Kritika në jetën tonë!
(Shkruar e publikuar në 2011, por i fshirë nga neti.)
Para disa ditësh isha e ftuar në një bisedë televizive dhe tema ishte ‘kritika në jetën tonë’ dhe se sa e mundshme është diçka e tillë në shoqërinë shqiptare.Të ftuar ishin pedagog filozofie dhe këngëtar për të patur dhe përfaqsues nga fusha e artit që janë më të ndjeshëm dhe më të drejtpërdrejtë me kritikën, gjithashtu dhe shkrimtar. Elementi që ishte më i rëndësishëm është se kur bie fjala për kritikë hapet një temë, një çështje e nxehtë dhe s’jemi të familjarizuar mirë me këtë koncept. Për fat të keq jemi një popull që nuk i ka pasur marrëdhëniet të mira me kritikën në historinë tonë ndër shekuj. Nuk kemi pasur lluksin të arrijmë në një nivel të tillë personal dhe shoqëror për shumë arsye e faktor të ndryshëm të brendshëm e të jashtëm. Kritika si koncept është faktor pozitiv dhe për shoqërinë, treguesi që shoqëria funksionon. Në radhë të parë të përcaktojmë kufijtë dhe hapësirën e termit kritikë. Kritika i bëhet një personi apo një veprimi të caktuar. Ajo plasohet në formë këshille, në formë vlerësimi apo tendence. Ajo do jetë konstruktive apo destruktive, e dhënë me qëllim të mirë ose jo. Sido që të jetë do ketë interferim në personin apo në veprimin të cilit i dedikohet. Edhe kur shprehet në mënyrën tendencioze ajo do lërë gjurmë dhe do ketë ndikimin në personalitetin e caktuar. Edhe kur shprehet si këshillë, edhe kur shprehet si vlerësim për ndonjë veprim, kritika duhet pranuar si nxitës dhe shtytës për ndryshim apo për plotësim përkatës të personalitetit. Kritikën do duhej ta jepnim, gjithnjë në funksion të zhvillimeve pozitive të individit apo të ndryshimeve pozitive në dukuri, në zhvillimet e përgjithshme të rrethit apo shoqërisë.
”Lëvdata e nxjerr njeriun nga rruga që ka marrë, kritika e bën ta kontrollojë dhe ta ndjekë atë. ”
Duhet përmendur se kritika është vetëm njëra anë e monedhës dhe ana tjetër është ajo që quhet autokritikë e cila vjen si refleksion i brendshëm i karakterit për ndonjë veprim të kryer nga individi për ndonjë bindje të caktuar, ide, qëndrim, opinion etj. Autokritika i drejtohet qënies tonë dhe synon ta s’postojë atë nga pozicioni për të cilin jemi bindur se kërkon ndryshim. Autokritika na jep mundësinë e balancës me botën e jashtme dhe të brendshmen tonë me ikonën që tregojmë dhe që është e prirur për tu kritikuar. Kjo temë meriton vëmendje më të sforcuar duke përfshirë edhe përkufizime ekzakte, të cilat trajtojnë këtë tematikë. Ishin shumë interesante dhe të vlefshme shembujt që përmendi dhe pedagogia e filozofisë e cila bëri të qartë se komunikimi i mirë dhe konstruktiv është shumë i rëndësishëm midis dialoguesve ose si edhe në rastin e saj, pedagog-student. Hapësirat personale, profesionale, kufijtë e të drejtave dhe detyrimeve na bëjnë më efikas në këtë proces komunikimi ku merr pjesë dhe kritika. Në disa raste qëndron/krijohet mendimi, se kritikat janë tendecioze dhe thuhen për të ofenduar ose injoruar, ndërkohë që kritika s’ka asnjë lidhje me këta element negativ. Kritikat e bazuara në argumente dhe në llogjikë të ftohtë të prezntuara pa irini, tendencë, thumba, nënkuptime janë dhe duhet të jenë gjithmonë të mirëpritura. Kritika funksionon kur kemi një personalitet, karakter, vetbesim, vetvlerësim, respekt ndaj vetes dhe të tjerëve. Të gjithë këta faktorë lozin rol të rëndësishëm nëse do pranojmë dot kritikën ose do e refuzojmë atë. Në ditët tona ajo që vëmë re është se kush flet ndryshe, kush kritikon nuk është patriot, nuk është kombdashës, atdhetar etj etiketime si këto. Është për të ardhur keq që njerëz inteligjentë, të shkolluar, arsimuar, me eksperienca të shumta profesionale