NË NDERIM TË MËSUESIT DODË DOÇI
Mësuesi veteran Dod Doçi, Qytetar nderi i Bashkisë Fushë Arrës
Dod Llesh Doçi mbahet mend si një nga burrat e njohur të Spaçit, djalë i Kullës së Doçit të fisit Gjeçaj. Një familje me emër dhe shumë arsimdashëse. Nga kjo Derë ka dal Doda, pastaj vjen Nikolli me pesë fëmijët e tij, të gjithë me arsim të lartë, ndër ta dhe aktori i mirënjohur Gjergj Doçi etj. Fëmijëve të mësues Dodës nuk iu dha mundësia e shkollimit të lartë në sistemin e kaluar, por sot nipat dhe mbesat e tij me fëmijët e tyre janë diplomuar në universitete të ndryshme, përfshirë dhe universitete me emër në botë. Është një traditë, që ka për themelues Dodën. I ati, Lleshi ishte kryeplak i Kodër Spaçit dhe njeri me vizion. Ai e dërgoi të birin në Internatin e Oroshit, të cilin djali e përfundoi në vitin 1930. Edhe pse pas viteve njëzet të shekullit të XX, shkolla e Oroshit nuk ishte e vetmja në Mirditë, padyshim ishte shkolla më e mirë. Doda fitoi bursë dhe veshjen, ushqimin, tekstet, fletoret, lapsat, penat, gomat etj, i përballonte shkolla. Djali i Llesh Doçit ishte mjaft i zellshëm në mësime; e mbante vëmendjen në shpjegimin e mësuesit dhe kishte kujtesë të fortë, sa mund të riprodhonte shumë nga ato që thuheshin në klasë. Vitet e shkollës së Oroshit kanë ndikuar thellësisht në edukimin e Dodës dhe ndoshta në personalitetin e tij. Një pjesë e nxënësve të Internatit të Oroshit u bënë kuadro të njohur dhe drejtuan sektorë të rëndësishëm. Të tjerë qenë kontigjenti i parë i mësuesve, që hapën shkollat e para pas çlirimit të vendit. Por, në përgjithësi shoqëria mirditase e viteve tridhjetë e konsideronte shkollën një luks të panevojshëm dhe për shumë arsye, shumica e nxënësve të Interantit të Oroshit, pasi mbaruan shkollën, e vazhduan jetën në fshatrat e tyre, si shokët e tyre analfabetë. Ndërsa Doda, me mbështetjen e familjes, vazhdoi studimet e mëtejshme në Normalen e Elbasanit (1930-34), duke qenë ndër të aprët nga mirditasit që e mbaroi atë shkollë. Pas tij, e vazhduan atë shkollë Ndrecë Ndue Gjoka, Preng Ndue Prenga, Zef Vorf Nekaj etj. Si e para shkollë e mesme kombëtare në gjuhën shqipe, Normalja e Elbasanit u bë vatër e përgatitjes së mësuesve shqiptarë. Normalja ishte qendër e kultivimit dhe e zhvillimit pedagogjik shqiptar.Mësuesit e parë të normales do të pushtonin të gjitha trojet shqiptare, që nga zonat e thella malore të Kosovës dhe deri në Çamëri. Me mbarimin e Normales, sigurohej një status i lartë shoqëror dhe përveç punës si mësues, disa nga nxënësit e Normales, për nevoja u punësuan dhe në administratën e pushtetit lokal dhe atë qendror. Doda filloi punë si sekretar i Komunës së Fanit në vitin 1936. Në periudhën e Zogut, inteligjencia shqiptare kishte qenë e pakët dhe kishte rol të rëndësishëm në shtet. Mjafton të kujtojmë faktin se për disa kohë emrimet e nëpunësve të thjeshtë ishin nomeklaturë e Këshillit të Ministrave dhe pastaj për të gjithë periudhën e Zogut mbetën nomeklaturë e ministrave përkatës. Ata e konsideronin veten si pjesa e kulturuar e kombit në kushtet kur dija ishte privilegj i pak njerëzve.
Në fund të viteve tridhjetë, familja e Llesh Doçit kalon me banim në Tuç, në një tokë që e kishin blerë. Ndërkohë, Doda vazhdoi punën në pushttin lokal. Me pushtimin e vendit nga italianët, pjesa më e madhe e administratës “fashiste” ishte po ajo e mbretërisë, njerëzit thjesht vazhduan të shkonin në punë. Për dy vite, Doda ishte kryetar i Komunës së Shpalit në Mirditë, e cila ishte dhe komuna më e rëndësishme e Mirditës. Në vitin 1941, transferohet sekretar i Komunës së Fanit, detyrë që e mbajti deri në kapitullimin e Italisë, në shtator ët vitit 1943. Pastaj tërhiqet nga angazhimet në shtet dhe shkoi pranë familjes së tij.
Dod Llesh Doçi e shkroi emrin si një nga mësuesit e parë në Mirditë. Masivizimi i arsimit, në kushtet e Shqipërisë së prapambetur, përbënte një nga objektivat themelore të politikës arsimore të shtetit shqiptar pas çlirimit. Por, ndryshe nga mësuesit e tjerë mirditorë, Doda u eëmrua të shërbente jashtë rrethit. E filloi detyrën në fshatin Apripë të Gurit Pukë (1946-47) dhe apstaj me rradhë: Fushë-Arrëz (1948-50); Micoj (1951). Gjatë kësaj periudhe, dha kontribut të madh edhe në kurset kundër analfabetizmit, të cilët nisnin dhe përfundonin në muaj të ndryshëm dhe zhvilloheshin sipas lagjeve. Me punën e tij, Doda fitoi mirënjohjen e bashkëfshatarëve. Por, me ashpërsimin e luftës së klasave, Dodën e dënojnë me dy vjet burg (1952-54). I bindur në pafajësinë e tij, pasi kryen dënimin, vazhdon të kërkojë drejtësi dhe arrin të marrë pafajësinë, ndërkohë që i kishin djegur shtëpinë në Tuç. Rikthehet në arsim, mësues në Lumbardhë, Dardhë dhe përsëri në Lumbardhë në vitet 1955-1960. Prej atëherë dhe deri sa doli në pension (1971), punoi mësues në shkollën Tuç, ku kishte shtëpinë e tij. Dodë Doçi ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezit të ri. Dhjetra breza nxënësish dolën prej tij, një pjesë e të cilëve vazhduan shkollimin edhe më tej, duke u bërë kuadro të vlefshëm për vendin. Edhe në pension dhe deri sa u nda nga jeta, Doda mbeti aktiv në komunitet. Për kontributin e tij të gjatë në arsim dhe rezultatet e larta në procesin mësimor-edukativ, Këshilli i Bashkisë Fushë-Arrëz, i ka dhënë Dod Llesh Doçit titullin “Qytetar nderi” i Fushë Arrëzit (2016). Dod Doçi do të mbetet gjatë në kujtesën e brezave për kontributin që dha në arsim. Ai ka hyrë në historiën e Arsimit si mësuesi i parë me arsim të plotë pedagogjik në Mirditë dhe njëri ndër mësuesit e parë mirditorë.