AH MORE KOHE SHTRIGE E KEQE!
Një kullë ngritë njatje n’malsi’
Hijerandë në krye t’livadit
Mbetë prej vitesh në vetmi’
Që kur krahët i ktheu djali
Babë e nanë në moshë të vjetër
Si statujë mbetën n’at votër
N’vite t’fundit pa’ kënd tjetër
Fillikat kërcu’ në sofër
Ikën ditët edhe stinët
Pleqënia erdh’ tu i randue
Kambët zvarrë, mendjen te fmija
Përdit malli tu u shtue
Toka djerr sikurë rënkon
Në oborr ferrat harlisen
Mbi çati veç quka këndon (kukuvajka)
Hanë e Diell sikur gremisen
Te dy t’shkretët ulun te pragu
Brrylat n’gjunj, e duart mbi faqe
Sa i pa m’shirshëm ky maraku
N’mendje e n’shpirt për ta s’len paqe
Prit e prit motet tu shkue
E mallkueme ah… kjo pleqni’
Erdh’ një ditë s’mujtën meu çue
Kush kish hallin me jau ndi’?
Kështu kan mbet dhe kulla tjera
S’ndihet lahutë as qyfteli’
Veç ndoj plakë kacuk te dera
S’tundet djep as nuk kjan fëmi’
Ah more kohë, shtrigë e keqe!
Pse na e solle kët’ mënxyrë
Pse ua nxive jetën pleqve
Fmit e vet pa mujt me i kqyrë?
P. Ndreka.