10.5 C
Tiranë
E dielë, 3 Maj 2026

Hysen Kobellari

LETËR MIUT

Mi,

Nuk po të them as i dashur, as shok, as zotni, se të gjitha këto më duken të dobëta dhe të kota, përballë faktit të mrekullueshëm se emri yt është ai i notes së tretë muzikore, ndër shtatë notat gjithsej që ka muzika, prej nga burojnë tingujt dhe meloditë e pafundme. E kam të qartë dhe as që e vë në dyshim erudicionin e një brejtësi si ti, se e din tashmë, që të gjitha gjallesat vijnë nga një pikë ujë dhe se Zoti e ka filluar krijimin e njeriut prej baltës së një lloji të veçantë … Mi, pra, Nuk e kam ditur se je kaq fisnik e kaq zemërbutë. Mendoja se ti ishe vajtimi dhe ngushëllimi i gjetheve fëshfëritëse të pakalbura të vjeshtës në një park vetmitarësh të përjetshëm. Apo pështyma e një xhelati, gogësima e një tirani, dekompozim brenge psherëtimash të një mjerani, gëlbaza e hidhur e mbretit Lir, helmuar nga mosmirënjohja, harresa e kotësia … Ndaj dhe të kam ndejt larg. Si urrejtja dashurisë. Afër.Si të gjithë gjasme të mençurit, që nuk donin me ia dit ma për ty; u ishe neverit, i pate tremb e i kishe pataks me pisllëkun tënd të paragjykuar, të ligshtpandehur, keqhamendësuar. Ti jeton midis pisllëkut material dhe lufton të mos ndotesh krejtësisht; njerëzit jetojnë mes pisllëkut të veseve për të luftuar në mbrojtje të disa grimcave si pluhur diamanti të virtuteve … Ti je më i pastër ndër të pastrit !,- bërtet me mua edhe zonja Makbeth dhe lan duart e bardha, me lot përgjërimi e pendimi nga thellësitë e shekujve tragjikë. Dhe unë rrah fort shuplakat e gurta të kujtesës nazike… Por tash, i dashtun mi, më thonë se jam plak dhe se unë se pse dua me ndenjt me ty. Njeriu është në moshë aq sa ndihet. Apo jo ?! Mos e kam gabim ?! … Kohët e fundit eshtrat më janë sëmundur; herë më duket sikur më janë zbutur, herë i ndjej se më janë ngurtësuar, si këpucë alpine. Koka sikur po më mban erë hallve. Mbase të gjitha këto janë pandehma koti. Dhëmbjet më ngjiten përpjetë dhe më zaptojnë kryet. Gjithçka përpara syve më hov si një tymnajë shpirtrash të pakuptueshëm. Atëhere se pse më vlon dëshira të të shoqëroj dhe dua që ti të më kesh mik. Nuk e di se ç’lidhje kanë gjithë këto gjëra me ty. Mbase t’i them kot. Se të pandeh mik pa ta marrë pëlqimin. Mik është shkurtimi i fjalisë “ Mos ik ! “, më kupton ?!. Mik është një fjalë e madhe, o shoqëruesi im i dëlirë !