15.5 C
Tiranë
E shtunë, 16 Maj 2026

Gjon Fierza

Ne 84 vjetorin e lindjes ing. Ylli Gusho.

INXHINIER YLLI GUSHO (1937-1991),
“PIONIERI I MEKANIZIMIT PYJOR NË SHQIPËRI”
Ylli Gusho, në se do të ishte gjallë sot do kishte 84 vjetorin e lindjes.
Ai u nda nga jeta 30 vite më parë.
Ylli Gusho, lindi më 18 maj 1937 në qytetin e Korçës. Arsimin fillor dhe atë të mesëm i kreu në vendlindje me rezultate të shkëlqyera. Në vitin1954, fiton të drejtën për të vazhduar studimet e larta në Institutin e Lartë të Pyjeve në Sofje të Bullgarisë, në specialitetin “Punime të Inxhinierisë së Shfrytëzimit të Pyjeve”, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira në vitin 1959. Po atë vit filloi punë në ndërmarrjen pyjore të Shkodrës dhe, pas një viti, me kërkesën e tij, kalon në specialitetin e dëshiruar, atë të inxhinierit të shfrytëzimit të pyjeve, në Sharrat e Fushë – Arrëzit, ku vazhdoi deri më 1966. Në Sharrat e Pukës, emri i inxhinier Ylli Gushos ka mbetur gjatë në kujtesë. Ai futi në shfrytëzim duke përdorur teleferikët, masivet pyjore në; Tuç, Kërrabe, Kaçinar, etj. Sharrat e Pukës arritën një shkallë të lartë mekanizmi krahasuar me gjithë ndërmarrjet e këtij sistemi në Shqipëri, kjo falë punës me përkushtim dhe profesionalizëm të Ylli Gushos. Transporti i lëndës drusore nga pylli ishte puna më e rëndë fizike dhe ku kishte mjaft aksidente për punëtorët e sharrave. Ishin novacionet dhe studimet e Ylli Gushos, duke përdorur teleferikët apo dhe zbritësit e thjeshtë, ky proces u lehtësua ndjeshëm dhe punëtoret ishin më të sigurt.
Në periudhën 1967-1969, Ylli punoi në Tiranë e Elbasan dhe 1969 – 1981 në Korçë, inxhinier i shfrytëzimit të pyjeve. Me 1981 deri në prill të vitit 1991, punoi si specialist dhe përgjegjës sektori në Byronë e Studimit dhe Projektimit të Industrisë së Drurit, që varej nga Ministria e Industrisë dhe Minierave, ku ishte dhe Drejtoria e Drurit dhe Letrës.
Ylli Gusho ndërroi jetë në prill të vitit 1991 duke mbetur jo vetëm në kujtesën e familjes dhe të afërmeve, por edhe një emër i paharruar për kolegët e bashkëpunëtorët, personalitet i nderuar në pylltarinë shqiptare. Ai në moshë të re (54 vjeç), në kulmin e veprimtarisë tij, prej 30 vitesh i mungon familjes e të afërmve, por na mungon e dhe ne kolegëve, i mungon pylltarisë shqiptare.
Brezi i ri i pylltarëve lypset të njohë këtë emër të nderuar të armatës së specialistëve të pyjeve. Është e rëndësishme të njihet e vlerësohet edhe veprimtaria botuese e Ylli Gushos. Kontributi i tij në fushën e botimeve arrin në mijëra faqe, ku përfshihen tekste mësimore universitare për teleferikët, motosharrat e mekanizmat e tjera të shfrytëzimit të pyjeve, si dhe monografi, broshura e artikuj shkencorë. Ka botuar gjithashtu edhe publicistikë në shtypin e kohës, në shumë gazeta e revista.
Botimet me kryesore janë: Tekste mësimore për Fakultetin e Pyjeve: Teleferikët (1971), Teleferikët (b/autor, 1986), Mekanizmi i Shfrytëzimit të pyjeve (b/autor, 1987), Mekanizimi pyjor (b/autor, 1987); Libra: Manual i motosharristit (1975), Mekanizmat e shfrytëzimit të pyjeve (1980), Shfrytëzimi i pyjeve (1984); Monografi e broshura: Motosharrat (1971), Teleferikët pyjorë (1972), Disa këshilla mbi mirëmbajtjen dhe defektet e motosharrave (1972), Shfrytëzimi racional i pyjeve dhe i lëndës së drurit (1973), Projektimi dhe montimi i teleferikut TF-500 (1986), Projektimi dhe montimi i teleferikut TVA1000 (1987). Kërpudhat në Shqipëri (bashkautor 1980), etj. Pas një pune më se pesëvjeçare, më 1986 ai merr titullin “Kandidat i Shkencave”, ndër të paktët specialistë jashtë sferës akademike që e meriton këtë titull. Ishte ky punim tregues i profesionalizmit të lartë dhe i nivelit shkencor të tij
Aspekt tjetër tepër i rëndësishëm i jetës së Ylli Gushos, ishte pasioni për sportin e sidomos për sportet dimërore. Është i pari në vendin tonë, që u mor me projektimin dhe ndërtimin e skipistave bashkëkohore. Ai dha ndihmë të veçantë në ngritjen e linjës së prodhimit të skive e slitave në Ndërmarrjen e Përpunim-Drurit Korçë. Ka marrë pjesë si gjyqtar i kategorisë së parë pothuaj në të gjitha kampionatet e skive, lokale e kombëtare, të zhvilluara deri në vitet 90.
Për punën dhe kontributin në sektorin e shfrytëzimit të pyjeve, në mekanizimin e transportit të brendshëm të lëndës së drurit, në vitin 1981, Ylli Gusho u nderua me “Medaljen e Punës”, ndërsa në vitin 1988 u dekorua me “Urdhrin e Punës Klasi III”.
Pergatiti: Mihallaq Kotro, Gjon Fierza, Genci Kacorri, Maj 2021
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.