SONTE AJO DO TË SHUHET
Zemra e njomë e Njomëzës dalëngadalë po
shkrihej së bashku me pishën që nëna dikur e kishte
ndezur pranë oxhakut për të bërë dritë. Pisha po digjej
e dritë nuk bëri asnjëherë për Njomëzën shtalbore.
Trupi i saj po tretej si qiriu i shandanit, ndërsa shpirti i
saj kërkonte jetë…
Sot, unë po e shfletoj faqen e fletës së ditarit dhe
me lotët e ngrirë po e shikoj ngjyrën e stilolapsit që e ka
shkruar emrin dhe mbiemrin: Njomëza. E lindur më…
Në… Suksesi: Shkëlqyeshëm. Sjellja: Shembullore.
Lotët rrokullisen nëpër faqet e ditarit, se ajo sonte po
tretet e vetme në atë dhomë, në mes atyre mureve
të mykur ku i mungonte drita dhe ajri. Po fikej së
bashku me pishën pranë oxhakut. Me derën e mbyllur
me shtatë dryna, dhe dritaret me grila. Sonte yjet nuk
duken, nuk shkëlqejnë më, e kanë humbur vezullimin
tyre. Dhe hëna është zhdukur prapa malit, ndërsa
dielli nesër do të humbasë mes mjegullës së dendur
dhe qielli do të qajë. Ajo sonte është në agoni e sytë
i ka lëshuar larg…Larg mes shoqeve të gjimnazit, mes
librave, lapsave, mësuesve dhe atje…Atje ku i mbetën
sytë për të parën herë…
Nuk e di sa herë e kisha ndërruar nënkëmishën
për t’i tharë djersët e trupit tim që avullonin në tavanin
e dhomës sime. Kafka e kokës më pëlciste. Shpirti më
digjej. Me shtambë sa mundja pija ujë, për ta shuar
sadopak etjen në këtë natë të tmerrshme! Sa e sa fije
të shpirtit, të ëndrrave të mia sonte më ishin këputur.
As vet nuk e di. Edhe sot e kësaj dite nuk e di.
Dita kishte aguar. Dielli rrezet i kishte lëshuar
fuqishëm dhe depërtonin përmes mjegullës së asaj
dite të vrarë. Që nga bjeshkët e larta dëgjohej rënkimi.
Akullin e ngrirë sot e kishin shkrirë stuhitë e fuqishme.
Shtatë palë drynat ishin këputur. Dritaret ishin hapur.
Qyqja nuk ishte më në majë të oxhakut. Edhe huti
mbi çati kishte ikur.
Zemra e Njomëzës ishte fikur këtë natë të gjatë,
përgjithmonë. Ajo mori me vete një ëndërr të madhe,
të parealizuar. Trupi i saj i njomë dhe i bukur sot u
mbulua me dhe. Unë, në krye të kortezhit, me kokën
ulur, duke u dridhur, mora një grusht dhe të njomur
prej lotëve të mi dhe ia hodha mbi varr bashkë me
një lule të kuqe.
Me copëzat e dërmuara të shpirtit tim, do të bart
kujtimet e paharruara për atë engjëll derisa të jem
gjallë. Dhe kur të vdes, do t’i marr ato me vete sepse
lënduan shumë shpirtin tim, jetën time. Më dogjën,
më shkrinë, më tretën ëndrrën dhe ma flakën tej. E
me pika gjaku të kulluara nga zemra, për një dëshirë,
një shpresë, një dashuri, që një ditë, së bashku me
Njomëzën, do ta shkrinim akullin. Do t’i shkrinim lotët
e ngrirë në qepallat e syve. Do t’i thyenim barrierat, ato
shtatë dryna të derës dhe ato grila të dritareve.
Do ta dëbonim qyqen e hutin nga oxhaku e çatia.
Por s’mundëm… S’i thyem dot ato vargoj të çeliktë,
ndoshta isha unë i dobët…ndoshta…Isha i ri.
E unë, çfarë të shkruaj tani? Në faqen e fletës së ditarit
shkollor vetëm do të shtoja: Njomëza, lindi më…Në…
Suksesi-Shkëlqyeshëm. Sjellja-Shembullore. Vdiq më…
Shpirti i ngujuar po fle mes lulesh…