23.5 C
Tiranë
E premte, 22 Maj 2026

Nikollë Loka

NË NDERIM TË MËSUESIT DODË DOÇI

Mësuesi veteran Dod Doçi, Qytetar nderi i Bashkisë Fushë ArrësNuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Dod Llesh Doçi mbahet mend si një nga burrat e njohur të Spaçit, djalë i Kullës së Doçit të fisit Gjeçaj. Një familje me emër dhe shumë arsimdashëse. Nga kjo Derë ka dal Doda, pastaj vjen Nikolli me pesë fëmijët e tij, të gjithë me arsim të lartë, ndër ta dhe aktori i mirënjohur Gjergj Doçi etj. Fëmijëve të mësues Dodës nuk iu dha mundësia e shkollimit të lartë në sistemin e kaluar, por sot nipat dhe mbesat e tij me fëmijët e tyre janë diplomuar në universitete të ndryshme, përfshirë dhe universitete me emër në botë. Është një traditë, që ka për themelues Dodën. I ati, Lleshi ishte kryeplak i Kodër Spaçit dhe njeri me vizion. Ai e dërgoi të birin në Internatin e Oroshit, të cilin djali e përfundoi në vitin 1930. Edhe pse pas viteve njëzet të shekullit të XX, shkolla e Oroshit nuk ishte e vetmja në Mirditë, padyshim ishte shkolla më e mirë. Doda fitoi bursë dhe  veshjen, ushqimin, tekstet, fletoret, lapsat, penat, gomat etj, i përballonte shkolla. Djali i Llesh Doçit ishte mjaft i zellshëm në mësime; e mbante  vëmendjen në shpjegimin e mësuesit dhe kishte kujtesë të fortë, sa mund të riprodhonte shumë nga ato që thuheshin në klasë. Vitet e shkollës së Oroshit kanë ndikuar thellësisht në edukimin e Dodës dhe ndoshta në personalitetin e tij. Një pjesë e nxënësve të Internatit të Oroshit u bënë kuadro të njohur dhe drejtuan sektorë të rëndësishëm. Të tjerë qenë kontigjenti i parë i mësuesve, që hapën shkollat e para pas çlirimit të vendit. Por, në përgjithësi shoqëria mirditase e viteve tridhjetë e konsideronte shkollën një luks të panevojshëm dhe për shumë arsye, shumica e nxënësve të Interantit të Oroshit, pasi mbaruan shkollën, e vazhduan jetën në fshatrat e tyre, si shokët e tyre analfabetë. Ndërsa Doda, me mbështetjen e familjes, vazhdoi studimet e mëtejshme në Normalen e  Elbasanit (1930-34), duke qenë ndër të aprët nga mirditasit që e mbaroi atë shkollë. Pas tij, e vazhduan atë shkollë Ndrecë Ndue Gjoka, Preng Ndue Prenga, Zef Vorf Nekaj etj. Si e para shkollë e mesme kombëtare në gjuhën shqipe, Normalja e Elbasanit u bë vatër e përgatitjes së mësuesve shqiptarë. Normalja ishte qendër e kultivimit dhe e zhvillimit pedagogjik shqiptar.Mësuesit e parë të normales do të pushtonin të gjitha trojet shqiptare, që nga zonat e thella malore të Kosovës dhe deri në Çamëri. Me mbarimin e Normales,  sigurohej një status i lartë shoqëror dhe përveç punës si mësues, disa nga nxënësit e Normales, për nevoja u punësuan dhe në administratën e pushtetit lokal dhe atë qendror. Doda filloi punë si sekretar i Komunës së Fanit në vitin 1936. Në periudhën e Zogut, inteligjencia shqiptare kishte qenë e pakët dhe kishte rol të rëndësishëm në shtet. Mjafton të kujtojmë faktin se për disa kohë emrimet e nëpunësve të thjeshtë ishin nomeklaturë e Këshillit të Ministrave dhe pastaj për të gjithë periudhën e Zogut mbetën nomeklaturë e ministrave përkatës. Ata e konsideronin veten si pjesa e kulturuar e kombit në kushtet kur dija ishte privilegj i pak njerëzve.

Në fund të viteve tridhjetë, familja e Llesh Doçit kalon me banim në Tuç, në një tokë që e kishin blerë. Ndërkohë, Doda vazhdoi punën në pushttin lokal. Me pushtimin e vendit nga italianët, pjesa më e madhe e administratës “fashiste” ishte  po ajo e mbretërisë, njerëzit thjesht vazhduan të shkonin në punë. Për dy vite, Doda ishte kryetar i Komunës së Shpalit në Mirditë, e cila ishte dhe komuna më e rëndësishme e Mirditës. Në vitin 1941, transferohet sekretar i Komunës së Fanit, detyrë që e mbajti deri në kapitullimin e Italisë, në shtator ët vitit 1943. Pastaj tërhiqet nga angazhimet në shtet dhe shkoi pranë familjes së tij.

Dod Llesh Doçi e shkroi emrin si një nga mësuesit e parë në Mirditë. Masivizimi i arsimit, në kushtet e Shqipërisë së prapambetur, përbënte një nga objektivat themelore të politikës arsimore të shtetit shqiptar pas çlirimit. Por, ndryshe nga mësuesit e tjerë mirditorë, Doda u eëmrua të shërbente jashtë rrethit. E filloi detyrën në fshatin Apripë të Gurit Pukë (1946-47) dhe apstaj me rradhë: Fushë-Arrëz (1948-50); Micoj (1951). Gjatë kësaj periudhe, dha kontribut të madh edhe në kurset kundër analfabetizmit, të cilët nisnin dhe përfundonin në muaj të ndryshëm dhe zhvilloheshin sipas lagjeve. Me punën e tij, Doda fitoi mirënjohjen e bashkëfshatarëve. Por, me ashpërsimin e luftës së klasave, Dodën e dënojnë me dy vjet burg (1952-54). I bindur në pafajësinë e tij, pasi kryen dënimin, vazhdon të kërkojë drejtësi dhe arrin të marrë pafajësinë, ndërkohë që i kishin djegur shtëpinë në Tuç. Rikthehet në arsim, mësues në Lumbardhë, Dardhë dhe përsëri në Lumbardhë në vitet 1955-1960. Prej atëherë dhe deri sa doli në pension (1971), punoi mësues në shkollën Tuç, ku kishte shtëpinë e tij. Dodë Doçi ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezit të ri. Dhjetra breza nxënësish dolën prej tij, një pjesë e të cilëve vazhduan shkollimin edhe më tej, duke u bërë kuadro të vlefshëm për vendin. Edhe në pension dhe deri sa u nda nga jeta, Doda mbeti aktiv në komunitet. Për kontributin e tij të gjatë në arsim dhe rezultatet e larta në procesin mësimor-edukativ, Këshilli i Bashkisë Fushë-Arrëz, i ka dhënë Dod Llesh Doçit titullin “Qytetar nderi” i Fushë Arrëzit (2016). Dod Doçi do të mbetet gjatë në kujtesën e brezave për kontributin që dha në arsim. Ai ka hyrë në historiën e Arsimit  si mësuesi i parë me arsim të plotë pedagogjik në Mirditë dhe njëri ndër mësuesit e parë mirditorë.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.