Nëse merr në analizë veprën dhe krijimtarinë e Prof. Flori Bruqit, nuk mund të qëndrosh indiferentë dhe në distancë nga figura e këtij personaliteti të letrave shqipe.

Kush ka patur rastin t’a njoh nga afër vëren se ka të bëj me një njeri human, jo vetëm të letrave. Ai është shumë i “butë” e nuk cënon kurrë dinjitetin e tjetrit. Mundohet të kaloi në harmoni e të sheshoi çdo “kapërcim” sado të vogël. Nuk ka qejf të dëgjoi e të shohë njerëz në konflikt. E kjo tregon se ka shpirt të madh. Nuk është njeri materialist e kurrë nuk ka menduar të marrë fitime nga veprat tija edhe pse është shumë normale dhe brenda moralit.
Nuk është thjeshtë krijues. Ai është dhe udhërrfyesi i krijuesve të rinj, rol që e kam provuar edhe vetë.
Është drejtues jo vetëm i shoqatave shkencore e letrare, nga më seriozitet e të njohura në trojet etnike shqiptare, por është organizator i mrekullueshëm i dhjetra aktiviteteve shkencore, letrare e artistike në Kosovë e jashtë saj.
Është fitues i dhjetra çmimeve në konkurset letrare dhe poetike në Shqipëri e Kosovë. Rekordmbajtës i tyre, ashtu si mbetet një personalitet i qetë dhe i ekulibruar në juritë e shumta të vlerësimit të krijuesve, të atyre që ai i përkrah dhe inkurajon aq shumë.
Këto e shumë të tjera duhet të jenë përshkrimi i veprës së tij të madhe. Është vështirë dikush të mundohet ta personifikojë. Është shumë i madh dhe shumë i gjërë. Duhen mendje të ndritura dhe pena shumë të holla që shpresoj se një ditë do të ngjyhen në bojën e dijes e diturisë.
Ai ka jetuar, por jo vetëm. Ka krijuar një fond të pasur letraro – artistik. Në fondin e tij gjen një larmi krijimesh. Ka studiuar, ka hulumtuar e ka zbuluar detajet e jetës dhe i ka pasqyruar në krijimeve letrare nëpër vite. Ka marrë si bleta nektarin e pastaj ka prodhuar produktin, “mjaltin” e tij që ne aq shumë e shijojmë. Ka botuar mbi 50 libra, mbi 50 vepra letrare, ku ndofshta një njeri “modern” nuk i ka lexuar aq në numër. Ndofshta mbi 50 të tjera ka në mendje e presin penën e dorës së tij. Të gjitha veprat e tij janë për tu ndaluar. Të gjitha të befasojnë e të japin material artistik e jetësor. Të gjitha kanë brenda historinë e krijimtarinë tonë kombëtare.
Krijimtaria e tij është risi. Aty gjëndet një galeri e paparë dhe një labirinth i vërtetë në prozë e poezi. Gjëndet njeriu i zakonshëm me dhembshurinë e dashurinë e tij, gruaja e nëna të shkrirë në memoriale dashurie e krenarie, dhimbja që kaloi një popull, si nën zgjedhën pushtuese ashtu dhe barbarizmin shfarosës, por asnjëherë me kokë të ulur. I drobitur por jo i rrëzuar, i sakatosur por jo i dorëzuar. Një popull qendrestar që i mbijetoj furtunës.
Vepra e tij që shtrihet nga lashtësia, është jo thjeshtë histori, por me argumente shkencore tregon se ky popull që ka vuajtur dhe ka kaluar tmerre është po aq i fortë, po aq rezistentë, është si bari që sa më shumë ta presësh, aq më i bukur del, del e lulëzon hijëshëm në tokën e tij.
Krijimtaria dhe veprat e tij janë një enciklopedi shqiptare. Kur ndrron librat, nuk ndrron vetëm veprat e shkruara, por kalon nga një botë në tjetrën. Sa je tek lashtësia, tek argumentet se sa i lashtë është ky popull e ky komb, sa dhe ku mundohen ta deformojnë historinë fqinjët dhe ta bëjnë të tyren jo vetëm baladën, tokën e gjakun, hidhesh menjëherë tek lufta çlirimtare e pavarësimit Kosovës me martirët e saj të letrarizuar aq bukur. Sa lexon një poezi me dashurinë e pastër njerëzore, kalon tek gurgullima e ujit në bjeshkët e Rugovës, tek natyra që aq shumë e deshi dhe aq mahnitshëm e përshkroi. Sa shfleton faqet e “Shtëpisë së verdhë” kalon befas tek shpendi që mbizotëron në krijimet e tij, tek shqiponja që edhe në fluturim e përfytyron me dy krena.
Në veprat “Diademë letrare”, në disa volume, spikat kritika letrare dhe vështrimi analitik i prozës dhe poezisë së autorëve shqiptarë. Nuk ke fare nevojë të thellohesh në veprat letrare dhe krijimet artistike, po të studiosh me vëmendje vështrimin kritik të Prof. Flori Bruqit. Aty gjen që nga kolosët e mëdhenj të letërsisë shqiptare e deri tek krijuesit e rinj. Këta të dytët kur shohin se me shkrimet e tyre është marrë ky personalitet i shquar, ndjejnë një inkurajim të pamasë e shpërthejnë në botën e tyre të krijimtarisë.
Krijimtaria e Prof. Flori Bruqit është krijimtaria e njeriut për njeriun. Ai duke qenë shembulli i moralit, i punës, sakrificës, vetmohimit, sprovës, guximit dhe inkurajimit, të tillë e bën dhe veprën dhe krijimin e tij. Nuk mund të ndodh ndryshe.
Ky libër interesant që pritet të jetë në duart e lexuesve dhe merr përsipër të jetë sintezë e krijimtarisë, punës shkencore e kërkimore, hulumtimeve dhe përshkrimeve artistike të mendjes dhe syrit vëzhgues dhe largpamës të Prof. Flori Bruqit mendoj se do jetë bërthama ku do të mund të lidhet fruti pemës madhështore të tij.
Mendoj se sado i madhërishëm të jetë ky libër, sado personalitete të shkruajnë kritikat dhe mendimet e tyre, asnjëherë nuk mund të arrihet të përmblidhet në një botim si një vepër dhe të thuhet : “Kjo është vepra e Prof. Flori Bruqit”. Jo. Ai ka një shtrirje të gjërë krijimtarie artistike dhe shkencore si në kohë dhe në volum. Ai nuk ka thjeshtë mbi 50 vepra shkencore dhe letrare, por ka mbi 50 dritare me këndvështrime të shumta e dhjetra tematika që nuk përputhen me njëra tjetrën.
Në librin që pritet të merret në dorë nga lexuesi vërej një gamë të ngushtë nga larmia e tij, por nga ana tjetër vërej se shumë nga krijimtaria e tij e gjërë nuk janë cekur. Kjo vjen nga fakti se krijimtaria e tij shumë vite përpara nuk ndodhet në duart e lexuesit të zakonshëm. Kjo nuk do të thotë që studiuesit, kritikët letrarë dhe dashamirësit e tij të mos vijojnë të merren me atë në vite. Ajo është një labirinth ku mund të futesh, por duhet të mendohesh mirë se është e vështirë të dalësh. Po të marrim të mirëqenë këtë libër, atëherë duhet të shoqërohet dhe po me aq libra sa ka dhe volumin krijimtar të tijin. Vetëm kështu do të mbeteshim disi të kënaqur.