Tipi i ideologjizuar.
Ideologjizimi, mendohet njëri nga burimet më të rrezikshme të dhunës. Ajo shoqërohet me ballafaqime të dhunshme dhe të përgjakshme për arsye bindjesh politike, fetare dhe botëkuptimesh të ndryshme. Dhuna nuk njeh kufi. Në shumë raste ajo zhvillohet edhe brënda familjes, duke shkaktuar konfikte të forta, deri dhe përgjakje. Kjo kryhet nga njerëz të ideologjizuar, të cilët për të arritur qëllimin e tyre, përdorin dhunën e pakufishme.
Psikologët Jakobs dhe Potter e mendojnë këtë fenomen, agresivitet i kriminelëve urryes. Burimi për atake urrejtjeje janë grupe dhe shtresa të veçanta njerëzish për shkak të racës, besimit, bindjeve politike ose orientimeve seksuale. Në raste të veçanta, kriminelët urryes mund të drejtohen edhe kundër administratës, rendit dhe Shtetit të së Drejtës.
Dhuna e ideologjizuar përfshinë të gjitha llojet e dhunës të cilat vijnë si pasojë e një botëkuptimi ideologjik, p.sh. inskenimet për vetëvrasje masive nga sektet dhe veprimtarinë dhunuese në kuadrin e satanizmit dhe okultizmit.
Josef Sachs thotë se, tipat dhunues të ideologjizuar, deri tani, nuk mendohet që, veprimtaria e tyre kriminale, të vijë si pasojë e sëmundjeve psiqike.
Sot në Europë vihet re një tendencë e theksuar e zhvillimit të ekstremizmit të djathtë dhe të majtë. Aktivistët janë mosha të reja dhe gjithnjë e më të rinj. Sipas Sachs, në Zvicër, bërthama mendohet të përbëhet nga rreth 1000 persona. Vazhdimisht krijohen bërthama të tilla, ekstremistësh, të cilat lidhen me njëra-tjetrën. Disa nga ato provojnë të futen në politikë. Atentatet e tyre, të cilat lidhen me ideologjinë ekstremiste, në të shumtën e rasteve, drejtohen kundër të huajve. Disa nga këto kryhen në grupe. Më aktivët marrin përsipër aktin terrorist por, me vendimin e grupit. Edhe klikat e grupeve të të rinjve të pastabilizuar, luajnë një rol të rëndësishëm në aktet terroriste.
Aktivitetet terroriste, së shumti, bëhen të planizuara dhe të mirorganizuara. Nuk përjashtohen edhe shpërthimet spontane, nga “ujqërit e vetmuar”.
As që mund të mendohet se, vendosja e tritolit në një shtyllë të tensionit të lartë, në shinat e trenit apo diku tjetër, zjarrvënia e parlamentit apo në institucionet shtetrore, dhunimi dhje shkatërrimi i pronës private dhe publike, siç ndodhë tek ne, të kryhet spontanisht dhe nga njerëz gjakftohtë. Ato janë vepra terroristësh, të mirorganizuarë dhe teje të ideologjizuar nga një prapavi politke agresive, antinacionale.
Në shoqëri nuk ka ndonjë shtresë të caktuar, të predispozuar për ideologjizim. Çdo individ, çdo grup dhe çdo shtresë mund të infektohet nga ideologji të ndryshme ekstreme.
Psikologu Wahl thotë se, shkaku i motivimit për dhunë tek ekstremistët, të majtë dhe të djathtë, mund të jetë i shumfishtë. Ka raste që të rinjtë e prirur për akte dhune dhe barbarizma, nga natyra janë të pashoqërueshëm, të ndrojtur dhe të frikësuar.
Shumë studio janë të mendimit se terroristët janë njerëz të edukuar që në fëmijërin e tyre me ndjenjën e autoritetit dhe të dhunës. Shoqëria e individualizuar i shtynë të rinjtë për të gjetur identitetin e tyre në grupe, raca apo nacionalitete të ndryshme.
Meqënëse politika normale nuk i përkrahë në këtë drejtim, ata bëhen armiq të saj dhe shkojnë pas asaj që i përkrahë, pas ekstremizmit. Këtu fillon ideologjizimi i tyre.
Heitmeyer thote se, karakteristikë për të rinjtë e dhunshëm të ideologjizuar është se, ndëshkimet vështirë se mund ti trembin ata. Përmirësimi i kulturës politike dhe siguria sociale, janë mjetet më të suksesshme për vënien e tyre nën kontroll.
