JETËSHKRIMI IM.


U linda në kullën e gurtë të bajrakut
rrëzë Gardhinës plakë
me pirgje shekujsh në pamundësi numrimi,
dhe gjysh e stërgjysh rënë ndër beteja
për tokë e rrënjëthella mëtimi
pellazge-ilire-shqiptare,
përmallime të zjarrta kam për ta.
Gjuhën ma mësoi shqiponja e moteve
me bekimin e zotave të mij të parë
pasha tokë e qiell!
Gjyshja në sofrën e shtruar të bujarisë
përbehej me hirësinë e falënderimit
edhe pasha bukë e kripë e dritë e diell!
Është vullnet i shkruar i Zotit,
thënie kur qesh lindur unë,
me refrenin pastë fat në jetë
më bekuan.
Megjithatë, në shpirtin virgjëror apokalips,
nuk kishte krismë pushkësh në traditë
kur gëzoheshin edhe trerët e kullës
për përtëritjen e mirëfilltë të rrënjës.
Në vetëdijen e tronditur eklipsesh
shtiza e bajrakut në pritje të dorës së trimit
për beteja të reja,
që nuk kishin kurrë të ndalur.
-Poezi nga libri “Kohë flakadanësh të lirisë”(I pëekthyer edhe në anglisht) -Naxhije Doçi-Prishtinë-2012