Në prag të 30 vjetorit të Partisë Socialiste:
“ENVER HOXHA NUK VDIQ, POR PLASI!”
-Refleksione mbi rrëfimet e ish Sekretarit të KQ të PPSH, zotit Xhelil Gjoni-
Në fund të vitit 2017, faqet kryesore të shtypit të ditës, u përfshinë nga një debat i zjarrtë për helmimin e mundshëm të Enver Hoxhës. Sebep u bë botimi i librit “Blloku”, i doktorit personal të Udhëheqësit, Isuf Kalo. Ato ditë, edhe unë, autori i këtyre radhëve, botova tek DITA, shkrimin më titullin disi intrigues: “Enver Hoxhën e helmuan “të helmuarit”! Por miku im shkodran, Xh. A., pasi lexoi shkrimin në fjalë, më tha se titulli do të kishte qenë më i goditur, sikur të thuhej se “Enver Hoxha nuk vdiq, por plasi”! Rrëfimet e ish sekretarit të KQ të PPSH, botuar këto ditë në katër numra të gazetës DITA, më dhanë mundësinë që sugjerimin e mikut tim ta realizoj, duke e vendosur në titull të shkrimit që po i paraqes lexuesit.
Sipas rrëfimit të zotit Xhelil Gjoni, drejtuesit të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës të Shqipërisë, (Kongresi që e konvertoi këtë të fundit në Parti Socialiste), kur anëtarët e Byrosë Politikë të KQ të PPSH, u gjendën nën breshërinë e kritikave të delegatëve, duke i kthyer ata në guhakë, Ramiz Alia zbriti nga llozha ku ishte fshehur, u ngjit në tribunë dhe deklaroi: “E shihni shokë delegatë se me cilët kam pas të bëj”! Me këtë batutë, “Pilati” shqiptar, i lau duart nga përgjegjësia e drejtuesit kryesor të PPSH, dhe u ngjit përsëri në llozhë, për të ndjekur prapa perdes, tragjedinë që ai kishte thurur gjatë karierës së tij politike, dhe që po e vinte në skenë 6 vjet pas ndarjes nga jeta të Enver Hoxhës.
Tragjedia e Kongresit të 10-të të PPSH, që u zhvillua më 10 Qershori 1991, ua kalonte me disa fish tragjedive të famshme të Uliam Shekspirit. Se në rastin tonë, nuk bëhej fjalë për fatin e një mbreti, si ai i Danimarkës, tradhëtuar nga i vëllai dhe mbretëresha e tij, por bëhej fjalë për fatin e një populli të tërë, tradhëtuar nga një parti, e cila e kishte udhëhequr për gjysëm shekulli me radhë, dhe së cilës i kishte besuar e përkushtuar më tepër se zotave në qiell. Për fat të keq, në tragjedinë e Kongresit në fjalë, nuk kishte vetëm një mbret të helmuar me “vaj të nxehtë në vesh”, por plot 1518 delegatë, të trullosur nga fjalët e përdredhura të nomenklaturës së lartë partiake, ku “violinë” e parë dhe drejtues i punimeve të Kongresit, ishte pikërisht rrëfimtari i sotëm i historisë, zoti Xhelil Gjoni. Batuta e “Pilatit” shqiptar, Ramiz Alia, drejtuar delegatëve: “Shihni shokë se me cilët kam pas të bëj”, ishte “gracka ku delegatët do të binin si laraska”, duke pranuar prapaskenën tragjike që ishte përgatitur dhe po luhej në kurriz të partisë së tyre të lavdishme, dhe të të gjithë popullit shqiptar.
Batuta e mësipërme e Ramiz Alisë kishte një të vërtetë, por jo të plotë. Shumica e atyre me të cilët ai ishte i “detyruar” të punonte, kishin ardhur në drejtim edhe falë “propozimeve” të tij. Pa llogaritur këtu 6 apo 7 vitet, kur ai kishte në dorë edhe propozimet, edhe miratimet, sepse gjendej në postin më të lartë të partisë e të shtetit Socialist. Ndaj në shpurën e atyre, me të cilët ishte i “detyruar” të punonte shefi i tij i madh dhe vetë ai, duhet të llogaritet edhe Ramizi, ndonëse në sens të kundërt nga të parët. Një pjesë e mirë e atyre që personifikon Ramiz Alia, “dalloheshin” vërtet për mungesë aftësie dhe përkushtimi në drejtimin e punëve të partisë e të shtetit socialist. Ndërsa Sekretari i KQ për Propagandën, Ramiz Alia, ndryshe nga të parët, kishte lindur me lëkurën e kamaleonit, lëkurë të cilën, pas ndarjes nga jeta të Enver Hoxhës, dhe ngjitjes në postin e lartë, e zhveshi atë, duke e kthyer “timonin” e Anijes shqiptare drejt ujrave të zeza të “euroatllantikut”.
