Vetëm një orë dhe ti u bëre i gjithë globi im,
Me tokë, diell, lule, liqene të kaltër e dete,
Vetëm një orë për ta ndjerë, mjerisht,
Se jeta ka shumë vite të plogëta, të mpira,
Muaj të zbrazët si kosha të përmbysur,
Mijëra orë të zbehta pa formë, pa kuptim,
Miliona minuta të ftohta-brymë pa frymë.
Vetëm një orë dhe ti solle atë që mungonte
Që përtej dritareve të zbrazëta të shpirtit,
Deri atë kohë të mbyllura me perde të errta
Si në frikën e bombardimeve kozmike..
Akaciet buisën, tulipanët shpërthyen,
Një orë, një zjarr, një qiell, një yll.
Ja përse ia vlen të jetosh ndonjëherë,
Vetëm, vetëm për të qenë një orë me ty.
“””””””””””””””””””
Gjysma e jetës sime
do te jetë e zezë
gjer te lëkura e bardhë e hënës,
së vjetër e të venitur.
Gjysma e jetës sime
do të jetë ujë
përmbi dyshemenë e plasaritur
të këtyre viteve shkretëtirë.
Do t’ia dal kësaj rradhe
me të paktën dy gjuhë,
e bindur
kush janë miqtë e mi.
Do të vishem sipas rastit
dhe flokët do t’i ngjyej si të dua.
Të gjithe do vazhdojne të festojnë
ditëlindjen e vjetër
duke llogatitur si zakonisht
vitet e shkuara,
por unë do ta llogaris
veten të porsindur
nga ky fillim
gjurmë e vullnetit tim.
Rrufe do të jetë gjysma e jetës
sime.
Pas duke lenë ndalim – kalime e
rrugë zhavori,
shënimet në asfalt, shenjë shtigjesh
të hapura.
Gjysma e jetës sime
do të jetë syhapur.
Gishtërinj që sitin rërën e imët,
krahë lëshuar lirshëm
këmbë endacaku,
ëndrra të reja çdo natë
dhe kangjella gjithmonë të hapura.
Unazën e çelsave do ta hedh
në një pus të thellë,
e në zjarr do t’i hedh
letrat e vjetra.
Gjysma e jetës sime
do të jete akull
që thyhet në lumë.
Shiu që njom lëndinat,
një dorë e zgjatur,
një zjarr i ndezur dhe tym
që ngjitet lart, gjithnjë lart.