… Ty varfëria nuk të bëri mercenar dhe padituninë e luftove që të mos mbeteshe në errësirë bodrumesh të mykta. Nuk vodhe tek ata që s’kanë, as edhe tek të kamurit, por thërrimet kurrë nuk i shkele me përbuzje fodullësh, ndaj unë nuk të tall edhe nëse ti zgjat dorën, gjë që kurrë nuk e ke bërë, se ti nuk ke dorë, por ke këmbë dinjitari … Vetë më ke thanë se andrra jote ma e bukur është që një ditë të bahesh zog… Kjo asht edhe andrra jeme ! Lus Zotin që të ma kryejë këtë metamorfozë, kthimin tim në zog e të mos më lërë, siç ndodhi me ty, i dashur mi, kur u bëre Lakuriq Nate, duke qënë edhe zog, po edhe mi … Dikur kam patur një bashkëpunëtor të zgjedhur nga soji juaj, ndaj nuk dua ta harroj pa përmendur kavien, atë qënie aq të dobishme për njeriun dhe eksperimentet e tij. Provat e shumta me dhimbje të padurueshme të bëra në të gjitha organet e miut të bardhë, aq të ngjajshme me të njeriut. Durimmadhi kavie ! Shembull i gjallë sakrifice, vetmohimi, qëndrese; martir shkence, i stëmunduar deri në skajshmëri … Fitimtar don të thotë Sakrifikues; por të sakrifikosh dhe të sakrifikohesh për kë ?!… dhe përse ?! Lëri idealet, se sot ato nuk vlejnë ma; po edhe interesi e ka një farë kufini. Këtë nuk di ta shkoqit fare unë, miku jot më i mirë. Minjtë do të jenë të përjetshëm bashkë me njeriun në këtë botë. Bashkë në të gjitha tërmetet do të tubohen. Ma merr mendja se nëse nëpër këmbët tona nuk do të ketë më minj, vendin e tyre do ta zënë klithmat dhe ulërimat e shpirtrave mëkatarë dhe atëhere njerëzit s’do të kenë më qetësi e rehati; ata do të vrapojnë të tmerruar e të budallepsur si për të kërkuar vrimë ku të futen e të fshehin mëkatet e shumta që kanë bërë, me dashje apo pa dashje. Dhe pastaj në vend të këngëve e melodive të mrekullueshme njerëzore do të dëgjojmë ciatje minjsh të zhdukur, si gurgullima rropullish djallëzore boshe. Mandej vjen tërbimi popullor, ndëshkimi hyjnor pas gjyqit … Kam shumë dëshirë të shoqërohemi. Mbase banem i aftë të të njoh më mirë. Se ti as që ke nevojë të më njohësh, as mundësi. Dua të të njoh si askush deri më sot. Të të çmoj ashtu si kohën, ashtu siç kam çmuar veten time. Të më falësh, o Mi, në paç perëndi, nëse u zgjata paksa dhe mbase e teprova; se akoma nuk e di ç’lidhje ka muza dhe tërkuza, po nevoja për t’u shprehur qenka e papërballueshme … Dhe s’di se si u akmetisa pas teje. Mos m’u zemëro, se do të kalosh provë të rëndë me zemërimin tënd; miku provohet kur zemërohet. Posht Mëkatarët Mivrasës ! Mirardhsh. Mirtëgjeça.