Historia tashmë 30 vjeçare e post-socializmit, vertetoi se Komandanti i LANÇ dhe Arkitekti i Shqipërisë së Re e moderne, Enver Hoxha, në 44 vite të luftës Çlirimtare dhe të ndërtimit Socialist, i është dashur të luftonte e të punonte i rrethuar, jo vetëm nga shokët e vërtetë të Revolucionit e të idealit komunist, por edhe nga karieristët, matrapazët, kamaleonët dhe mercenarët e të huajve në radhët e Armatës së tij. Sa ishte në jetë, Enver Hoxha nuk mungoi të godiste me grusht të hekurt, çdo tentativë për të sabotuar apo ndërruar kursin e zhvillimit socialist dhe forcimit të çështjes sonë kombëtare. Por në goditjen e fundit të fillim viteve nëntëdhjetë, poshtë “brrylit” të tij kishte mbetur “derri maç”, i cili, vetëm pesë gjashtë vite më vonë, do të na bënte gjëmën. Dhe “derri maç”, nuk ishte tjetër, veçse Ramiz Alia, i cili në vitin 1991, ankohej duke treguar me gisht, bashkëpunëtortët, që ai vetë i përgatiti e i futi në hullinë e tradhëtisë se PPSH e të Shqipërisë. Ishin pikërisht këta “juder” të maskuar në radhët e PP, e madje edhe në udhëheqjen e lartë të saj, që pavarësisht nga pastrimet e herëpas’hershme, Udhëheqësi i madh e ndjente se nuk do të soseshin. Dhe kjo e nxiti atë të mbante fjalimin e famshëm të 40 vjetorit të Çlirimit, fjalim, i cili ishte një amanet për ta ruajtur Shqipërinë, gjithnjë të kuqe, si idealet komuniste e partizane. Ky fjalim amanet, shoqëruar me foton e tij të fundit, flasin qartë për brengën që Ai kishte për të ardhmen e vendit, të cilën e ndjente se po e linte në duar jo të sigurta, në duart e atyre që ia plasën shpirtin dhe vetë jetën, me përdredhjet burokratike dhe veprimtarinë e fshehtë antikomuniste e antikombëtare. Ishte pikërisht ky fakt, i dukshëm tashmë në fillimet e të ashtuquajturës demokraci borgjeze, që e bëri mikun tim shkodran, XH. A. Të shprehej midis shokëve se “Enver Hoxha nuk vdiq, por plasi”, e që unë e përdora për kreun e shkrimit tim modest.
Ajo që të dëshpëron ende edhe sot, është mungesa e reagimit të saktë të ish anëtarëve të Partisë së Punës, veçanërisht të nomenklaturës së lartë të saj, që janë ende në jetë, e madje edhe shkruajnë kujtimet e atyre viteve të arta, rrezatimi i të cilave depërtonte tej kufijve shqiptarë, por që u shuan në fundvitet nëntëdhjetë nga mbulesa lara-lara e tradhëtisë dhe demokracisë borgjeze. Ish udhëheqësi i lartë i nomenklaturës së PPSH, zoti Xhelil Gjoni, në rrëfimet e tij për Kongresin e 10 të PPSH, për shkaqet e përmbysjes së socializmit dhe për udhëheqësin e madh Enver Hoxha, në përgjithësi thotë e shkruan saktë. Por megjithatë, në disa çështje teorike e praktike të ndërtimit socialist, përsëri edhe tani mbas tridhjetë viteve, ai mbetet në konkluzione ekuivoke, të cilat nuk justifikojnë nivelin e tij intelektual, politik dhe ideologjik, si dhe pozicionin hierarkik që ka patur në strukturat e PPSH.
Është e pabesueshme që një intelektual i kalibrit të Xhelil Gjonit, përgatitur në të gjitha shkallët e dijeve të fushës politike të kohës, dhe për më tepër drejtues në organet e shtypit të Partisë së Punës, e gjer në udhëheqjen e lartë të saj, të thotë se Enver Hoxha, për një varg çështjesh ishte kontradiktor. Ai citon për Enver Hoxhën se: “Ndërsa fliste për mendimin e lirë, në parti e jashtë saj kërkonte “puritanizëm” të kulluar; “Se nga njëra anë i vlerësonte intelektualët dhe përpiqej për një trajtim të kujdesshëm të tyre, kurse nga ana tjetër i cilësonte ata “ndihmës të Partisë”; “Se fliste për unitetin e popullit, në të njëjtën kohë që zhvillohej e ashpër lufta e klasave”, etj.
