9.5 C
Tiranë
E shtunë, 2 Maj 2026

Shkruan Shefqet DIBRANI

FATI I HAJRIES NË ROMANIN “MALËSORJA”

(Zoga Papraniku, <Analizë e romaneve:RRUGA E SHTËPISË SIME; TOKË E PËRGJAKUR; MALËSORJA>. Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Lënda: Letërsia bashkëkohore. Tema është paraqitur para prof. dr. Hamit Xhaferi, Tetovë 

 

Qëllimi i rrëfimit

Studimi i Zoga Papraniku, është punim me konotacione shkencore, kryesisht në përshkrimin e ngjarjeje me disa nuanca emocionale të aspektit sociopsikologjik. Si duket punimi është në nivelin fillestar, prandaj autorja nuk është zgjeruar në hulumtime të tjera. Për arsye se punimi i saj akademik përkufizohet në trajtimin e tre romaneve të Nazmi Rrahmanit, e ky studim, siç thamë është bërë brenda kornizave të një programi shkollor në nivel universitar.

Edhe kjo studiuese, trajtesën e saj e lidh me personifikimin e Hajries dhe fatin e femrës shqiptare në Kosovë e më gjerë. Ky personifikim materializohet duke përshkruar, ose duke i theksuar vuajtjet e saj në ato rrethana, si grua fati i së cilës ishte ai që ishte, por autorja nuk harron pa theksuar se përveç vuajtjeve të shumta që kishte Hajria, ajo ishte nënë, që ka dhembje për birin e saj, dhe jetonte me frikën e hakmarrjes në mes bijve të saj, frikë e dhembje këto që ia rëndonin edhe më tej vuajtjet.

Tematika e rrëfimit 

Edhe pse tema që zhvillohet brenda romanit nuk ka për qasje shkollën dhe arsimimin, përvoja jetësore sikur e kishte bërë Hajrien më të veçuar se sa gratë e tjera. Këtë element e ka vërejtur edhe Zoga Papraniku, e cila shkruan: “Rrëfimin e historisë së vet para djalit Hajria e quan roman, një roman të pashkruar, kjo për dy arsye: asnjëherë fëmija nuk mund të njohë aq shumë thellë historinë e prindit të vet, aq më tepër në këtë rast kur i biri i Hajries është rritur larg prehrit të nënës së vet – Kjo e bën dhe më tragjike dramën që fsheh Hajria përbrenda. Drama e Hajries merr përmasa të mëdha shoqërore. Me dhimbjen e vet ajo përpiqet të kundërshtojë botën e egër të mentalitetit e të dhunës mashkullore. Po deri në këtë fragment protesta e saj është e heshtur. Asaj s’i mbetet gjë tjetër veçse të shikojë qiellin e përhimtë.”[1]Edhe kjo studiuese, ngjarjen e ka vendosur “para Luftës së Dytë Botërore”[2] ndërsa drama jetësore e Hajries zhvillohet siç shkruan ajo “në një fshat të Gollakut, mes Prishtinës dhe Podujevës,[3] konstatime këto që i hasim pothuajse nëpër të gjithë librat shkollorë dhe universitarë që për trajtim kanë romanin Malësorja. Motivet, kryesisht janë përshkrime të thjeshta dhe autentike të ngjarjes, e ngjashme me ato që thuhen në roman, pa bërë përpjekje për të nxjerrë ndonjë përkufizim a interpretim ndryshe që do t’i shërbenin letërsisë, po më shumë librave shkollorë të cilët si temë mësimi e studimi kanë këtë vepër letrare. Me një fjalë autorja mbetet besnike dhe e saktë në rrëfimin e saj pa pretendime e sforcime të tjera letrare e artistike, pa gjetje të reja dhe pa ndonjë vlerësim të përparuar, e të përpunuar të cilat mendojmë se ekzistojnë brenda këtij romani.

Zoga Papraniku, shkruan se “Hajria që ka duruar dhe heshtur gjatë tërë jetës e që shpreh pozitën e gruas në atë mjedis, kur ballafaqohet me këtë realitet tragjik, ndërhyn, e ngre zërin dhe arrin ta bindë djalin e dytë që të heq dorë nga vendimi për vrasjen e vëllait, që është në fund të fundit triumfi moral i Hajries.[4]

Ajo, shkruan se “romani Malësorja është rrëfim i degëzuar mbi jetën e personazhit kryesor, Hajries, por dhe rrëfim mbi një numër bartësish të tjerë të ngjarjeve që së bashku sajojnë tablonë reale dhe realiste të një mjedisi kosovar.[5] Tamam siç e kemi theksuar edhe diku tjetër se ngjarja zhvillohet diku në “mes dy luftëravebotërore”[6] ndërsa “formimi i Hajries ndiqet sipas linjës së brendshme të shpalimit, nga motivet, pretendimet, vizioni i saj i brendshëm, kryesisht i ndrydhur, i heshtur, dhe jo nga veprimet e saj[7] e cila në ato rrethana patriarkale, përplot vuajtje, dhe me mundësi tepër të kufizuara, ajo do të arrijë të vetëdijesohet për pozitën e saj nënshtruese, diskriminuese dhe mjaft poshtëruese, që ka të bëjë edhe me pozitën e gruas në shkallë kombëtare, në ato rrethana, kur është shkruar apo është pozicionuar zhvillimi i ngjarjes.

 

Emocionaliteti i rrëfimit

E gjithë trajtesa e kësaj studiueseje merret me anën emocionale të personazhit kryesor dhe me interpretime në nivelin e përshkrimit të saktë pa u lëshuar në hulumtime e interpretime të tjera të mundshme të “rrëfimit psikologjik” siç është shprehur ajo, për të përfunduar se “romani mbi fatin e Hajries, degëzohet në një mori rrjedhash jetësore që derdhen të gjitha drejt rritjes së personalitetit të saj dhe drejt sfidës ndaj konvencioneve tradicionale me pasoja tragjike[8] duke përmbyllur mjaft saktë si konstatim sociopsikologjik temën e saj për romanin Malësorja, punim ky i cili kompletohet edhe më mirë, përmes dy romaneve të tjera të cilët i ka pasur për trajtim brenda këtij studimi akademik.

 

*Marrë nga libri i autorit: “KARAKTERI dhe ARKETIPInë romanin MALËSORJA Nazmi Rrahmanit”, faqe 339-342. Botoi Sh.B. “FAIK KONICA”, Prishtinë 2021.

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.