Lamtumirë, Andrea Zambaku

P.S. A trembesh nëse mbaj çark ?! A ke frikë nëse kam mace ?! Kurrë mos e mësofsh, që unë e kam mike Nuselalën ! …

 

SHËN SHKRESË

– Frymëzuar nga “Uliksi” i Xhejms Xhoisit.

Shoku shkrimtar ! Shesim shkrepse shkurtabiqe, shkretuese shkrepash, shkatërruese shteti shkretan sharlatanësh. Shkrepse ose shpirto … Shteti shikon shtrembër shitësit e shpirtit, shkund shkëndijat e shpresës së shuarjes së shejtanëve shëmtaraqë që shpien në shkatërrim të shabanëve sharrues me sharrën shahistike shihedhëse. Shtet sheputkë. Shtet i shpifur shurdh e i shkarë; shtetar shqipsëz. Shtab. Shtypës.Shet shpërblime. Shterpësi shkretane sherresh. Shteti shërbëtor shpjegohet shpejt, shpërbëhet … Shtet, shilinga dhe shalë. Shqetësim shqeto. Shko, shurdh, shmange shpifjen ! … Shtëpi shtatkatëshe shamatarësh. Shenjuesi shpreh të shenjuarin. (R.Bartes). Shenja shembullore. Shitësi shtijanik shkundet shqitas, shushatur shajakthi, i shkreti shtatanik shtrëmbak !… Shoshar. Sherif shalëgjati shelgun shalon, shëron shinkuqen shegë, shakatoren shqipe. Sheqerngrënës. Shake shpatarake, shëndetlie, shakadije. Sheshpushim. Shkollar ! Shkallares shkruaj : Shtatlarti- Shkurtabiqi. Shembull shabllon – shakaja që shkallon shthurjen; shpifja shijon. Shpendë shpirtkazmë shembur shekujsh; shoqe shpirtllagar. Shalqini shkëlqen, shija shpalos shkoqur shishen shkëlqimtare; shtrydhe shkakun e shqetësimit shpinëzës shpëtimtare ! … Shurruthulla shkarrëzehet shalavarthi, shqyen e shkalafit shoqërinë si shparthi; shtrigu shëndetlig shtetar shpëton shpifjen me shkrifje; shoh shefqetin me shkëlqim, shkund shakullin sheshmin shekullor shesh-besh. Shtang në shteg. Shtëk, o shkop ! Shushka shushat shpendin shush shenjtor në shandan, shpik shejtanisht sharje; shpirtin shet sheleg shamatari. Shtrembërohet shpirtërisht; shkon, shndërron, shtyp, shkreton, shkel, shkelmon, sherbeton … Sheshpushim. Shtëpi sheqeri shpërfillëse. Shkundës sharjesh; Shifrant shafrani. Shkumbin shtojzovallesh. Shushurimë. Shtojzavalle shushice… – Shkretoje Shegën, shofer ! Shkretoje, të shitoftë shtrigë e shejtanit ! … – Shto shiun, shpirt, shtratin shesho ! Shpërfill shamatat, shfuqizo! Shuaje shikimin sherbelës te shiltja, shënjestro shqekëzën e shkumbanores … Shënjestrani sharton shallaganen, që shënoi e shpoi shpatarja e shtatë, shllap e shllup me shpatë. Shaneshin. Shkurtimisht shamikuqja shiton, shapllamos, shterr, shtiros; shënjestron me sherr, shungullon shumëfish shishqebap e shish …Shiu i sherrnajës shtendos shushurimën e shprishur të shputës shqerrake, shmpin shfrimet e shpurës shamizezë shakatore … Shëmbëlltyra. Shampanjë dhe shampoo … Shkolla shkëlqen, shkumësi shkruan shenja shenjtërie. Shuguroje, shok ! Shqip dhe shkurt. Shishe shurupi, shuaje shkëndijën, shtjerja shigjetat e shiut të shtëmbës ! Shkelmoje ! Shtrembëroje … Shuaj shapkash … Shëmbëllesa. Shamia, shenjtëria…

Shushate shpifjen, shalëgjatë ! Shtifsh sheqer shekujsh shamberllanësh shtrembanikë!… Shëlboje shuguruesen e shenjtë, shihedhës … Shqyeje shqyrtimin shahmat. Shyqyr. Shpend shpirti. Shihemi. Shërohemi. Shfletohemi. Shamatohemi. Shumohemi. Shau e shiu … Shërohet sherrxhiu ?! Shkolla shndrin. Shoqëria e të Shkruarit Shkronja Shqip.Shkumësi shkruan shejza shenjtnie… Shenjtërojmë Shën shkresën. Shurdhërisht, shakaxhi, shkurtimisht. Shkruaj, shuaj e shtjer … Shkurtimisht, Shofer.

Shef Shuaip Shefit Sharra,

Shantazhier.

 

DISA MËNYRA PËR KRIJIMIN E NJERIUT …

Ora e mësimit të Kulturës Fetare sapo ka filluar. Teologu sakaq hyn në klasë, i qetë, i veshur bukur e pastër; në sjelljen e tij vërehet siguri e vendosmëri, por edhe fshehur, – një farë ngutjeje, nxitimi. – Na dhëntë Zoti mbarësi e mëshirë për ditën e sotme ! …

– Amin, – bërtitën nxënësit njëzëri. – Me leje të Zotit dhe për kënaqësinë tuaj mbase të gjithëpranuar, sot jam i detyruar të flas shkurt, nëse më lejohet …

