin letra, shah apo domino.Ndërsa më të lumturit ishin fëmijët.Zërat e tyre,dhe shpesh edhe tonat, ‘’e prishën’’qetësinë e asaj lagjeje.Vëndasit nuk ishin mësuar me zhurmë, e disa prej tyre as me gjuhën tonë.Disa na shihnin vëngër, ndërsa ndonjë I moshuar na shihte me nostalgji, tek kujtonte me mall kohën e tyre të rinisë. Fundja, ne nuk zbuam njeri.E gjetëm parkun bosh dhe e mbushëm me jetë.
Ishin vitet e para të emigrimit. Shumë prej nesh kishim marrë edhe prindërit me vete.Shumica e fëmijëve u lindën në Shqipëri.Ndërsa ne, brezi ynë, ruanim vlagën e shoqërisë dhe mallit për vëndlindjen. Ndaj kishim nevojë për shokë, për njëri tjetrin.
U miqësuam shpejt me bashkëatdhetarët tanë, megjithëse vinim nga krahina të ndryshme të vëndit tonë.Duket sikur njiheshim prej kohësh.Rrallë, shumë rrallë,më ka qëlluar të shoh kaq shumë shqiptarë bashkë,dhe të kalojnë kaq bukur në emigrim.Fëmijët vraponin, bënin xhiro me biçikletë, luanin me top, qeshnin, argetoheshin.Edhe fëmijët e mi, e sidomos djali, që I bënte gjunjtë copë tek luante futboll.Parku më kujtonte atë sheshin mes pallateve atje në Tiranë. Ishte I bollshëm, dhe kryesorja , I hapur, I parrethuar me gardh dhe portë.Zogjtë fluturonin të lirë, e jo në kafaz.
Zbrazja e parkut filloi kur fëmijët tanë u rritën e fluturuan gjetkë.Kaluan në shkollë të mesme, u rregjistruan në universitet,filluan punë, u njohën e u dashuruan me shokë e shoqe greke. Dikush u martua e u bë baba.Ata iu përshtatën klimës vendase.
Askush nuk u kujtua t’I rikthehet parkut, kujtimeve.Tashmë, fëmijët lozin me kompjuter, shohin në televizor filma vizatimor, dhe shoqërohen nga prindërit tek shkojnë në shkollë, në kurse apo party.Ndërsa ne të rriturit u mbyllëm në shtëpi apo kafene.Ne nuk ‘’humbëm’’ vetëm parkun, por edhe fëmijët, identitetin, të ardhmen..
Sot parku ka ndryshuar.Është bërë më I ftohtë, më modern, më I mbyllur, si vetë jeta jonë.Gardhi I lartë që e rrethon, nuk e ngroh, por e bën më të zymtë.Shumica e shokëve të mi kanë ndruar shtëpi duke u larguar nga parku.
Shtyj portën e hekurt dhe futem në park.Ndodhet vetëm një gjyshe me mbesën e saj.Më sheh shtrembër e gjithë frikë.Ndofta I dukem I dyshimtë që ndodhem në park vetëm, pa një fëmijë të vogël.Bëhet gati të telefonojë. Ndoshta policisë.
Unë buzeqesh hidhur.Edhe unë kam nevojë për policinë.Dua të më sjellë këtu shokët e dikurshëm, e sidomos fëmijët.Të ndjej se nuk jam vetëm, se nuk jemi pa Atdhe, se jeta vazhdon..
‘’Eja mblidhuni këtu, këtu’’shkroi Mihal Grameno , për mëvetësinë e Shqipërisë.Këtë refren këndoj edhe unë sot.Dëshiroj të mblidhemi bashkë, të këndojmë, të qeshim, të debatojmë, të thërasim, të festojmë si dikur, të gjithë bashkë, të rritur e fëmijë.
Rri I shtangur në mes të parkut.Kërkoj poshtë, gjurmët e atleteve të tim biri, por më kot.Ato I ka fshirë koha, I kemi fshirë ne.E ndërsa unë kërkoj gjurmët nga fëmijëria e djalit tim, P. Ruka na kujton ‘’gjurmët’’ ku shkelëm ne, dhe prindërit tanë;
Aty ku është abazhuri
Duhet varur me kujdes
Një llambadhë me vajguri
Që venitet në mëngjes.
Era jashtë të qajë me kujë
Jo kjo erë kondicioneri
Ne prej dufit të pijmë ujë
Por jo ujë frigoriferi.
Gjithë kjo botë e dashur, bir
Tani gjëndet në muze
Ne, me hir a me pahir
Po jetojmë një kohë të re.
29-12-2-20 F U N D
DHIMITËR SHKURTI