15.5 C
Tiranë
E shtunë, 2 Maj 2026

Bardh Leci

Mund të jetë një imazh i 1 person, mjekër, flokë dhe outerwear
Përshëndetje!
– Mos ndal ! (Poezi)
– Mos ndal
se koha vrapon pas shpinës tënde
si dreri ndër male
e pret si një sharrë
si veriu në Mars
dhe shih nga të shkosh,
se në muranën e vjetër
ku luaje fëmi
po vajton qyqja,
për gruan,që s’pati vlad,
për gruan,që mbeti e ve!
Duhet të ecësh,të shkosh larg,
të bëhesh bujtina ndër stane,
e fjala e lypur me grosh,
se dikush do të pyesë për ty
një ditë
e dikush do të thërrasë në emër!
Mos ndal!
Se bariu ia nisi melodisë së fyellit
deri në qafën e Çikës,
atje ku lind dielli,
atje ku çakalli sheh perëndimin
deri tek mali i Bardhë!
Përpara!!!
S’duhet të mendosh shumë
mblidhi muskujt,
nervat në një,
kundër synimeve shkatërruese,
kundër vështrimëve kërcënuese,
kundër heshtjeve vrastare,
kundër qenve që zihen
për një kockë,
kundër poetëve që bëjnë llafe
për një varg,
për një strofë,
s’duhet të presësh aspak
rrahjet e zemrës tënde
janë tik-taku,
matësi,
përcaktuesi i hapave të tu,
i vrapit tënd
kurrë!!
S’duhet të jetë,
as i fatit tënd!!
Unë!-
Po thërras!-
Mos ndal!-
Unë jam lisi i gjakut
ti je lisi i tamlit.
Unë jam burri,
ti je gruaja.
Unë jam lisi e ahu,
ti je prushi e zjarri!!
Mblidhe veten tënde,
në ke palcë,në ke rrënjë,
pa mashtrime,pa zili,pa mllefe,
pa arrogancë,
për veten tënde vendos ti
dhe askush tjetër,
Të kesh parasysh,
asnjë pritë,asnjë shënjestër,
veç bishës ndër strofulla
e dhelprës në gëmusha
e ferra,
asnjë mëdyshje,
për atë që thua,
për atë që bën,
asnjë ashkël mbrapa,
asnjë namë dheu nga bota,
asnjë sorrë,asnjë korb
majë çatisë,
asnjë krenari,
të pa peshuar mirë,
të pa menduar,
ku dhe kur,
si dhe pse,
asnjë njollë në ballë,
asnjë halë në sy,
asnjë brengë në shpirt!
Të jesh do të thotë,
të mos bësh asnjë pakt me djallin,
e të mos ndalosh,
do të thotë të jesh!
Përpara!
Mos ta njohësh kurrë fundin,
as mos ta shohësh në ëndërr,
as mos ta zësh në gojë,
as të mos bësh be’ e rrfe’
për të,
e kështu si po të them,
mos ndal!
T’ju vësh gishtin një e nga një
yjeve,
e të numërosh puthjet
me udhëtaren tënde!!
– Bardh Leci- Janar 2021.
“””””””””””””””””””””””

– Jam- (poezi)
Jam këtu
për të gjithë ju!
Deri në frymën e fundit pa shamatë,
për vajzën që bëhet nuse,
për djalin që bëhet burrë,
për lulen që këputet pa u tharë,
për zemra që nuk hapin varre,
për burrin që është burrë
e për fjalën që është fjalë,
mbi të gjitha
për dashurinë që i njeh pritat
në puthjen e parë!
Jam gjuha që lëviz
n’tavanin e qiellzës
kurthuar nga buzët
urdhëruar nga mendja
heshtja jam,
durimi me nofullat që kërcasin poshtë e lart
përgjatë brezit të dhëmbëve!
Fjala e pa nxjerrë n’sofrën e bukës
fjala e frenuar n’kuvende
dueli i heshtur n’beteja!
Jam femra e dënuar,
për hir të brishtësisë
e kërkuara pa pra’ ditë për ditë
në kohën e pa duhur
e në vendin ku s’thuhet
Jam e kryqëzuara e sadistëve!
E fyera,e dërrmuara,e dhunuara,e mallkuara,
mimoza e shtypur
në vend të kërpudhës së helmuar
dafina e shkelur
për gjembin e ferrave!
Unë jam gruaja e tradhëtuar
nga pasqyra e saj
nga takat n’trotuar
nga garat e burrave
që i shkojnë nga pas!
Ah,kush jam!
Jam strofa e A.Asllanit
këngët e pa këndueme
e vargjet e lira të Migjenit
Emri i trëndafilit i U.Ekos
purgatori i Dantes,ferri nuk jam,
Jam burri që kqyr
i A.Moravies!
Jam gjithkund,gjithkund jam
pa kurthe,pa inate
rrëzë malit,rrëzë kodrës
bri përroit që gurgullon
bri arës.
Brinja e shtrembëruar e mbijetesës jam,
gjymtyra e hequr e shekujve,
dega e thyer e arrës shumëvjeçare,
ndërgjegjja e gjuajtur me gurë,
spërkatur me baltë
e drejta që s’ka kurrë radhë!
Jam mëkati,lutja,psalmi,
pengu,fara,barra!
Jam miku i pa emër,miku i pa njohur
armiku i pa qenë!
Jam,jam rrugës………
pranë toprakut ku del tym i bardhë
n’troje tek konaku
ku fëmija,plaku dhe qengji
luajnë bashkë!
Bardh Leci – Shkurt 2021.
Ju përshëndes!
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.