– Pooo. Ah ! … Uhhhhhh… – ndihet një ofshamë kënaqësie nga klasa. Ky lloj reagimi dhe komunikimi me teologun është bërë tashmë i gjithëpranueshëm. Heshturisht.. – Kjo, për shkak se më duhet të marr pjesë në një varrim, ndaj lipset që … – Joooo. Uffffffff, – dëgjohet një tjetër duhmë zërash të nxënësve, duke e mbajtur disi të fshehtë domethënien, nëse është shenjë kënaqësie apo pezmi. Teologu ndalon pak çaste, por nuk parapëlqen të reagojë ndaj mërmërimave të qëllimshme të nxënësve; këtë ata e dinë, ndaj veprojnë pa fare drojë. – Sot, pra, shkrutimisht do t’iu flas e informoj për disa mënyra, të cilat i përdori Zoti fuqiplotë në krijimin e njeriut, pra të qënies njerëzore. Këto mënyra janë të pranuara krejtësisht nga të gjitha rrymat fetare që ekzistojnë në botë deri tani. – Ligjëruesi resht për një çast. Vështron plot kënaqësi e admirim nxënësit, të cilët dëgjojnë me sy e gojë hapur. – Të dashurit e mij, vëllezër të vegjël ! – thërret papritur pastaj sikur të ketë zbuluar diçka befasuese. – Duhet të mbani shënim ! Kaq shkurt dhe qartë s’kini ku t’i gjeni këto gjëra… Ju pres vetëm një minutë, sa të bëheni gati. Zoti ju bekoftë !…

– Amin., – shpërthejnë njëzëri dëgjuesit e vegjël, plot dëshirë e kënaqësi. Fësh- fësh, fësh, zhurmojnë midis tyre fletoret, çantat që hapen e mbyllen, lapsat që gatiten për shkrim. Teologu qit një shami të madhe, të bardhë, prej xhepit të alametshëm të uniformës së zezë, që mban përherë veshur dhe fshin hundët dhe ballin me një delikatesë femërore, pa bërë aspak zhurmë. Fëshfërijnë sërish fletoret dhe kërcasin lapsat përmbi sipërfaqet e pastra të bangove të nxënësve. – Mënyra e parë dhe fillestarja si ngjizje hyjnore, – ngre zërin mësuesi, – është nga balta. Fjala, me vullnet të Zotit u bë gjallnike pikërisht në baltë … Zoti urdhëroi të bëhej njeriu në formën që deshi, nga një baltë muzgore, si brumë, e fortë dhe e punueshme. Kështu u formua skeleti, karkasa. Pastaj, ndërtesës i fryu, e hukati shenjtërisht; i futi shpirtin, e ngjalli, e pruri në jetë dhe e quajti Adam, ose “I Parë”, “ Njeri i Parë”. Qartë ?! … Nuk jam shpejt, besoj, apo jo ?!… – Je, je, jeee … – brohorasin njëzëri shënimembajtësit sypishë, që se pse dridhen këndshëm teksa shkruajnë. Teologu pulit sytë, stepet për një çast, mbushet mirë me frymë dhe thotë: – Po mirë. Po e përsëris. Zoti urdhëroi … Prandaj njeriun ne e quajmë shpesh “Baltë e Zotit” !… Nxënësit shënojnë shpejt e shpejt fjalët e tij mbi letër. Mësuesi ndihet mjaft i kënaqur nga sjellja e tyre urtake dhe interesimi i madh për lëndën që ligjëruesi sjell. -Mënyra e dytë, – thotë ai, pasi mbaron përsëritjen e ligjëratës së fillimit, – është… Këtu teologu ngec. Përtypet pak sekonda, pastaj e merr veten dhe flet ngadalë : – Zoti urdhëroi, të merrej një brinjë e Adamit, diku pranë  zemrës së tij, teksa njeriu i parë ishte në gjumë, i dha formën që deshi, sipas shëmbëlltyrës së njeriut të parë, Adamit… Krijoi Avën, që do të thotë “Grua e Parë”… U krijua duke marrë pjesë gjymtyrësh prej një njeriu tjetër, pra … U bënë dy njerëz, me mish e me shpirt, që të adhuronin të madhin Zot, krijuesin e tyre mëshirëmadh …

