Doli nga shtypi libri im i dytë
“BIJA E DIELLIT”.

Kur poezinë e bën një Bijë e diellit.
Meditime për vëllimin me poezi “Bija e Diellit” të autores Gjelina Maçi Keçi.
Nga Namik Selmani, shkrimtar.
Libri i dytë poetik i autores Gjelina ka një titull të bukur metaforik, “BIJA E DIELLIT”.
Ka një metaforë që buron nga viset ku jeton dhe nga viset që asaj i përkasin nga rrënjët e hershme siç janë ato të Alpeve të veriut .

Është një vend ku shpesh herë historia mësohet nga mitet e legjendat. E të gjithë ne e dimë, ashtu si dhe vetë poetët se vendet me mite e legjenda me gojëdhëna kanë brenda jetës së tyre edhe shumë poezi. Janë si ai zjarri i prushtë që ka brenda thëngjijve të skuqur vetëm pak hi.
Dhe janë ata, poetët e poetet fjalëmençura që e heqin këtë hi dhe e rindezin zjarrin poetik për brezat që vijnë. Bukur! Bija e diellit është një metaforë dhe një titull poetik.
Po më kujton ky libër i saj i ri me poezi atë letërkëmbim që dikur e kishte bërë poeti ynë i shquar i Rilindjes shqiptare Jeronim De Rada. Kur ia dërgoi librin e tij “Këngët e Milosaos” për ta parë e vlerësuar mes të tjerash La Martini i kishte shkruar në përgjigjen e tij.
“Libri juaj vjen nga brigjet e vendit tuaj dhe atij i takon”.
Me të drejtë çdo lexues në përgjithësi dhe ai i Gjelinës në veçanti pyet: “Çfarë të reja sjell libri i dytë?”
Libri i dytë ka mjaft risi që e bëjnë atë një vëllim dinjitoz. Larmia tematike, një këndvështrim mjaft social, një temë dashurie e trajtuar me lirizëm të spikatur e bëjnë atë mjaft të pëlqyer.