dhe personale brenda dhe jashtë vendit ushqejnë mendime të tilla kundër kritikës. Kemi arritur deri në atë pikë ku shoqëria jonë është ndarë në dy kampe lufte dhe është e trishtë dhe e zymtë një ikonë e tillë që mbizotëron natyrën njerëzore kudo. Në jetën tonë të përditshme shohim se kritika humbet terren duke u dorëzuar në të vetmet vlera dhe cilësi që janë, servilizmi, militantizmi të cilat mbizotërojnë të gjitha fushat e jetës sonë. Figurat publike dhe ato politike nuk po kontribojnë pozitivisht në këtë fushë për të përcjellë shembullin e duhur dhe të domosdoshëm për rimëkëmbjen e shoqërisë sonë nga kriza që nuk është vetëm ekonomiko-politike, por edhe vlerash sociale. Jemi dëshmitarë të dialogjeve abuzive, agresive dhe betejës personale në brutalitetet lektike verbale duke mos patur tërheqje dhe reflektim nga asnjëra palë, sidomos kur arrihet në kulmin e përplasjes së mendimeve, dhe interesave që mund të përfaqësojnë palët. Dikur kritika ishte pjesë e bunkerave të monizmit, kurse tani është futur në tunelet e errët të kësaj demokracie që mbajmë përgjegjsi të gjithë për katandjen e sotme. Populli ynë historikisht ka vuajtur luftra të ndryshme dhe ka patur vetëm një rrugë zgjidhje dhe një alternativë, bashkimin për të përballuar armikun e përbashkwt. Psikologjia e ‘luftëtarit’ është rrënjosur thellë në genin tonë, në kodin e ADN-së sonë me pasoja të rënda që po i përjetojmë në kohët e paqes. Për të mbijetuar kemi funksionuar në stres të shpeshtë dhe nivelit të lartë e cila sjell dhe një sjellje tipike të tillë. Si njerëz të lirë kemi probleme të funksionojmë, nuk na vë faj, meqse nuk na është dhënë mundësia shpesh të tregojmë mundësitë, aftësitë, vlerat tona, por kemi qënë të mirë në identifikimin e armikut dhe karakteristikat e tij në shekuj. Ndjenja e inferioritetit nuk na ka lejuar të kërkojmë të ëndërrojmë, të besojmë se gjëra të mira mund të meritojmë dhe mund ti bëjmë realitet. Politika nga ana tjetër ka qënë handikape sa për të mos thënë e pamjaftushme dhe me raste joekzistueshme duke mos na dhënë mundësinë e veprimit dhe realizimit të tyre.Kritika quhej si një akt e veprim përçarës për një popull që ka pasur gjithmonë nevoj për unitet dhe si e tillë ka kaluar në sjelljen tonë, në mentalitetin e shoqërisë tonë. Ne s’kemi pasur kohë të sofistikojmë mendimet, të mprehim telat e mjetevw të komunikimit. Të tilla gjëra janë lluksi i shoqërive modele që kanë kaluar nga shumë periudha dhe që janë zhvilluar gradualisht duke sjellë në të neswrmen nga e shkuara dhe e sotmja elementët më të mirë dhe duke eleminuar ato të padeshiruar ndaj individit dhe shoqërisë. Si mund të kërkosh nga një shoqëri feudale, nga e cila dolëm (pushtimi otoman) të arrijmë atë që popuj të tjerë kanë arritur nëpërmjet një procesi të lodhshwm dhe jo të shpejtë në vite madje dhe shekuj, ndërkoh që ne ta zotërojmë për një kohë relativisht të shkurtër. Mentaliteti do kohën e vet që të formohet, do përpjekje dhe angazhime të mëdha nga politikat dhe nga vendimarrjet që ndikojnë jetën e njerëzve, por gjithsesi nuk është e mjaftushme, sigurisht që do përkrahjen e individit në shkallë personale dhe shoqërore. Kritika është mjet i domosdoshëm i një shoqërie të lirë dhe e ushtruar nga njerëz me qënie të lirë e konstruktivë. Nëpërmjet kritikës kemi fërkim, dhe kjo s’do të thotë me domosdoshmëri të jetë diçka negative. Fërkimi sjell dialog, dialogu sjell argumentin, argumenti bazon nga një llogjikë e kultivuar dhe eliminon mundësinë e zhvillimit të injorancës dhe si pasojë sjell atë që deshirojmë të gjithë, ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë sonë. Kritikat janë burim informacioni dhe meqënëse jetojmë në një