– Pooo …Oh ! Ooooo… – dëgjohet si një gurgullimë currile ujvare pasthirrma miratuese e nxënësve. Po teologu nuk guxon të ndalet. Ai sikur merr zemër nga reagimi i dëgjuesve të vegjël. Flet gjithë pasion dhe siguri. – Mënyra e tretë e krijimit të njeriut… Me nënë, por pa baba; Zoti, me të madh të tij, urdhëroi të lindet profeti Krisht nga një grua fisnike e zgjedhur, bija e Anës, duke futur Shpirtin e Shenjtë brenda saj. Jetën dhe bëmat e këtij të linduri ne, do t’i mësojmë së bashku, kur të punojmë me Librat e Shenjtë … Jetën, vdekjen, ringjalljen, ngritjen në qiell pranë krijuesit dhe mundësinë e kthimit, në atë ditë kur …!… – Uaaau ! – habia e nxënësve përplaset me jehonë pas mureve dhe tund lehtësisht qelqet e dritareve. Po teologut nuk ia ha qeni shkopin. Nuk stepet dhe nuk e mposhtin reagimet e dëgjuesve, të çfardollojta qofshin ato. Nxiton të kumtojë sa më shpejt mënyrën tjetër të krijimit të njeriut. Ngre dotën lart, drejt përpara fytyrës dhe britma habitore e fëmijëve fashitet, si vala e dobët e detit në një natë të qetë me hënë. – Mënyra e katërt, – dëgjohet si trokitje zëri i kthjellët i ligjëruesit, – është mënyra e zakonshme e lindjes së njeriut të ditëve të Zotit, që në krye të herës, deri në ditët tona dhe përtej … Dy njerëz, që quhen Baba dhe Nënë, që më parë janë quajtur Burrë dhe Grua, bashkohen në dashuri, me lejen dhe për hir të Zotit dhe lindin një njeri, një krijesë të re … Gjaku dhe qumështi …

– Ohoooo, hooo, hooo ! – oshëtin klasa nga një rënkim mrekullimi i ëmbël shpirtrash të bashkuar. Është një përzjerje e butë kënaqësie, habie, mirëkuptimi dhe mirënjohjeje të përjetshme, për këtë mënyrë sa njerëzore, aq edhe hyjnore të krijimit të njeriut… – Ja, pra, këto janë mënyrat postulative të krijimit të njeriut, të njohura e pranuara deri më tani; mënyrat e ardhjes së njeriut në këtë botë. Fëmijët shënojnë në fletore fjalët e fundit të ligjëruesit, i cili ngutet dhe bëhet gati të lëvizë, të ikë. Shënimembajtësit ngrehin kokat një nga një. Kush e di se ç’mendojnë këtë çast ato koka të bukura, me ata sy të kthjellët e të lëvizshëm, si zhiva… – Me leje, mësues ?! – dëgjohet zëri i Mimozës, e cila është ulur në bankën e parë dhe ka mbaruar e para hedhjen e shënimeve në letër. – Unë kam lexuar një libër dhe e kam parë në një film. Një xhaxhi, me emrin … s’po më vjen në mend tani emri… Ky xhaxhi bëri një njeri prej druri dhe e quajti Pinok. Ky Pinoku, me dëshirën e madhe të atij që e bëri, u bë njeri i gjallë, një djalë shumë i mirë dhe … Teologu trembet. Një ndërhyrje të tillë nuk e ka parashikuar. Përpiqet të kuptojë nëse vajza e përmendi me qëllim njeriun e krijuar nga druri, për ta qesëndisur atë, apo i erdhi ndër mend ashtu, kot; punë fëmijësh, thuaj… Ai e shikon drejt e në sy, e vështron me kast; vajza nuk duket aspak syshejtankë. I gatshëm për ikje nuk dëshiron që vajza të vijojë tregimin e saj, që shumëkush e dinte. Kurrësesi. Po të ndodhë kjo do të hapen shumë avaze … Ndërsa ai don të largohet sa më parë nga klasa. Fëmijët kanë shumë “ Pse ?! “ – ra në kokë, pikëpyetje nga më të çuditshmet dhe nga më të papriturat, ndërsa ai nuk ka as kohë dhe as durim të shoshitë e të shkoqitë më tej gjëra që kanë lidhje me krijimin e njeriut… Edhe atij i kujtohet fare mirë tregimi mbi Pinokun; ajo histori e mrekullueshme e atij djalit prej druri të baba Karlos, i cili …