E pra, kjo ndjesi të vjen edhe kur lexon vëllimin e dytë të poetes Gjelina. Ai mban vulën e vendit ku ajo ngjizet, filizon dhe bën frytet aty, ani se jeta të dërgon në të tjera dyer, aeroporte, dogana e rrugë të ndryshme.
Mjaft poezi në vëllim kanë temën e dashurisë. Një vlerë mjaft njerëzore që njeriu e dërgon nga brezi në brez përherë e më të bukur, sfiduese.
Do të mbështjell të tërën me zemrën me drithërime.
Nga këto vise të mos na ikësh asnjëherë!
Merri puthjet e mia që t’i solla në ëndërrime!
Ta përjetoj pranverën e të më freskosh këtë verë!
Në disa raste temën e dashurisë ajo e trajton me dialektin e bukur të gegërishtes
Ti je shendi që na ka munguar në jetë
Se ti je kanga si shportë me tinguj të freskët
Dashnia për ty asht vullkan që shpërthen
E fjala për ty merr hire të lume princeshe
Në shumë pika poezia e saj ngjan me një dialog brezash ku secili i dhuron tjetrit gjëra më të bukura, visaret e shpirtit bash si tregimet poetike që ajo na shpalos në vëllimin e saj. Këto e bëjnë lexuesin të futet sa në kufijtë e reales aq dhe të gojëdhënës.
Këtë emocion të kësaj rrëfenjë e sheh në secilin varg të poezive të saj me këtë temë.
Në mjaft poezi ajo merr edhe misionin e një lidereje feministe që vlen mjaft mirë edhe për fisnikërimin e shoqërisë sonë me mjaft plagë të rënda sociale.
Poezitë që rreshtohen në vëllimin e dytë të poetes Gjelina Maçi Keçit janë vazhdim i një dialogu të bukur asaj të poezisë.
Është një prushnajë që kishte pak hi dhe vargu të ndizej fort. Një varg që e ushqen një zemër e përtërirë Tashmë ajo ka dhe lexuesin e saj që e preferon mjaft vargun e saj. Ta lexojnë e ta komentojnë me mjaft respekt .
Është një poezi që tashmë vjen e pjekur.
Edhe në përdorimin e gjuhës letrare. Po kjo nuk e ka penguar që në mjaft raste ajo të përdorë dhe poezi të shkruara me gegërishten e pasur të Mjedës, Fishtës, Migjenit, Filip Shirokës etj.
Ajo i këndon bukur dhe ëmbël vajzës lezhjane dhe mbarë femrave shqiptare.
Ngrihet fort mbi hakmarrjen si nënë, si grua, si poete.
Emocionohet në festën e Abetares së mbesës së saj duke kujtuar dhe jetën e saj të dikurshme.
Shkruan me krenari për Skënderbeun, Fishtën e me mjaft emocion vargëzon edhe për heroin Prek Calin që e ka në rrënjët e fisit të saj. Kjo poezi është mjaft e realizuar artistikisht e fare mirë mund të bëhet edhe tekst kënge për lahutat e çiftelitë e Malsisë.
Sot po flet maja me borë.
Asnjë gur s’ka për tradhtarin.
Lule bjeshke thurë kurorë.
Na nderoi djalë pas djalit.
Për Prek Calin trimi i trimit
E nder telin çiftelia.
Se mbi supet e kujtimit
Nëpër shekuj shkon lavdia.
Poezia e saj është optimiste dhe ngroh rrugën e vajzave shqiptare.
Kjo e bën poezinë e saj mjaft humane e të pëlqyeshme nga breza të shumtë lexuesish.
Në radhën e poezive të librit do të dallonim kryepoezinë që i ka dhënë
titullin dhe vetë librit të dytë poetik. Bëhet fjala për poezinë “Bija e Diellit”
mbushur me bukuri e legjenda. Në të bëhet portreti i femrës shqiptare, i malësores.
Është ajo Bijë që ka një dialog shekujsh me hënë, diellin, ujërat, qiellin.
Është pjesa e saj e fuqisë dhe e bukurisë. Edhe pa e thënë, duket se në të të shohim vajzën e bukur e të bekuar të viseve shqiptare që di të dashurojë, të ëndërrojë, të luftojë
të bëjë fëmijë e t’i rrisë ata me kaq shumë dashuri për jetën, e për tokën e tyre.
Ajo sydiellta gëzon dhe kur bie shi.
Me shpirtin luftarak kalon çdo mur.
Bija e diellit është mbushur me dashuri,
E shpërthen në ngjyra si zambak në gur.
E në radhën e atyre mijëra poezive që shkruhen sot nga gratë poete, por edhe nga
burrat është një poezi e këtij vëllimi me titull “Perëndesha e dashurisë”
Nuk ka mitizim në këtë poezi, por është sërish portreti i gruas shqiptare i dhënë me ngjyra
të ndezura të ngrohta.
Me ty pranë shpirti vetëm buzëqesh.
Je rrezeartë që shpërthen në ngjyra.
Je simbol i vetëmohimit, mbretëreshë.
Bijë, motër, grua, nëna me të shenjtat fytyra.
Gjelina ecën e sigurt në rrëfimin e saj poetik. Është pak urimi tradicional që i bëhet një
poeti në këtë rrugëtim. Një emocion që të godet ëmbël.
Një dëshirë e re të lind është një vazo shpirti ku çelin edhe gurët e kalasë, edhe ujërat e Drinit e bëhen aromë vitesh.
Duket se poezia është kthyer në një lloj garë nga të gjithë moshat, edhe pse cilësia është e dobët. Na ka ikur pak shija e poezisë si ata që preken nga kovidi e humbjen e shijes e kanë shenjën e parë të sëmundjes.
Druhemi të harxhojmë atë kohë të pakët që na del për të lexuar poezi ku mëkati më i madh është gjuha me mjaft gabime drejtshkrimore, pa le emocioni që të jep.
Në poezinë e Gjelinës nuk bie në të tillë grackë. Ai është harmonik dhe i ngrohtë në lexim dhe në mesazh.
E hop, më erdhi në mendje shija e bukës. Sot mbase është herezi, mëkatim që dikush të betohet për bukën. Po gjetkë e kam mendimin. Në një qytet apo edhe në fshat, në një furrë buke, edhe pse ka me qindra bukë të dala nga furra, nuk ka aromë buke të pjekur. E këtu nuk ka nevojë të betohesh.
E vetëm dy bukë të bëheshin në furrë apo dhe në furrat e Lezhës aroma e bukës së grunjtë ndihej deri larg deri përtej kufirit të fundit në breg të Drinit.
Poezia e saj ka simbolin e malit. E do malin dhe nuk trembet nga lartësia e tij po ia do madhështinë.
Të shohësh besoj edhe të prekësh atë në lumturinë që të jep maja dhe prekja e misterit të tij, është mjaft bukur.
…Në mjaft poezi ajo ngrihet mbi disa të këqija që e kanë pushtuar shoqërinë shqiptare. Dhe të vjen mirë që në këtë emancipim shoqëror, nëse do ta quaja kështu, është dhe kontributi poetik dhe shoqëror i saj si poete, si nënë si grua.
Ngrihet kundër hakmarrjes
Në shekuj si trima e mikpritës jemi shquar.
Kemi shkuar dhe në cepin më të largët në botë.
Si gjithë të tjerët jemi emancipuar
Por vëllavrasjen sa keq që s’e harruam dot
Ngrihet me vargun e saj edhe kundër atyre që vrasin nënat shqiptare
Sot më është venitur Tirana me drita.
Mbi trup të grave u derdhën plumba
E mbetën fëmijët me duar të shtrira.
Mbeten pa Nënë të mjerët pëllumba.
.Tek shihja, lexoja, jetoja emocionin e lashtë të vargëzimit sa dhe vetë bota të poezitë e, ndjesitë ishin të shumta. Herë-herë më dukej se isha në një livadh të madh diku në një shpat mali e mblidhja luleshqerra. Nga ato lulet që dikur vajzat i mblidhnin me kaq dashuri në vajzërinë e tyre. Kuptohet në atë kohë kur në duart e tyre nuk ishin celularët. Poezia e re e Gjelinës hap një brazdë të re e mjaft të begatë.
Tani që kemi në duar librin e dytë poetik të Gjelinës, mjaft natyrshëm mund të arrijmë në një përfundim, besoj të vërtetë e të arsyeshëm mbi cilësinë dhe mbarëvajtjen e poezisë së saj.
Nëse thamë dhe të gjithë lexuesët e brezit mesatar se Lezha ka patur dikur “Shkollën e Poetëve” të saj, poezia e saj dhe aktivizimi i saj në forume të ndryshme letrare na bën të mendojmë se ajo jo vetëm që ecën në këtë traditë, po është në listën e atyre poeteve që e dërgojnë më lart poezinë feministe që Lezha e ka shpalosur në vitet e fundit.
Natyrisht duhet edhe punë, se arti i rrëfimit poetik,ashtu si të gjitha artet e tjera në botë, kërkon punë, passion, vazhdimësi.
E këto asaj nuk i kanë munguar e nuk do i mungojnë edhe në librat e tjerë që do të shkruajë. Rrugëtim të mbarë në librat që do vijnë..!