Enver Hoxha fliste dhe nxiste mendimin e lirë në çdo organizëm të pushtetit e të shoqërisë, madje edhe në mbledhjet e forumeve të partisë. Por pas marrjes së vendimeve, nuk mund të lejonte liberalizëm në zbatimin e këtyre vendimeve. Enver Hoxha i donte, i respektonte dhe i mbështeste intelektualët, dhe me të drejtë i quante ndihmës të Partisë, sepse Partia udhëhiqte gjithë jetën e vendit, dhe nga ky pozicion, intelektualët nuk mund të ishin ndihmës të ndonjë partie apo ideologjie tjetër, siç ishte ideologjia borgjeze e revizioniste. Enver Hoxha, ishte simbol dhe realizues i unitetit të popullit shqiptar, por ky unitet nuk mund të zhvillohej e të konsolidohej, pa zhvilluar me konsekuencë luftën kundër përpjekjeve të ish klasave të përmbysura dhe të borgjezisë ndërkombëtare, që nuk linin gurë pa lëvizur për shkatërrimin e këtij uniteti, që ishte baza e egzistencës së Socializmit dhe të vetë kombit tonë.
Akoma më e pabesueshme është qëndrimi i ish Sekretarit të KQ të PPSH, Xhelil Gjoni, ndaj Partisë Socialiste, që nuk ishte e nuk është asgjë tjetër, veçse një variant i Social-demokracisë borgjeze, e cila jo një herë gjatë historisë së saj, është vënë kundër interesave të klasës punëtore, të fshatarësisë e shtresave të paprivilegjuara të qytetit e fshatit, dhe në shërbim të borgjezisë. Sekretari i KQ të PPSH, Xhelil Gjoni, tani mbas tridhjetë viteve nga konvertimi i PP në PS, ku autor i këtij konvertimi ishte edhe vetë, thotë se e ndjen veten jashtë Partisë Socialiste. Sepse, vijon ai: “Partia Socialiste aktualisht ka ndryshuar shumë, duke u shkëputur apo larguar nga parimet e qarta mbi të cilat ajo u krijua!!!”
A mund të besohet në këtë frazë të fundit të ish Sekretarit të KQ të PPSH-së?
Cilat ishin ato “parime të qarta” të krijimit të PS? Konvertimi i emrit dhe i programit politik sa hap e mbyll sytë në një kongres amalgamë? Ku delegatët kishin ardhur me teserën e Partisë së Punës në xhep, dhe dilnin nga salla me një libreze kartoni, e cila, në vend të “Drapërit e Çekanit”, simbolit të alenacës së proletariatit me fshatarësinë, kapardisej një trandafil i zbehtë, që as tufa e deleve nuk do ta qaste në grazhdin e saj.
Unë e kuptoj zotin Xhelil Gjoni, që tani në moshë të thyer, e ngacmon ndërgjegja për të “bërat” dhe të “pabërat” e tij e të shokëve të tij, pas ndarjes nga jeta të Enver Hoxhës. Në fillimet e këtyre të pabërave, shumë anëtar të thjeshtë të Partisë së Punës, u mashtruan, dhe e ngritën dorën, duke miratuar konvertimin në fjalë, pa e kuptuar se me qëndrimin dhe votën e tyre, po ndihmonin në përmbysjen e madhe, jo vetëm të Partisë Heroike të Punës, të udhëhequr nga Enver Hoxha, por po ndihmonin në përmbysjen e Shqipërisë Socialiste, dhe kthimin e saj tek “mjekërroshët” e sotëm të borgjezisë mesjetare. Ndërsa veprimi i ish Sekretarit të KQ të PPSH, dhe shokëve të tjerë të nomenklaturës së lartë të Partisë e të shtetit, nuk mund të falet, e as të përcillet me shprehjen “u mashtruan”, apo se “nuk e kuptuan se ç’po ndodhte”, etj. Ata e dinin fort mirë se ç’po ndodhte dhe madje edhe se çfarë do të vijonte të ndodhte edhe në të pastajmen. E dinin fort mirë, sepse skemën për t’u konvertuar në rrugën kapitaliste, e kishin përgatitur me kohë, si me paaftësinë dhe mungesën e përkushtimit të tyre, ashtu dhe me korruptimin që u kishte bërë ideologjia borgjeze, me “perestrojkat”, “ekonominë e lirë të tregut”, me “demokracinë pluraliste”, e të tjera terma, që borgjezët i përdorin pa kursim në “ruletën” e tyre të sistemit shfrytëzues kapitalist.
Do të ishte e udhës, që personazhet politikë e shtetërorë të para viteve nëntëdhjetë, nëse më në fund kanë kuptuar veprën e tyre të zezë, le t’i thërrasin ndërgjegjes e të kërkojnë falje publike, duke bërë të plotë transparencën e skenarëve ku kanë marrë pjesë. Kjo të paktën do të kishte një farë vlere, për qartësimin e faktit se, Socializmi nuk dështoi si sistem shoqëror para-komunist, por u tradhëtua poshtërsisht prej atyre, që duke qenë në krye të piramidës partiake e shtetërore, u joshën nga “karrota“ kapitaliste dhe kapërcyen mbi idealet për të cilat ishin betuar.
Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, atëhere, më mirë të mos flasin e të mos shkruajnë, duke na treguar më naivitet, apo me karshillëk, turpet e bëmave të tyre në dëm të vendit.
——————————————————