Teologu vendos sakaq dorën përmbi hundë. E mban atë atje për pak sekonda. E heq. E vendos përsëri. Vetvetishëm. Nuk është i sigurt dhe nuk ndihet aspak i qetë. Po është i bindur se nuk duhet të rrijë më aty, por edhe sikur nuk don të ikë, pa qenë i sqaruar se ajo hunda e tij … E kap hundën përsëri me majrat e gishtave, si me frikë dhe droje. Sikur e përkëdhel dhe e merr me të mirë. Hunda, ky organ nuhatës, por jo vetëm, nuk mund të jetë kurrë tradhëtare e njeriut, si pjesë të tjera të trupit, po; fjala vjen, gjuha, syri, ose brinja … Por ai nuk është i sigurt plotësisht se hunda e tij nuk është rritur paksa, nuk ka ndryshuar, nuk i është zgjatur, zmadhuar. Duhet të ngutet, të nxitojë; të ikë nga sytë-këmbët. Të largohet sa më parë nga klasa, nga nxënësit. Të paktën të mos e shohin fëmijët nëse i ndodh ndonjë gjë me hundën. Hunda po bëhet vërtet problem i madh për sot, mendon me vete. Dhe për këtë të papritur fare të paparashikuar i vjen shumë çudi. Ndër mend i vijnë disa shprehje për hundën, si fjala vjen: “ Hundëpërpjetë ! “; “ Njeri që nuk shikon më larg se hunda e vet. “ , “Tall hunda – buzën.” … – Mimoza po na tregon një libër përrallë, të dashur fëmijë. Me vullnet të Zotit, për këtë do të flasim një ditë tjetër, – thotë ai shpejt e shpejt, teksa matet të kapërcejë pragun e derës. – Po Pinoku ishte një fëmijë aq i mirë, mësues. Ai … – thonë njëzëri tre- katër fëmijë nga radhët e fundit, teksa ngrihen në këmbë dhe japin e marrin me duar e këmbë, duke mos shpjeguar dot me fjalë ato çka mendojnë.

– Me leje të Zotit, për sot mësimi mbaroi. Mirushikofshim! – thotë teologu dhe del, duke tërhequr ngadalë derën pas vetes, pa dëshiruar të thotë asnjë fjalë shtesë. Nxënësit për herë të parë harrojnë të thonë “Amin”. Teologu e shkon nëpër mend këtë fakt… Fëmijët pas krahëve të tij fillojnë të bëjnë zhurmë, por atij aq i bën. E ku merret vesh ç’thonë ata në tërë atë zallamahi zërash… Teologu po shkon i gëzuar dhe i vendosur në varrim; mendon për shpërblimin që do t’i japin, pas përcjelljes së atij njeriu të vdekur, i cili me kohë do të kthehet sërish në baltë. “ I vdekuri në shtëpinë e tjetrit, të duket sikur fle !’, mendon ai për një çast, pa patur droje se vdekja e kësaj radhe do ta prekë sadopak shpirtërisht… Dhe sa më tepër largohet nga fëmijët, aq më i sigurtë bëhet se hunda nuk i është rritur aspak dhe se ai duhet ta lërë atë përgjithmonë në punë të vet …

 

DHËMBËT

 

– I gëlltita !… I gëlltita !

– Çfarë gëlltite, inxhinier ?! Çfarë ?! – Dhëmbët.

– Bah! Po si i gëlltite ?! Do të ishe mbytur, me siguri…

– Po, ja … Në gjumë. Prej dy ditësh i kam në bark. Këtu i kam. Po … Që prej dy ditësh nuk kam dalë jashtë, nuk kam shkuar në banjë, dhe … – Do të ishe mbytur, po të them. Nuk ka mundësi tjetër ! – tha i vendosur dentist, pasi u mendua pak.

– As llogjikë nuk ka. Nuk mund të kapërdihen asisoj dhëmbët …

– I gëlltita, po të them ! Për këtë nuk kam asnjë pikë dyshimi … Burri, i cili këmbëngulte aq shumë se i kishte ngrënë dhëmbët, i bindur se i kishte në bark, duhet t’i kishte kaluar të gjashtëdhjetat. Ai dikur kishte qënë ndër inxhinierët më të njohur të qytetit, por prej disa vitesh banonte në një qytet të njohur të Amerikës, me gjithë familje. Ishte kthyer për pushime në vendlindje. Dukej një burrë i qetë, i gjatë e i pamshëm, po pak i ngathët dhe si i përhumbur në mendimet e veta.

– Nuk ka mundësi, – nëpërdhëmbi sërish dentist Tika Daku dhe në cepin e buzës së poshtme iu var ajo buzëqeshja e zakonshme e mjekut, buzëqeshje përherë e pranishme, e mbarsur me një pezhishkë bezdisjeje.