kohë ku informacioni është fuqi, pushtet dhe burim financiar atëherë duhet të jemi më tolerant ndaj saj. Në shumicën e rasteve themi se kritikat janë të mirëpritura sepse përmirësohemi, por s’do të thotë që i presim me kënaqësi. Pranojmë kritikat më lehtë nga njerëz të afërm ose që kemi raporte të mira dhe i vlerësojmë duke i marrë ato në konsideratë. Në të njëjtën kohë mund të bëhen dhe nga njerëz thjesht të njohur ose të panjohur për një veprim, sjellje ose xhest, të tilla kritika mund të jenë të padëshirushme, por mund të jenë dhe korrekte, sepse nga njerëz të afërm mund të mos thuhen gjërat me emrin e duhur për shkak të afrimitetit dhe lidhjes emocionale që ekziston midis personave. Kritikat janë shumë të vlefshme për individin, por dhe për shoqërinë tonë si unitet, sepse vetëm nëpërmjet saj ne arrijmë të shohim se si na perceptojnë të tjerët dhe si na shohin shoqëria. Në të njëjtën mënyrë funksionon dhe për shoqërinë në tërësi ku e rëndësishme është të mos bien në vesh të shurdhët, por të ketë aftësinë e pranimit dhe të tolerancës për të bërë një hap mbrapa dhe të shohim gjërat nga një pozicion dhe këndvështrim tjetër. Thuhet gjithashtu se, kritika mund të ketë dhe momente, çaste të duhura për tu bërë/thënë, dhe nuk është nevoja të bëhen kritikat në sy të të tjerëve kur jemi në dijeni se situata ose individi është në një nivel ndjeshmërie të lartë. Kur duam të kritikojmë një student, fëmijën në kopësht ose në shkollë do të ishte më mirë që raste të tilla të bëheshin në një vend të veçantë nga vështrimi dhe dëgjimi i të tjerëve, pa dashur të ofendojmë individin. Për ta ilustruar mund të përmendim një shembull me Aristotelin dhe një nxënësin e tij. Njëherë, në një mbledhje, ku ndër të tjerë kishin qenë prezent edhe Aristoteli dhe një nxënës i tij, Aristoteli kishte kritikuar një mësues tjetër në sy të të gjithëve. Mbledhja kishte përfunduar, Aristoteli dhe nxënësi ishin kthyer dhe nxënësi më i mirë, ngrihet në këmbë dhe në prezencën e të gjithë nxënësve i thotë Aristotelit: “Mësues, nuk ishte mirë që e kritikuat atë në sy të të gjithëve”.
Aristoteli ia kthen: “E, ti, ç’bëre tani?” Kritika është pjesë e procesit të socializimit dhe si e tillë fillon nga familja dhe nëse jetojmë në një familje me tolerancë dhe komunikim të pastër dhe të qartë midis pjestarëve të familjes atëherë dhe ky proces do jetë më i mundshëm. Kritika nxitet nga të gjitha institucionet e socializimit tonë si individ dhe më pas bëhet pjesë e shëndoshë e jetës së individit. Kritika nuk është negative as injoruese, por duhet të gjejmë mënyrën, momentin, çastin, personin e duhur për ta bërë atë, vetëm kështu mund të ketë efekt dhe sukses për të sjellë konkluzionin/rezultatin e dëshirueshëm. Me pak fjalë ti japim terrenin e duhur për të ekzistuar, funksionuar dhe ti japim hapësirën që meriton pa e ndrydhur dhe pa e cunguar atë. Duhet të fillojmë në radhë të parë të jemi në kontakt me shqisat tona, të shohim duke hapur këndvështrimin, të dëgjojmë duke hequr dyllin nga veshët, të njohim gjërat me ndjesinë e prekjes, me nuhatjen, me shijen tonë. Këto janë ato element që na japin informacion për pes të vërtetat që na rrethojnë. Kritika bën të mundur të limoj pamjet e tyre të papërfunduara dhe na jep mundësinë ti përmirësojmë ato. Kështu arrijmë në një pikë që nuk kemi nevoj për mbrojtje ekubatorike. Kritika është ajri ambjental që mund të ketë pislliqet, mikrobet e veta, mund të jetë jo i pastër në tërësinë e tij, por i domosdoshëm për të krijuar antisomata në trup të cilat rrisin imunitetin e duhur për tu përballuar me rreziqet e jetës. Diçka të tillë duhet ti japim mundësinë shoqërisë sonë për të marrë frymë e për të mbijetuar.