Po mana po vdesin. Po vdesin per së shkreti si mall i pa Zot. Ato po piskatin si krimbi në zguer kur zgorani perfundon në zjarr:
-Ndihmë se mbaruan! Po kujt t’i therësin ato bukuroshe te shkreta?! Askush nuk ka goj, vesh as forcë tu shkojë në ndihmë. E pra syri lotit trishtohet përpara një epidemie vrase bash nën hundën tonë krenare. Pishat e Gagut, Lekajve,Nderlysës dhe Thethit ku shumë, e ku pak më lehtë janë goditur nga sëmundja e proçesionares . Epidemia ka vite që është shfaqur në mënyrë sporadike ndërsa tani ka fituar terren duke shkaktuar dëmtime të pa riparueshme Inspektoriati i pyjeve në qarkun e Shkodrës nuk ka asnjë të dhënë sa është në shifra sipërfaqja e prekur, nëse do të ketë ndërhyrje nga toka apo ajri. Siç më tha një mik specialist pyjesh Procesionarja e dëmton pishën në mënyrë të pakthyeshme nëse nuk ndërhyhet në kohë duke shkaktuar tharjen e plotë të saj. Ajo luftohet në mënyrë mekanike, duke i mbledhur insektet, sa janë ende në boçën e tyre dhe më pas digjen. Madje kjo njihet ndryshe si forma më e mirë e luftimit, pasi dezinfektimi nga ajri mbetet më sipërfaqësor. Të dhënat tregojnë se procesionarja ka aftësi shumimi të jashtëzakonshme, pasi flutura mund të zhvendoset në një hapësirë 10 deri në 15 kilometra. As gjë nuk është bërë ndërkohë lufta duhet të jetë e vazhdueshme për të shpëtuar pyjet. Edhe një brigadë e vogël me shkalla e mjete thjeshta me anë të djegies brenda kësaj verë do ta nxirret pishën e Shalës nga reminacioni. Në unison të plotë me relievin shkëmborë natyra në mënyrë fine na ka dhuruar një vello halore me forma konike qe me kalimin e viteve behet jo e rregullt me pisha nga më të njomat deri tek ato qindra vjeçare, dritëdashëse të hijshme, kurative dhe shume rezistente ndaj akullit dhe bores:
Gjethet(halat) janë te vendosura dyshe ne majën e filizave te shkurtër dhe në baze mbështillen nga luspa të murrme. Ky vargua organik mes shkëmbit, lumit dhe halisë po shprishet. Parku halor hirplotë i Thethit dhe i Ndërlysës si pjesë e një tere nga më veçantit e florës sonë alpine po vdes! Çatia halore po shembet dhe rrënohet. Janë mira e mira sy që shohin me trishtim. Janë qindra e mira zemra që dhëmbin në heshtjen e tyre vetmitare .Heshtje, heshtje, dhe kapitullim pa kushte ndaj një fatkeqësie jo të pa përballueshme. Askush nuk e merr mundimin të bëjë diçka, as ata që paguhen ta menaxhoje pyjet, as nga komuniteti që lutet e bekon “hali” të reja “mrekullibërëse” as nga organizata e shoqëri mjedisore. Unë po thërras sa të kem fuqi. Po kujt me thirr ndihmë, Zotit që nuk besojmë as lemë gje pa be emër të tij, dashurive tradhtare politike, apo Dilë Picës?! Besa askush veç teje moj Dilicë nuk mendon as per pishat, as per gështenjat që po thahen te gjitha, as për hallet e vegjëlisë. Oj Dilë ! Oj sojnike e moçme çohu nga amshimi dhe na sjell shpëtimin mjedisorë! Thethi dhe aq më tepër Zalli i Nderlysës po të zhvishen nga kostumi halorë marrin pamjen e një klloçe pa pupla që do të thotë tragjedi turistike. Çohu oj Dilë se këtij vendi ju ka pre ora! Ora jote na priftë e na shpëtoftë!