– Po t’i kishe gëlltitur dhëmbët, me siguri do të ishe mbytur menjëherë, për këtë të siguroj, zotëri …

– Që i gëlltita, i gëlltita unë, kjo ka marrë fund, si një dhe një që bëjnë dy, po … Tani, thuaj, një nga të dyja : Ose do të më bësh një palë dhëmbë të rinj, ose do të më duhet të pres deri kur të dal jashtë, të shkoj në bënjë për atë, të trashin … U pa puna; çdo gjë ka koston e vet ! Dentisti e pa për disa minuta në fytyrë bashkëbiseduesin dhe, si nuk diktoi ndonjë shenjë të veçantë pendese, mëdyshje e besimi tek ai, përveç pezmit dhe mërzitjes, e këshilloi :

– Qetësohu ! Pandehmat tona ndodh ndonjëherë që të jenë të gabuara, i dashur mik … Njeriu në kësi rastesh bëhet vesveli. Po nuk e kuptoj, përse je aq i sigurt që dhëmbët i paske gëlltitur medoemos dhe nuk i ke humbur diku nëpër shtëpi, apo … ?! …

– I gëlltita natën, në gjumë, të thashë. Nuk mbaj mend asgjë. Kush e di, padashur … Në gjumë gjithçka ndodh. Gjumi është si vdekja, kjo dihet. Kur u ngrita në mëngjes e s’i ndjeva në gojë, m’u duk sikur nuk i kisha patur kurrë, ata të nëmur. Ndjeva lehtësim, me thënë të drejtën… Dhe sa mirë më kishin qëlluar, të nëmurit; më ishin puthitur plotësisht me qiellëzën time të sipërme; sikur t’i kisha patur të mijtë gjithë jetën. Çuditem, se si m’u shkëputën, as vetë s’e kuptoj… Kërkova gjithandej. Shkunda çarçafët e jastëkët. Ktheva përmbys gjithçka ishte mbi krevat. Më ndihmoi edhe gruaja, e cila, ashtu si edhe ti tani, nuk besonte se i kam kaluar në bark, por që sot e tutje është në një mendje me mua …

– Po si mendon kështu, pash Zotin ?!… – Epo, ata nuk i hëngri dreqi, de, unë i hëngra ! Apo kujton ti se ishin gjilpëra dhe mund të futeshin nëpër puplat e jastëkëve dhe jorganëve … – Do të ishe mbytur, me siguri, po t’i kishe kapërdirë tërë atë mballomë skeleti e dhëmbësh me material…

– Ohu, prapë atë avaz ky ! … Mos e diskuto … I gëlltita dhe pikë. Dentisti po mundohej të mos e humbiste durimin. Shfryu disa herë ndër hundë, u gëlltit për disa minuta thatë, nervoz sa më s’ka dhe pastaj u mundua të fliste mëi qetë.

– Po t’i kishe gëlltitur, me siguri do të ishe mbytur. Ishin goxha dhëmbë … –

– Ata ikën teposhtë. Po si do t’i bëhet halli i mua të mjerit ?! Nuk e duroj dot vendin bosh në gojë. Dukem disa vite më i vjetër. Pale që ngjaj si çitë, sapo hap gojën, ose qesh … Aman, o Zot !… Dhe kush e di, thuaj, se kur do të dal jashtë ! Me siguri ata të flamosur dhëmbë do të dalin të patretur bashkë me të pëgërat e mia… Unë nuk kam ndoht fare; pasi t’i gjej, do t’i laj me alkool të fortë, do t’i lë disa orë në tretësirë të ngopur alkaline… Po nuk e di edhe sa ditë do të më duhet të pres, se po pëlcas nga meraku dhe ankthi. – Ha-ha-ha ! Më bëre të kujtoj një ndodhi nga jeta e Mao Ce Dunit, or mik – tha pastaj dentist Tika Daku pak si i përhumbur në kujtime. – Udhëheqësi i madh kalonte me javë të tëra i zënë kaps dhe ndoshta vuante shumë. Dhe kur dilte jashtë, kur shkrifej e ndjente lezet të madh sa s’thuhet, festonte plot gëzim dhe hare vetë ai, familja, e gjithë krahina, mbarë populli; merre me mend, me miliona njerëz në festë dhe delir për …

– Për një palë dhëmbë, do të thuash ti ?! – nxitoi të thoshte me zë të acaruar, i fyer paksa, dhëmbëhumburi. Ai e kishte mendjen gjithmonë vetëm tek halli i vet.