Një politikë agresive, gjithmonë do ti gjej mbështetësit e vet, individë dhe grupe, pavarësisht nga numri, për të destabilizuar rendin dhe rrezikuar sigurinë nacionale. Dhe për aq kohë sa një politikë e tillë do të spekullojë në një teren të varfër dhe të brishtë, njerëzit do të ideologjizohen gjithnjë e më shumë prej saj. Ekstremistët shtohen në numër dhe rrisin veprimtarinë e tyre të dhunshme, deri në terrorizëm.
As që mund të mendohet që një forcë politike e drejtuar nga politikanë fanatikë, populistë, tejet të ideologjizuar, të mund të modernizohet dhe humanizohet.
Të tillë politikanë, nëse bëhen të plotpushtetshëm, përbëjnë një rrezik potencial për vendin dhe rajonin. Tipik kan qënë Hitleri, Stalini, Sadami, Millosheviçi. Politikanët populistët janë më të rrezikshmit. Ata janë fanatikë, që vuajnë nga pasioni për pushtet, lavdi dhe pasuri. Ata e shikojnë botën vetëm bardhë e zi dhe karakterizohen nga ide fikse, të paprekshme, të pakundërshtueshme dhe të pandryshueshme. Nuk kan fleksibilitet të trurit, nuk bëjnë kompromise, nuk bashkëndiejnë dhe nuk bashkëvuajnë. Për ata, kapitali më i shtrenjtë dhe i pazëvëndësueshëm, janë idetë e tyre për realizimin e të cilave, janë gati të sakrifikojë çdo gjë dhe cilindo. Nëse bëhen i pushtetshëm, nuk njohin ligje, as moral dhe as etikë. Ata nuk kanë kozmos, kanë vetëm mikrokozmosin e tyre. Për ata, fundi i botës është fundi i interesave të tyre. Jasht këtij kufiri ata nuk e perceptojnë dot botën sepse nuk e njohin atë. Janë tipat e qametit. Prandaj preferojnë principin: Pas meje, u bëftë qameti!
Mirëqenien dhe civilizimin e shoqërisë e mendojnë në trekëndëshin, bukë, brek, fishekë. Janë kundër kohës moderne, nga fdrika se u dalin njerëzit nga dora.
Ata njohin vetëm miq dhe armiq. Miq, mendojnë ata që përkrahin dhe mbështesin ideologjinë e tyre, dhe aemiq të gjithë ata që janë kundër tyre.
Inteligjentët dhe modernët janë armiqtë e tyre, për çdo rast dhe si të tillë, i sulmojnë ata, me të gjitha mjetet dhe mënyrat.
Kështu ka funksionuar politika e jonë në këto 30 vjet, me politikanë të ideologjizuar, populistë, të cilët janë hedhur sa majtas-djathtas dhe me koalicione llumrash.
Tipa të tillë, zakonisht, janë burimi i tragjedive të mëdha nacionale dhe terrorizmit të sotshëm botërorë. Mund të thuhet se, ne si nacionalitet, në këto 30 vjet të pushtetit lumpenkomunist, kemi përjetuar tragjeditë më të mëdha të shekujve. Dhe e gjithë kjo se ne jemi drejtuar nga politikanë populistë, tejet të ideologjizuar.
Tragjedia më e madhe ishte degjenerimi i njeriut. Politikanët populistë, në majë të shtetit dhe pushtetit, me joshje, dhunë dhe terror, e ideologjizuan njeriun, deri në barkun e nënës. Ideologjizimi i fëmijëve është një rrezik potencial për vet ata dhe për shoqërinë.
Friedrich Nietzsche ka thënë: -Politikani i ndanë njerëzit në dy klasa; në vegla dhe armiq. Kjo do të thotë se ai njeh vetëm një klasë: Armiqtë.
Pyetja fare normale që mund të shtrohet para prindërve të tillë, të cilët mundohen që ti fusin fëmijët e tyre në burgun e ideologjisë, ashtu si dhe vetveten, është: Çfarë dëshironi ju që të bëhen fëmijët tuaj; vegla qorre të liderit tuaj apo armiq të armiqve të liderit tuaj? Vetëm tek ne dhe tek popujt e tjerë të ideologjizuar kështu si ne, individët mbajnë flamuj partish politike dhe portrete politikanësh në shtëpi, zyra dhe dyqane. Vetëm tek ne shikon postera politikanësh, në majë të shtyllave, kudo anës së rrugëve dhe shesheve. Kështu ndodhë kudo ku, pushtetin e marrin politikanët populistë të cilët degjenerojnë njeriun dhe shkatërrojnë shtetin.
Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.