– Jo, more mik, kryetari Mao nuk kishte punë me dhëmbët, por me të dalët jashtë, me shkrifjen … – Aha. E kuptoj, – tha i penduar bashkëbiseduesi.- Po unë nuk jam Mao Ce Duni …

– E di, e di … – I vuri kapak bisedës Tika Daku dhe i ktheu krahët inxhinierit pacient, për t’i treguar se biseda e tyre kishte marrë fund dhe ai nuk mund ta duronte më gjatë. -Nënqiman ! – shau me vete nëpër dhëmbë dentist sapo u nda nga bashkëbiseduesi dhe mbeti vetëm.

– Don të më budallepsësh edhe mua, të më bësh më keq se veten ?! Me atë fiksim të mallkuar, se gjasme paske gëlltitur dhëmbët që të vura unë … Mos do që të të bëj një palë dhëmbë të tjerë pa para ?! Të gënjeka mendja, o tyryfyl. Mbase prandaj më vjen këtu dhe më ankohesh. I humbe, i gëlltite, vëlla, ty të zjeftë; mua nuk më duhet gjë ! … Do të tjerë dhëmbë ?! Tundu, paguaj përsëri … Ohu. Fundja, nga Amerika vjen. Po, thuaj … “I gëlltiti, s’i gëlltiti” … Kjo u bë për disa ditë si një gjëzë e shpifur, që nuk i linte të qetë as pacientin, as mjekun. Po më tepër Tika Dakun. Ai bëri një eksperiment të thjeshtë me veten : U shtri në shpinë, sikur fle njeriu … Mori një copë të vogël buke, e përtypi dhe u përpoq ta gëlltiste. As që ishte e mundur një gjë e tillë, veç të mbytej ! … Kaluan edhe disa ditë të tjera dhe inxhinieri nuk po dukej të vinte përsëri, të fliste me doktorin e dhëmbëve. Kjo e shtiu në merak të madh dentistin. Tika Daku merakosej çdo ditë e më tepër për fatin e dhëmbëve të humbur të inxhinierit, po edhe për vetë dhëmbëhumburin. Kush e di sa po vuante, lumëziu… Njëherë atij iu bë sikur ishte këmbyer në rrugë me të dhe ky nuk i kishte folur, madje as që ia kishte hedhur sytë fare. Kjo e futi akoma edhe më shumë në merak dentistin. Shante e mallkonte me vete, deri sa më në fund i shkoi në shtëpi për ta takuar.

– I gjeta dreqërit ! – tha me sytë ulur përdhe inxhinieri, sapo e pa Tika Dakun tek porta e jashtme. – I gjeta, teksa kërkonim me gruan poshtë krevatit. Ishin fare ngjitur me këmbëzën e drunjtë dhe nuk binin lehtë në sy… Sa u gëzuam ! Nuk e ke idenë… – Sa mirë ! – pëshperiti i lehtësuar Tika Daku duke e parë me gëzim të sinqertë në sy pacientin.

– Ja, për këtë erdha… Po, më gëzove vërtet, se isha bërë merak shumë.

– Do të më kenë rënë kur kam teshtitur fort, teksa kam qënë në gjumë …

– Gëzohem … – Rrofsh. Kaloi edhe kjo, tani …

– Të thashë se po t’i kishe gëlltitur, do të ishe mbytur ?! … Ishin goxha dhëmbë. Inxhinieri qeshi pak si me turp dhe dentisti e vështroi me dashuri dhe mirënjohje pikërisht në atë vendin ku gjendeshin dhëmbët, dikur të pandehur të humbur, për të cilët kishin vënë aq merak të rremë për disa ditë me radhë. Tika Daku priti disa minuta, me shpresën që inxhinieri do ta ftonte brenda për të bërë një dorë muhabet, a për të pirë një kafe; kjo pandehmë nuk i ndezi. Pastaj ktheu krahët dhe si i çliruar nga një barrë e kotë, me hap të ngadaltë shkoi krejt i mërzitur në shtëpi të vet.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.